Home KRYESORE Gazetari Koka: Mirela Ruko, a e njeh ti Aranit Çelën?!…

Gazetari Koka: Mirela Ruko, a e njeh ti Aranit Çelën?!…

Nga Bledian Koka

Në fillim doli lajmi që i ati i Mirela Rukos është i dënuar në burg dhe publikuan vendimin e gjyqit për të.

Më pas, u bë një shkrim në formë fletë-rrufeje ku Mirela Ruko pyetej retorikisht: A e njeh ti Bashkim Gazideden? Unë, do kundërpyesja: Mirë, po ti a e njeh Nevzat Haznedarin? Po Aranit Çelën?

(Por, nuk pyes, sepse e di që salca e kuqe dhe rebelimi i një studenteje nuk ka asfarë lidhje me Gazideden, Sefgjinin, Haznedarin e Çelën)

Sot, u prek kulmi. U botua dëftesa e gjimnazit e Mirela Rukos ku ajo rezultoka se Gjeografinë e ka 6 dhe Fiskulturën 10. Nënkupto: Një nxënëse mesatare nuk ka të drejtë të prekë shishe salce me dorë dhe të rebelohet ndaj një ministri!

Tani, përpos të gjithave, aktit, faktit e aktorëve në lojë, mua më tmerron diçka. Ajo është metoda.

Këto forma denigrimi me fletërrufe publike, me publikim biografie familjare dhe të dhënash strikte personale siç është dëftesa e shkollës, janë metoda 24-karatëshe të Sigurimit të Shtetit.

Mjafton ky kundër-reagim i ‘establishmetit’ për të kuptuar pse u hodh ajo shishe salce në kokën e një ministri.

Mirela Ruko u quajt ekstremiste e majtë, por nëse derdhja e salcës u quajt ‘akt komunist’, nuk e di si mund të quhen ‘aktet’ e mësipërme.

P.S….Ndoshta po e ekzagjeroj. Ndoshta është më e thjeshtë se kaq. Imagjinoj Lindita Nikollën, që sot në mëngjes, ka marrë celularin dhe ka telefonuar drejtorin e shkollës në një fshat të Fierit, për ta urdhëruar që “do vijë dikush sot dhe do marrë dëftesës e Mirela Rukos. Bëjë gati”. Pra, nuk ka asnjë skenar me Sigurim Shteti. Eshtë hakmarrja primitive e një gruaje që ka rastisur të jetë ministrja jonë e Arsimit.

Share: