Home KRYESORE “I gjithe populli ushtar!” PSE PO SHKOJME DREJT ANARKISE?

“I gjithe populli ushtar!” PSE PO SHKOJME DREJT ANARKISE?

Nga Denion Meidani

Mbas vizitës së Ministrit Bushati në Turqi dhe deklaratave pasuese, paksa të çuditshme në aspektin e sovranitetit, vjen tani më në fund aspak e veçantë dhe ndihma e parë në këto 3 vjet nga regjimi më autoritar në kufijtë e Evropës. Çfarë ishte tashmë e re, çfarë ndryshoi? Pse premtimet filluan të konkretizohen më në fund pas kaq vite që dëgjojmë se vëllai i madh do të derdhte miliona në kesh (cash) e ndihma. Mos vallë do të plotësohen kërkesat e tij në sulmin kundër institucioneve arsimore me mbështetje turke edhe në Shqipëri? Natyrisht, kështu, shfaqet e fuqizohet çdo regjim autoritar e neo-diktaturë, deri duke e marrë nën kontroll shkollën, duke sulmuar e dobësuar dijen dhe arsimin. Edhe z. Rama apo shoku Rama ka dhënë mjaftueshëm shenja për prirje të qarta autoritare, për një sjellje jodemokratike. Ai vetë ka mënjanuar garën demokratike brenda partisë për zgjedhjen e kryetarit, ka bërë çmos për të nënshtruar pushtetet e pavarura, dhe sidomos në formatimin e sjelljeve dhe prurjeve në sistemet e sigurisë. Dhe e gjitha kjo është e njëvlershme me sulmin ndaj dijes kur tentohet instalimi i pushtetit personal, i vetë autokracisë…

* * *

Ndryshe nga çfarë deklaroi kryeministri Rama në oborrin e ish Ministrisë së Rendit, sot Ministrisë së tij të Brendshme (si një superstrukturë e krijuar dhe fuqizuar me ardhjen e tij në pushtet), perceptimet, sondazhet, respekti dhe besimi tek policia shqiptare në sytë e shqiptarëve, por dhe partnerëve tanë është zvogëluar e përkeqësuar. Ka shume shembuj të kësaj mungese besimi, respekti deri shpalosje ironie ndaj policive të ndryshme, si asaj të shtetit ashtu dhe atyre bashkiake, kryesisht ndaj dështimeve e fajeve publike, për të cilat ne jemi dëshmitarë çdo orë e ditë. Ndërkohë që marrëdhënia e uniformës me qytetarin është e tensionuar në disa drejtime e përmasa, shumica e këtyre policëve janë shërbyes të devotshëm dhe të ndershëm, me një prirje civile e qytetare të dukshme. Siç është, në thelb, dhe shumica e qytetarëve të republikës, që thellë- thellë e dëshirojnë suksesin e policisë, që përpiqen ta respektojnë uniformën dhe të ndihmojnë në shërbimet e saj ndaj komunitetit, natyrisht të paguar po me taksat e tyre. Atëherë pse policia në vendin tonë nuk po gëzon më mbështetjen, respektin dhe besimin e mëparshëm, p.sh., edhe të para 2-3 vjetëve? Çfarë ka ndryshuar? Qytetari sigurisht jo! A mos vallë e ka fajin Kodi Penal dhe duhen dënime alternative apo dhe më të ashpra, siç po kërkon ministri Tahiri? As këtë nuk e besoj dhe për mua, kush e thotë diçka të tillë, po e përdor atë për shfajësim dhe politikë dite. Mbase ajo që kanë në mendje janë dënime biblike, por as feja nuk po e tremb më “kanabisin” me përjetësinë në vuajtje. Mbase pjesë e fajit është dhe humbja e besimit të vetë uniformave tek ligji, ku ata vetë janë pjesë integrale tepër e rëndësishme.

* * *

Mbase mosbesimi, mungesa e respektit dhe ideja, në rritje e shtrirje si asnjëherë më parë, se forca jonë policore është e korruptuar dhe e pa aftë që të përballet e veprojë me integritet dhe profesionalizëm ndaj sfidave të kohës, nevojave e kundërshtive shoqërore vjen edhe ngaqë kryeprokurorë të antimafias të vendeve fqinje në mediat e tyre e drejtojnë gishtin tregues tek Shqipëria. Sipas tyre, droga po rrjedh lum dhe në sasi të papara më parë mbase ngaqë autoritetet shqiptare nuk duan të bashkëpunojnë. Gazetarë investigativë të këtyre vendeve pasqyrojnë plantacione me drogë e trafikantë, qe ankohen se 30% duhet t’ia japin policisë për çdo korrje, ndërkohë ata pretendojnë se çmimi ka rënë me 3 herë nga sasia e madhe e prodhuar. Konfirmimi për këtë rënie erdhi dhe nga kryeprokurori Motta në televizionin shtetëror Rai. Pista të improvizuara për uljen e avionëve të drogës kanë dalë si kërpudhat mbas shiut; tashmë thjesht po priten nëndetëset e para që do të ngecin në zbaticën e ndonjë gjiri! Lexojmë, po ashtu, që polici të dy qyteteve përplasen për ndërhyrje në një plantacion apo për oficerë të ndershëm policie, që ndëshkohen pse guxojnë të drejtojnë operacione kundër plantacioneve. Ata ulen në detyrë e largohen si pa të keq e pa procedura transparente e llogaridhënie.

* * *

Dikur ligji ndëshkonte çdo kryeplak, kryetar komune e bashkie në zonën e të cilit gjendej qoftë dhe një rrënjë kanabis, ndërsa sot kryetarë bashkiakë të rilindjes po akuzohen në media si pronarë plantacionesh dhe magazinash tharjeje e përpunimi. Situata është përkeqësuar disa herë dhe në kategoritë e krimeve të tjera, ku as aty nuk mungojnë akuzat madje dhe raportet e kabllogramet e ambasadave të huaja për përfshirje e mbrojtje të të inkriminuarve nga uniformat e rendit. Po ashtu, arroganca është rritur dhe përhapur.

Nëse Rama është aq besimplotë, deri naiv, sa mendon se të gjitha këto fakte mund t’i mbulojë me disa uniforma të reja, me ose pa tender, me aksione me pip për matje alkooli apo ato për rripin e sigurimit por e ka shumë gabim! Ato dënime, sado pompoze e teatrale kur filmohen nga kamerat e trupit, shërbejnë më shumë për të mbushur arkën e shtetit me këto gjoba të pafundme se të rrisin autoritetin e policisë. Madje, në mjaft raste, këto dënime janë hedhur poshtë nga ato pak gjyqtarë të ndershëm të administratives, që nuk janë akoma të frikësuar apo intimiduar, por që sigurisht mund të gjunjëzohen nëse Komisioni i Venecias nuk e ndalon prapësinë, që po gatuhet në kundërshtim dhe të amendamenteve kushtetuese që vetë votuan.

Ndërkohë, zgjidhja, që vjen nga ana e Ministrit të Brendshëm, është refuzimi i realitetit dhe krijimi i një matriksi alternativ ku bën pjesë dhe propozimi për të krijuar një forcë policore vullnetare që tingëllon gati-gati e njëjtë me historitë e vigjiluesve e paramilitarëve në Kolumbi e Meksikë dekadat e fundit. Një forcë e tillë, jo vetëm që nuk do të përmirësonte problemet brenda forcës aktuale policore, por do të thellonte hendekun me shoqërinë dhe qytetarin. Ajo nuk do ta përmirësonte klimën aktuale të rendit e sigurisë në vend, por do të ndikonte në përkeqësimin e saj, në abuzime e tensionim dhe konflikt të panevojshëm.

Lindin natyrshëm pyetjet. Nga do t’i rekrutojmë, si do t’i përzgjedhim? Mbase nga forumet rinore partiake?! Cila grup-moshë është targeti kryesor? A e kanë ata pjekurinë dhe motivimin e duhur? Kush do t’i japë diturinë e nevojshme ligjore dhe trajnimin e kërkuar? Mbase dhe kompania e sigurimit të ndonjë bashkëpunëtori e miku të afërt, që ka ndihmuar në opozitë apo dhe në fushata elektorale? Me siguri do të duhet dhe ndonjë tender tjetër uniformash si ai që lamë pas apo ndonjë donacion i ri nga vëllai madh…

Ne vendet e mësipërme të përmendura, ky eksperiment shkoi shumë keq dhe situata aktuale e vendit tonë është e ngjashme me këto dy vende, në kultivimin e drogës dhe kriminalizimit të shoqërisë me bazë këtë drogë. Por dhe në vende të tjera perëndimore ka pasur të tilla eksperimente, por histori suksesi kanë qenë vetëm ato raste ku dominoi procesi i përzgjedhjes, edukimi, disiplina e trajnimi tepër i kujdesshëm; sidomos në funksion të një force vullnetare për të shërbyer vetëm në mbrojtje godinash shtetërore e institucionesh të rëndësishme, në mënyrë që të lehtësohet ngarkesa e policisë në ndjekjen e problematikave të tjera, shumë më të sofistikuara.

* * *

Në gjykimin tim, sot, as shkolla e policisë, me ato pak muaj kurs, nuk është e mjaftueshme për të përgatitur kadetët e policisë e jo me vullnetarët. Për më tepër tani para zgjedhjeve; ndërkohë që ekziston perceptimi dhe dyshimi i bazuar se struktura policore është, më shpesh, në funksion të mbrojtjes së pushtetit të partisë-shtet, një forcë vullnetare dhe eksperimentale do të krijonte jo pak keqkuptime. Aq më tepër, një forcë e re e pa sanksionuar deri ne detaj dhe e pa trajnuar, do të shkaktonte një tensionim në mbarë vendin dhe do të mbulonte procesin zgjedhor me një tymnajë paqartësie të panevojshme.

Është e kuptueshme që kur institucionet dështojnë që të plotësojnë nevojat me bazike të shoqërisë për rend, drejtësi, barazi, qetësi publike, të ndeshen reaksione nga më të ndryshmet nga dorëheqja e përgjegjshme (deri më sot të pa para por shumë të nevojshme tek ne) e deri tek politikat radikale dhe përpjekjet për të pjellë institucione të tjera. Kanalizimi i idesë së vullnetarizmit në drejtësinë penale, pa marrë parasysh stofin social, përvojën, natyrën e instinktet njerëzore, me një synim të bukur e madhor për të promovuar stabilitet ligjor, barazi e drejtësi në shoqërinë tonë, është i nxituar dhe i gabuar. Ai ka mundësi të shndërrohet apo të rezultojë në një eksperiment të dështuar që, në kuadër të tensioneve të krijuara, do të nxisë krijimin e grupeve qytetare në ushtrim të vetëgjyqësisë e vetë-drejtësisë, por dhe atyre kriminale për të ruajtur plantacionet e magazinat dhe garantuar vazhdimësi aktiviteti e dominim.

Në situatën e sotme mesazhi i ministrit në “tantrum” me informacionin e bollshëm të mbledhur për gjendjen e vendit, na lë të kuptojë mbase se qeverisja apo organizimi shoqëror, i zgjedhur nga populli, është i paaftë, i pamundur apo në një mungesë të qartë dëshire për të ushtruar drejtësi penale dhe po kërkohet të kalohet në “vullnetarizëm”. Por, kërkesa për vullnetarizëm nuk është veçse një nga farat e para të anarkisë. Nuk është e rastit që Gjykata Supreme e ShBA-së ka arritur në përfundimin se: “në tërësi, një drejtësi vigjiluese me synime sado fisnike, në fund të fundit mund ta kërcënojë një shoqëri të mirë-organizuar” (“even the most noble-intentioned vigilante justice, on the whole, ultimately threatens an ordered society”).

(Shkrim botuar tek Gazeta Panorama Online

Share: