Djali i një ish-deputeti, vetëm 17 vjeç, banues në Tiranë, është “gjunjëzuar” para kërcënimit të mbërritur në postën e tij private në “Facebook” nga disa bashkëmoshatarë të tij, raporton “Panorama”.
Në këtë mesazh i kërkohej t’u paguante me urgjencë 2500 euro, nëse nuk donte që ata t’i dërgonin babait të tij disa foto ku adoleshenti dukej duke tymosur një cigare kanabis.
Pagimi i “gjobës” së parë nga E.Bruka, i biri i ish- deputetit Ibrahim Bruka, është pasuar me një “breshëri” gjobash të tjera.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, në janar-prill 2016 adoleshentët i kanë vendosur Brukës 12 gjoba, që varionin nga 2500 deri në 5 mijë euro, duke mundur t’i marrin atij gati 26 mijë euro në total. Kërcënimet e tyre kanë ndryshuar me kalimin e kohës.
Fillimisht, 17- vjeçarit i janë përmendur fotot me kanabis. Më tej, kërcënuesit i kanë thënë do t’i tregonin babait të tij se ai kishte u kishte dhënë lekë dhe në përfundim se 17- vjeçari kishte zënë të dashur kushërirën e njërit prej tyre.
Gjykata për Krimet e Rënda ka nisur gjykimin ndaj pesë personave të akuzuar si shantazhuesit e Brukës.
Të pandehurit e arrestuar Rogers Ademaj, Luan Lama dhe ata të shpallur në kërkim, Fatmir Gjeta dhe Ilir Shehu, akuzohen për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
I pandehuri i pestë i çështjes, Shkëlqim Spahiu, akuzohet për “moskallëzim krimi”, pasi dyshohet të ketë pasur dijeni për gjobëvëniet.
“ZINXHIRI” I GJOBAVE
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 14 prill 2016, 17- vjeçari E.Bruka ka kallëzuar në Polici se një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin që prej muajit janar 2016 i kanë marrë përmes dhunës psikologjike sasi të ndryshme eurosh.
Në janar, E.Bruka është njohur me Rogers Ademajn, i cili ka shkuar në shtëpinë e E. për një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale, duke qenë se i ati i tij, Ibrahimi, ishte kirurg.
Të nesërmen, rreth darkës, në adresën që i dëmtuari ka në rrjetin social “Facebook” i ka ardhur një mesazh nga Ilir Shehu, që përdorte profilin me emër “Liri Shehu” dhe i kërkoheshin urgjentisht 2500 euro.
Në të kundërt, do t’i tregonin babait të tij “ca gjëra”. Sipas tyre, këto “gjëra” ishin disa foto, ku pretendonin se 17-vjeçari pinte drogë bashkë me disa persona të tjerë. Në mesin e muajit janar e kanë takuar te shkolla, duke i kërkuar me ngulm 2500 eurot.
Kallëzuesi u ka thënë se nuk kishte ku t’i gjente paratë, por ata i janë përgjigjur që t’i gjente ku të donte, pasi e kishte babanë doktor.
Disa ditë më vonë, nën presion 17-vjeçari, pa dijeninë e prindërve të tij, ka marrë 2500 euro në shtëpi dhe pas mësimit ua ka dhënë tre personave që e prisnin te shkolla.
Në vijim, në frekuenca kohore prej 2-3 ditësh, pas kërcënimeve se do t’i tregonin babait të tij për lekët dhe se ai kishte të dashur kushërirën e njërit prej tyre, të pandehurit dyshohet se i kanë marrë të dëmtuarit dy shuma nga 3 mijë euro dhe një shumë prej 5 mijë eurosh.
“Pas këtij rasti, Rogersi, Luani dhe Fatmiri i kanë marrë në të njëjtën mënyrë edhe katër herë nga 2500 euro në çdo rast, 10 mijë euro të total, gjithmonë me kërcënimin se do t’i tregonin të atit për eurot që u kishte dhënë”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Referuar kallëzimit, në fillim të marsit, i pandehuri Fatmir Gjeta i ka kërkuar atij 2 mijë euro për “të mbyllur muhabetet”.
Kallëzuesi i ka thënë se do të takoheshin në datën 20.04.2016. Një javë para kallëzimit, i ati i E.Brukës ka konstatuar mungesën e parave në shtëpi dhe ai i ka treguar për ngjarjen.
Në datën 12.04.2016, te shkolla e kallëzuesit kanë shkuar Rogers Ademaj, Luan Lama dhe një person tjetër i panjohur me një automjet “Fiat”. Rogersi i ka kërkuar të hipte në makinë, por E.nuk ka pranuar. Rogersi i ka kërkuar atij 2500 euro, pasi Fatmiri ua kishte futur dhe ata kishin përplasur një makinë.
Takimi është filmuar nga një shok i E., pasi këtë ia kishte kërkuar E., sapo i kishte parë dy personat. Kallëzuesi i ka thënë se do t’ua jepte në 20.04.2016.
Në 14.04.2016, te shkolla i kanë shkuar Rogersi me Luanin dhe i kanë kërkuar 2500 euro urgjent, por E. u ka thënë se do t’ia jepte në 20.04.2016, në një kohë që veprimet e tyre po vëzhgoheshin nga policia. ARMAND BAJRAMI/PANORAMA