Home KRYESORE Korrupsioni në drejtësi pjesë e korrupsionit të përgjithshëm

Korrupsioni në drejtësi pjesë e korrupsionit të përgjithshëm

Nga Kasem Seferi

“Kur të mëdhenjtë shkelin të drejtat e të vegjëlve, farkëtojnë shpatën që do të vërvitet më vonë mbi kokat e tyre.”. Ezopi

Pushteti priret të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Në thelb, pushteti absolut synon kontrollin ekonomik në shoqëri, që nuk është thjesht kontrolli i një sektori të vetëm të jetës njerëzore, të cilin mund ta veçosh prej pjesës tjetër të saj, por është kontroll i atyre mjeteve me të cilët lidhen të gjithë qëllimet e qytetarëve.

Në këtë mënyrë pushteti u demonstron qytetarëve se duke pasur kontrollin e mjeteve në duart e tij ka të drejtën të përcaktojë qëllimet dhe individët të cilëve duhet t’u shërbejnë qytetarët në të nesërmen, të përcaktojë vlerat që duhet të respektojnë qytetarët, si dhe njerëzit të cilëve duhet të besojnë dhe duhet të votojnë.

Rasti i ish – kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, trajtuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut dhe shumë raste të tjerë, të njohur ose jo publikisht, tregojnë kalbëzimin e pushtetit dhe, veçanërisht, pushtetit gjyqësor, për të cilin pretendohet aq shumë politikisht se duhet të reformohet. Por, në ekonominë e tregut, që sistemi ligjor dhe gjyqësor të reformohet duhet që:

të vendosë praktika standarte të ndërveprimit ekonomiko – shoqëror; të vendosë praktika të ndërveprimit ndërmjet sektorit publik dhe privat; t’i detyrojë këto praktika me masa shtrënguese nëpërmjet gjykatave; dhe të zgjidhë konfliktet midis individëve dhe grupeve.

Por, në qoftë se institucionet publike janë difektoze dhe konditat politike të paqëndrueshme, ato ndikojnë negativisht në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore. Pambarimisht, në këto dy dekadat e pas vitit 90 – të, janë vënë re marrëdhënie të ndërlikuara si rezultat i mospërputhjes së proçeseve gjyqësore me kërkesat e kohës, si dhe korrupsionit të përhapur në sistemin e drejtësisë.

Humbja e besimit të qytetarëve te të gjithë institucionet, është shkaktuar nga korrupsioni institucional, veçanërisht, korrupsioni në sistemin e drejtësisë dhe një dukuri e tillë ka vrarë ekonominë e vendit thuajse në të gjithë drejtimet. Një sistem jofunksionues ligjor dhe juridik ndikon mbi zhvillimin dhe efiçencën ekonomike, duke vërtetuar se faktori që e ka vonuar shumë ekonominë shqiptare ka qenë e meta e ligjit dhe pasiguria në përmbushjen e kërkesave të tij.

Pra, korrupsioni gjyqësor ka goditur zhvillimin ekonomik duke minuar stabilitetin dhe parashikueshmërinë në interpretimin dhe përmbushjen e kërkesave të ligjit duke vërtetuar se korrupsioni i përhapur në drejtësi është një dukuri që tregon se shteti ka funksionuar varfërisht.

Në fakt, karakteristika e cënuar e praktikave të korruptuara në sistemin e drejtësisë i ka rrënjët në praktikat e varfëra të qeverisjes brenda çdo agjensie shtetërore. Tradicionalisht, sistemet e dobët monitorues konsiderohen se janë shkaqet kryesore të korrupsionit; korrupsioni në sistemin e drejtësisë nëpërmjet mitëmarrjes zvogëlon ndëshkimin e parashikuar.

Korrupsioni si dukuri e sjelljes që ndodh ndërmjet shtetit dhe fushave të tregut, është dukuri e mosfunksionimit normal të qeverisjes brenda sektorit publik. Kapaciteti i zyrtarëve të gjykatave për t’u angazhuar në praktikat korruptuese të përshkruara më lart është rritur si rezultat i mungesës së transparencës dhe parashikueshmërisë së kufizuar në caktimin e roleve të brendshëm organizativë për punonjësit e gjykatave.

Kapaciteti i rritur i zyrtarit të gjykatës për të nxjerrë përfitime të paligjshëm është varur nga perqendrimi më i madh, informaliteti i përhapur dhe paparashikueshmëria në caktimin e detyrave administrative për personelin e gjykatës brenda secilës gjykatë. Përqendrimi në caktimin e detyrave administrative kapet nëpërmjet një treguesi që mat përpjestimin e të gjithë detyrave administrative në jetën proçeduriale të një rasti që performohet me zgjedhje nga personeli administrativ pa udhërrëfyes me shkrim dhe në një mënyrë të pavëzhguar.

Një tregues i lartë do të përfaqësonte një mjedis ku është më e lehtë për juristët të kapin çdo punonjës të gjykatës me shpresën që ai do të performonte një detyrë të pavëzhguar në këmbim të një kuote të paligjshme me një mundësi të pakët për t’u ndëshkuar. Marrëdhënia ndërmjet kompleksitetit proçedurial dhe korrupsionit si dhe lidhja ndërmjet pranisë sistemike të abuzimit në lidhje me maturinë gjyqësore në praktikat e ligjit dhe perceptimit të përgjithshëm të korrupsionit shprehen sëbashku në tre grupe: juristët, gjykatësit dhe ndërgjyqësorët.

Prandaj, duhet të parashikohet që kapaciteti i rritur i një zyrtari të gjykatës për të nxjerrë përfitime të paligjshëm do të varet gjithashtu nga shkalla më e madhe e abuzimit të maturisë substantive/proçeduriale e çiftuar me praninë e kompleksitetit të shtuar proçedurial.

Përfundimisht një dispozicion më i madh i mekanizmave për të zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet ndërmjetësimit ose arbitrazhit zvogëlon natyrën monopoliste të shërbimeve të gjykatës të sponsorizuara nga shteti brenda problemeve të subjektit. Në këtë skenar, një elasticitet më i lartë i kërkesës për shërbime gjyqësore, për shkak të disponueshmërisë më të madhe të mekanizmave alternativë për të zgjidhur grindjet, do të zvogëlonte kapacitetin e personelit të gjykatës për të nxjerrë përfitime të paligjshëm.

Kjo është përmbajtja e gjithë asaj që u tha në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në lidhje me kalbëzimin e sistemit të drejtësisë, me sloganet qesharakë se reforma në sistemin e drejtësisë do të bëhet pa asnjë dyshim, me idenë absurde që shoqëria shqiptare do të gjejë drejtësi vetëm duke reformuar sistemin e drejtësisë, me akuzat e drejtuara anësisht dhe për qëllime politike vetëm te disa institucione të sistemit të drejtësisë dhe te individë që drejtojnë ose punojnë në përbërje të tyre, me deklaratat publike servile të politikanëve “llapaqenë” për të siguruar një vend në listën e kandidatëve për deputet të kryetarit të partisë, etj, etj “shkërdhatësi” të tilla politike me të cilat qytetari shqiptar është ngopur deri në mbytje.

Sistemi ligjor dhe i gjykatave nuk është gjë tjetër veçse një treg të cilit pushteti në Shqipëri i ka krijuar të drejta dhe tituj që të përdoren zyrtarët publikë për të lehtësuar pazarin në lidhje me shpërdorimin e pozicionit publik për të siguruar përfitime personale.

Mjerisht, zyrtarë publikë që përpiqen të blejnë gra që të prostituojnë ne favor të tyre duke shpërdoruar detyrën e tyre publike janë individë të dobët në vetvete që kanë pak kontroll mbi jetën e tyre.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: