Home KRYESORE Mazhoranca rrezikon plotësimin e 84 votave, ja skenarët për sigurimin e votave

Mazhoranca rrezikon plotësimin e 84 votave, ja skenarët për sigurimin e votave

Mazhoranca këtë të enjte në Parlament do të vendoset në provën e sigurimit të votave për kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Për tri seanca me radhë, shumica nuk ka arritur t’i bëjë 84 votat për kalimin e ligjit të mbetur nga paketa e Reformës në sistemin e Drejtësisë.

Kështu, ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që lidhet me krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, pasi nuk mundi të marrë dakordësinë e opozitës, nuk po mundet të kalojë as vetëm me votat e maxhorancës, shkruan “Panorama”.

Shqetësimi i ngritur në disa mbledhje me radhë i Grupit Parlamentar të PS-së, nuk është reflektuar në Parlament, pasi disa nga deputetët socialistë sërish kanë munguar.

E njëjta situatë shumicës i ka ndodhur edhe një javë më parë, kur maxhoranca dështoi të votonte në tërësi të gjitha ndryshimet në paketën e ligjeve, të cilat rregullojnë marrëdhëniet e bankave me kredimarrësit dhe përmbarimin privat e shtetëror.

Këtë të enjte, shumica arriti të grumbullonte vetëm 79 vota, përmes të cilave kaloi ligjet “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor”, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” dhe “Për falimentimin”. Por, pavarësisht votimit të këtyre ligjeve, ato nuk mund të bëhen funksionale pa votimin e ndryshimeve në Kodin Civil që kërkonin 84, vota nuk kaluan.

tabela

Kryeministri Rama ishte edhe vetë pjesë e seancës plenare këtë të enjte, por mungesa e disa prej deputetëve të grupit të tij parlamentar, por edhe nga radhët e aleatëve pamundësuan kalimin e ligjeve. Gjatë votimit në këtë seancë plenare ra në sy mungesa e tre deputetëve të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Tahir Muhedini, ndërsa në radhët e maxhorancës mungonin deputetët Arta Dade, Bashkim Fino, Parid Cara dhe Agron Çela.

Beteja për sigurimin e votave për kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar brenda maxhorancës vjen në një kohë që Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta janë në prag të diskutimit edhe të fateve të koalicionit të tyre qeverisës. Ish-deputetët e PS-së, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, do të prezantojnë ditën e sotme forcën e tyre politike.

Pavarësisht kësaj, këtë të enjte në Parlament dy deputetët bashkuan votat me shumicën për të kaluar ligjet që ishin në rendin e ditës. Ajo që pritet me interes, krahas mobilizimit të socialistëve për të qenë i plotë si grup parlamentar në votimin e ligjeve, është qëndrimi që do të mbajnë aleatët në qeverisje, pa të cilët plotësimi i 84 votave është i pamundur.

PANORAMA

Share: