Home KRYESORE OPOZITA DHE INTERESI KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EUROPIAN

OPOZITA DHE INTERESI KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EUROPIAN

Nga Prof.as.Dr. EDMOND HOXHA*

Nesër, më 9 nëntor, Komisioni Evropian do të bëjë publik Progres Raportin për Shqipërinë në bazë të cilit pritet që Komisioni Europian të rekomandojë Hapjen e Negociatave për Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mirë do të ishte që këto Negociata të hapeshin pa kushte, por ndërsa pritet ky lajm i rëndësishëm për popullin Shqiptar duket se diçka ka ndodhur me opozitën dhe vetë brenda saj dhe si rrjedhoje hapja e negociatave rrezikon jetë me kushte.

Ajo qe ka ndodhur është pasqyruar gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Bashkim Evropian – Shqipëri, i cili ka miratuar Rezolutën që i bën thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian për hapjen e negociatave dhe nga ana tjeter Shqipërisë, që të sigurojë më shumë progres të qëndrueshëm në lidhje me implementimin e 5 prioriteteve.

Nga mediat mësuam se Opozita në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian “…ka kërkuar që të hiqet nga projektrezoluta një fjali që shpreh vullnetin e të dyja palëve për caktimin e një date nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit duke u përqendruar tek 3 kushte për hapjen e negociatave si: zgjedhje të lira dhe të ndershme; lufta kundër drogës; dhe zbatim i ligjit të dekriminalizimit”.

Në konceptin tim nuk ka azgjë të keqe që opozita të kërkojë me forcë plotësimin e 3 kushteve, por ajo që nuk i shërben Shqipërisë është koha kur i kërkon ato. I kërkon dy ditë para se të meret një vendim i rëndësishëm, dhe historik për Shqipërinë, vendim i cili përfundimisht e shkëput Shqipërinë nga tranzicioni 25 vjeçar dhe e fut në rrugën Europiane. OPOZITA si koncept, pavarësisht se e cilit krahu, duhet të jetë e ndërgjshme dhe e përgjegjshme, që problemet politike me POZITEN të mos t’i pëdorë kundër Shqiperise. Këto janë të vetmet momente kur të dyja palët duhet të unifikojne qëndrimet e tyre dhe të votojne me krenari për Shqipërinë.

Nga ana tjetër duke lënë mënjanë opozitën mendoj se edhe vetë Qeveria duhet të kishte punuar fort qysh në Tiranë me qëllim që të unifikonte qëndrimin me Opozitën dhe të mos priste që Opozita të dilte kundra në Bruksel.

Duke u kthyer nga BE, mendoj gjithashtu se edhe sikur të mos jenë plotësuar të gjitha kushtet Këshilli Europian duhet të rekomandojë një datë për Hapjen e Negociatave sepse kjo do të bëjë që reformat të vazhdojnë dhe demokracia të konsolidohet. Për më tepër vetë Bashkimi Europian i ka borxh Shqipërisë një kohë të gjatë të humbur me Statusin e Vendit Kandidat.

Nëse përgjigjia do të jetë Hapje Negociatash me kushte, Këshilli Europian do të bjerë në të njëjtën situatë “kurth”si me dhënien e Statusit Kandidat i cili u zvarrit me vite, për shkak se Opozita e asaj kohe, sot Qeveria, votonte kundra dhënies së Statusit dhe vetë Bashkimi Europian kishte problemet e veta me zgjerimin, ashtu siç edhe ka sot me BREXIT.

Bashkimi Europian duhet të jetë i qartë se Shqipëria dhe populli Shqiptar kanë nevojë për një datë të qartë për Hapjen e Negociatave anëtarësuese, jo vetëm si inkurajim për qytetarët shqiptarë në rrugën e tyre drejt BE-së por edhe si shenjë besimi reciprok tek Bashkimi Europian. Bashkimi Europian duhet të kuptojë që edhe Shqiptarët po lodhen me Integrimin dhe Integrimi i Shqipërisë në BE nuk duhet të vazhdojë të jetë një Objektiv i lëvizshëm, pa fund, për popullin Shqiptar. Shqipëria është vendi më pro-Integrimit Europian në kontinent, por kjo ndjesi mund të ndryshojë dhe kjo gjë nuk do të ishte e mirë për askënd.

Shqiptarët e dinë se integrimi nuk është gjë e lehtë, por që ka edhe shumë detyrime, e megjithatë e kërkojnë atë me dinnjitet për vlerat që kanë, për faktin se gjithmonë kanë qenë në Europë dhe gjithmonë kanë dhënë kontributin e tyre për të mbrojtur vlerat Europiane.

Komisioni Europian dhe shtetet Anëtare të BE-së, duhet të mos përsëritin qendrimi e tyre të dyzuar si me Statusin e Vendit Kandidat, ku vonuan Shqipërinë dhe avancuan vende të tjera, edhe pse arritjet ishin të njëjta.

Lind pyetja! A e pengojnë kushtet Integrimin? Përgjigjia është: Sigurisht që PO dhe për shumë arsye si: vonesa, humbje investimesh, humbje projektesh, vonesë të reformave, ecje përpara e vendeve të tjera të Rajonit, etj. Mos harrojmë se Shqipëria ka 25 vjet në tranzicion, gati sa gjysma e periudhës së Komuzimit dhe ëndrra e Shqiptarëve për të qënë “de jure” Europiane po zgjatet padrejtësisht. Secila palë, majtas apo djathtas ka dhënë kontributin e saj në ecjen dhe vonesat e këtij procesi. Por vonesa nuk duhet të ndodhin më, të paktën jo për shkakun tonë. Palët duhet të zgjohen përfundimisht dhe duhet të vënë interesin kombëtar mbi atë partiak. Ne nuk mund të ngelemi peng i problemeve dhe interesave të vogla personale dhe partiake duke shtyrë pa fund Integrimin e Shqipërisë.

Unë besoj se Integrimi në Europë është interesi ynë më I Lartë në keto vite tranzicioni, për realizimin e të cilit ja vlejnë shumë sakrifica.

Është koha kur të gjitha forcat politika të bashkohen për të ndjekur të paktën njëherë shembullin e popullit të tyre i cili qysh në fillim ka qenë i bashkuar rreth Europës.

*Autori ka qene edhe Ish. Zv.Minister i Integrimit Europian (LSI)

Share: