Deklaratë e kryetarit të Komisionit të Medias, Genc Pollo
Në mbledhjen e Komisionit sot kishim planifikuar dëgjesë me grupin Publicus dhe me Shoqatën e Gazetarëve profesionistë, të cilët zbuluan korrupsionin dhe abuzimin në landfillin e Sharrës, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe gjë për të cilën humbën vendin e punës, humbën kontatën, njësoj si zonja Alida Tota, drejtoreshë e lajmeve në A1 News.
Kishim rënë dakort që të bënim dëgjesën për këtë çështje. Sot përsëri ndodhi i njëjti skenar i shëmtuar, kësaj rradhe me bojkot të deputetëve të Partisë Socialiste dhe duke terrorizuar stafin e duke mos lejuar çeljen e mikrofonit. Ne mendojmë se i bëjmë vendit shërbimin më të mirë, nëse e mbajmë këtë dëgjesë, ashtu siç mbajtëm dëgjesën me Alida Totën.
Dhe vendimi i ligjshëm i këtij Komisioni është që kjo çështje të zbardhet dhe të hënën në orën 10.00 pika e parë e rendit të ditës do të jetë vetëm dëgjesa me grupin “Publicus” dhe me Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë. Ditën e hënë ju ftojmë të gjithëve si media të jeni të pranishëm, pasi është për fjalën tuaj, është për të drejtën tuaj dhe është përtej lirisë së medias në këtë vend.