Prokuroria malazeze akuzoi nacionalistët serbë dhe rusë për organizimin e një grupi kriminal me qëllim rrëzimin e qeverisë së Milo Gjukanoviç në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 16 tetor.
Kryeprokurori special për Krimin e Organizuar, Milivoje Katnic tha në një konferencë të jashtëzakonshme ditën e diel se provat janë të mjaftueshme dhe se ato sugjerojnë se grupi kriminal është formuar në Rusi, Serbi dhe Malin e Zi.
Sipas tij, qëllimi ishte rrëzimi i Gjukanoviçit, i njohur për kursin e tij properëndimor qeverisës.
“Planifikonin ndërmarrjen e disa sulmeve terroriste për të rrëzuar qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Nuk kemi prova që në këtë grup vetë shteti rus të ketë luajtur ndonjë rol, por dy anëtarë të grupit të arrestuar janë me kombësi ruse”, deklaroi Katnic.
Përmes një videoje prej 3 minutash, prokurorët malazezë bënë publike edhe materialet e sekuestruara. Uniforma, pranga, armë, telefona, mjete të policisë, përfshirë këtu edhe tela me gjemba për të bllokuar rrugët dhe sinjalistika të tjera të përdorura nga forcat e sigurisë si dhe dhjetra armë e bomba. Të gjitha këto ishin pjesë e materialeve që janë bllokuar në cilësinë e provës.
Ditën e zgjedhjeve më 16 tetor, një grup prej 20 shtetasish serbë, përfshirë këtu edhe ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç, u arrestuan me akuzën e planifikimit të grushtit të shtetit.
Prokuroria malazeze beson se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin planifikonin të merrnin me forcë Parlamentin, të vrisnin kryeministrin Gjukanoviç dhe të sillnin në pushtet opozitën, që është një koalicion prorus.
Hetuesit dyshojnë se grupi ka bashkëpunuar me disa prej politikanëve kryesorë të opozitës, veçanërisht ata të partisë së serbëve. Kjo ka ngjallur reagimin e këtyre të fundit, që akuzuan prokurorinë për fabrikim provash dhe kërkuan prej saj që të publikojë emrat se cilët janë politikanët që kanë bashkëpunuar me grupin në fjalë./dita.al