Home KRYESORE Qeveria shënjestron fitimet e pandershme të kompanive me ligj të ri

Qeveria shënjestron fitimet e pandershme të kompanive me ligj të ri

gjergj erabara

Shqipëria përgatitet të kryejë një ndryshim të ri në ligjin mbi Për Tatimin mbi të Ardhurat, i disati ndryshim që synon të luftojë fenomenin e transferimit të fitimeve pa paguar tatim fitimi nga kompanitë e huaja me degë në Shqipëri.

Projektligji, i cili po diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë si pjesë e paketës fiskale të këtij viti, synon të kufizojë aftësinë e kompanive të huaja për të deklaruar se i kanë dhënë kredi degëve të tyre në Shqipëri, praktikë që sipas relacionit, shmang pagesën e tatimit mbi fitimin duke shkaktuar erozion të bazës fiskale në vend.

“Financimi me borxhe shumë të larta i shoqërive të lidhura, është shkak për një erozion të papranueshëm të bazës së të ardhurave të tyre, pasi interesi mbi borxhin ndryshe nga dividendi është i zbritshëm për qëllime tatimore. Në këtë mënyrë shpesh shoqëritë kontribuojnë me borxh ndaj bijave përkundrejt rritjes së kapitalit,” shkruhet në relacionin e qeverisë për Kuvendin.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, nga ku është marrë argumenti për këtë ndryshim ligjor, prej vitesh ka punuar për të koordinuar shtetet që të mbyllin hapësirat fiskale që i lejojnë kompanive shumëkombëshe të minimizojnë faturat e tyre fiskale të tatimit mbi fitimin.

Kompanitë përdorin shitblerje të ndryshme brenda grupit si dhe kredidhënie e kredimarrje me synimin për të transferuar fitimet nga një juridiksion me tatim fitimi të lartë në një juridiksion me tatim fitimi të ulët ose zero.

Propozimi ligjor aktual është që “nëse gjatë periudhës tatimore, huaja dhe parapagimi tejkalojnë mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta (të kompanisë bijë), interesi i paguar për shumën e tejkaluar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm”. Relacioni nuk sqaron se sa të ardhura shtesë pret qeveria të mbledhë nga ky ndryshim, i cili është i dyti i këtij lloji në më pak se tre vjet që shënjestron të njëjtin problem.

Kreditë mes kompanive apo subjekteve të lidhura është vetëm një nga kanalet e shmangies së pagesës së tatimit mbi fitimin që kompanitë shumëkombëshe përdorin. Kanali kryesor është shitblerjet e shërbimeve të padukshme mes kompanive të të njëjtit grup, të cilat shërbejnë për të deklaruar fitime të ulëta në një vend me tatim fitimi të lartë dhe fitime të majme në një vend tjetër me tatim fitimi zero.

Rasti tipik është ai i gjigandit të internetit Amazon, e cila krijoi një zyrë në Luksemburg, ku tatimi mbi fitimin është minimal për fitimet nga e drejta e autorit, apo në shtetin e Delaueres në SHBA, ku tatimi mbi të ardhurat nga të drejtat e autorit është zero.

Sipas kësaj skeme, një degë e Amazon në Luksemburg i shet shërbime kompanive të tjera Amazon në vendet e tjera europiane si Gjermania. Ndërsa kompania e Amazon në Gjermani rezulton pa fitime, kjo ndodh për shkak të “shërbimeve” që kjo kompani i paguan kompanisë tjetër Amazon me bazë në Luksemburg.

Ligji i vjetër nuk solli rezultat

Shqipëria ka pasur një nen që kufizonte praktikën e shitblerjeve brenda grupit për të shmangur tatimin mbi fitimin që nga viti 1998, por neni duket se mbeti i fjetur për shumë dhe shumë vite. Në vitin 2014, sipas sugjerimeve të OECD, një ligj më i detajuar për të ndaluar këtë praktikë u miratua në Kuvendin e Shqipërisë.

Ligji i ri përkufizonte qartësisht detyrimet e kompanive për të raportuar më vete transaksionet e kryera mes subjekteve të lidhura në pronësi apo në menaxhim. Problemi është se ligji në fjalë deri tani nuk ka dhënë rezultat. Raporti vjetor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin 2015, raporton se një vit e gjysmë pas miratimit të ligjit, Sektori i Transferimit të Çmimit në tatime është ende në fazën e përgatitjeve për zbatimin e ligjit.

Gjergj Erebara/BIRN

Share: