Home KRYESORE “Shijet e çuditshme, Rama preferon çupkat e Tatimeve e Doganave para Hafizit”

“Shijet e çuditshme, Rama preferon çupkat e Tatimeve e Doganave para Hafizit”

Analisti Mustafa Nano, në një shkrim të sotëm për “Mapo”, titulluar “Çfarë duhet të bëjë Edi Rama?”, analizon se si po shkon kryeministri Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të vitit tjetër.

Teksa rendit arritjet, rendit edhe një numër cenesh e dështimesh. Sipas Nanos, Rama ka ditur të prezantohet mirë, dhe me dinjitet, në politikën e jashtme.

“Ka ditur të lërë shenjë. Aq sa mund të lërë shenjë kryeministri i një vendi si Shqipëria, kuptohet. Por jo të gjitha kartat i ka në rregull, gjë që del edhe nga çfarë rreshtova më sipër në listën e dështimeve të kësaj qeverie. Ku nuk përfshiva një gjë. Dhe e bëra qëllimisht.

Për t’u ndalur tani. Edi Rama ka ndërtuar një nga ekipet më të dobëta qeverisëse të 100 viteve të fundit. Shpëtim Nazarko, në mos gaboj, ka thënë në një rast se Edi Rama është kryeministri më i kulturuar në historinë e Shqipërisë, pas Fan Nolit. Ja, ta zëmë se është e vërtetë, i dashur Shpëtim. E megjithatë, në këtë historinë tonë, nuk ka patur një kryeministër tjetër që t’i ketë patur kaq zët njerëzit e kulturuar. E nuk besoj se ka nevojë ta ilustrojë këtë që sapo thashë….

Ose, kërkoj ndjesë, ndërrova mendje, po e bëj ndonjë ilustrim. Ai preferon Taulant Ballën para Ben Blushit, çupkat e tatimeve e të doganave para Mimoza Hafizit etj. etj. Shije të çuditshme, apo jo?”, shkruan Nano.

Ndër të tjera ai thekson: “Sikur të mos mjaftojë kjo, ekipi i tij është edhe i korruptuar. E nuk ka se si të jetë ndryshe. Prandaj, qeverisja e Ramës e ka hak një “medalje” në këtë drejtim. Ua merr të gjitha qeverive të mëparshme shqiptare. Dhe e bukura është se Rama këmbëngul që të mos ndryshojë asgjë deri në zgjedhje, gjë që mua më bën të më lindë një pyetje dyshuese:

Është i lirë Rama të marrë vendime, është i lirë të vendosë të largojë prej rrethit të vet “|djemtë e këqij” (besoj se e keni vetë merak që termin “djemtë e këqij” ta shihni përtej kufijve gjinorë që përcakton vetë termi; dhe në fakt, djemtë e këqij ka qëlluar ca si shpesh të jenë vajza), është i lirë t’u tregojë vendin horrave që ka zgjedhur si bashkëpunëtorë apo të tjerëve që i janë bërë horra përpara syve të tij, është i lirë të vendosë të ndryshojë diçka te vetja, të përmirësohet?

Ka ca që mendojnë se Rama nuk e bën ndryshimin e qeverisë, ngaqë kjo do të merrej se ishte Meta që ia futi këmbët në një këpucë (Meta, nën motivime nga më të ndryshmet, personale e impersonale, ka kohë që ia kërkon këtë gjë), apo se në këtë mënyrë ai do të përligjte kritikat e opozitës. Tani, këto janë arsyetime që një kryeministër edhe mund t’i bëjë, por në rrethana të tilla nuk duket se ka shumë kuptim që të jetë kështu. Nëse ka një gjë që Rama nuk duhet ta bëjë është të shkojë në zgjedhje me këtë qeveri. Dhe të mos e gënjejë mendja se do të jenë mjaft dy-tri ndryshime, sa për të dhënë idenë e ndryshimit e sa për t’i hedhur hi syve opinionit publik. Shqiptarët, dhe Rama vetë është i pari që duhet ta dijë këtë gjë, kërkojnë një shkundje të fortë të qeverisë e të qeverisjes.

Do ta bëjë Rama këtë gjë? Si zor. Për ta thënë përmbledhtazi, Rama po shkon në zgjedhje edhe si arrogant, edhe si nacionalist, edhe si reformator, edhe me aleatë të pasigurt, edhe me një entouragengordhalaq, edhe si lojtar i zoti në diplomaci, edhe si i korruptuar, edhe me ekonominë si mos më keq”, shkruan Nano për “Mapo”.

Share: