Nga Azem Parllaku
“Oficeri ka në dorë të hedhë në luftë rininë e një Kombi”, kështu thotë Bonoparti. Më tej e qartësisht ka shkuar një nga ish-ushtarakët dhe politikanët më të suksesshëm të kohës sonë Kolin Pauell, i cili kur i referohet profesionit të ushtarakut sjell në vëmendje se; “Nuk ka profesion në të cilin përgjegjësia për jetën e vdekjen bie në supe kaq të njoma si në Ushtri, kësaj pjese të nderuar të Kombit, të asaj pjese të shoqërisë, që e përjeton idealin demokratik më përpara se çdo pjesë tjetër e saj”.
Është e drejtë të dakordohesh me atë çfarë kanë shprehur burrështetasit e cituar më lart, e për më tutje të reflektosh në realitetin tonë shqiptar.
Në këtë pikëshikim po sjellim në vëmendje vetëm harkun kohor të dy dekadave e gjysmë të fundit, me të vetmin qëllim, për të mos shikuar verbërisht, përkundër për të mbetur qartësisht në anën e të vërtetës.
Shqipëria e fundmit nga vendet e Europës, kaloi butësisht në demokraci, ashtu e varfër dhe me shpresë.
Në këtë periudhë të ndryshimit të madh, Forcat e Armatosura si instrument i Sigurisë Kombëtare, më së shumti u konsideruan njëlloj si klasa politike, fajtore të prapambetjes ekonomike dhe të izolimit me botën.
Kjo vinte për faktin se në emër të Sigurisë Kombëtare, ishin bërë shpenzime kolosale, shpenzime të cilat i faturoheshin Forcave të Armatosura, pasi në inventarin e tyre ishte i gjithë ai arsenal, që përfshinte armatimin, pronat ushtarake, deri dhe bunkerët këta të fundit tashmë quhen “breshka të shëmtuara”.
Në fakt nuk ishin aq fajtorë ushtarakët për këtë sipërmarrje në dëm të popullit të tyre, ata kurrsesi nuk vepruan pa patur klasën politike si udhërrëfyese.
Ushtarakët veçanërisht studentët ushtarakë të viteve 1990, mbetën promotorë në kërkesën më thelbësore, atë të departizimit të Forcave të Armatosura, me qëllimin e mospërdorjes së tyre për llogari të politikës. Ngjarjet në ish-Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, janë zbardhur dhe kanë nxjerrë në dritë tendencën e politikës për t’i përdorur studentët ushtarakë, por fatmirësisht këta të fundit nuk pranuan të jenë pjesë e atij skenari.
Ndërkohë politikëbërësit intensifikuan axhendën e tyre me Perëndimin, qëlloi shpesh dhe më shpesh, që homologët e tyre tërhiqnin vëmendje se “Pa integrim ushtarak nuk mund të ketë integrim në fushat tjera, pasi integrimi ushtarak është garanci”.
Sigurisht sot ushtarakët kanë të drejtë të jenë krenarë, pasi Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë anëtare të NATO-s, kësaj Aleance më garante të sigurisë dhe paqes në mbarë botën. Ndërsa si vend anëtar Shqipëria nuk ka mundur t’i faturojë 2%-in e prodhimit të brendshëm bruto, interesave të mbrojtjes, një shqetësim ky i cili po artikulohet edhe nga stafi i Presidentit të porsazgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Kur zonja Kodheli u vendos në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, mospërmbushjen e këtij kushti nga ana e Qeverisë, e lidhte me barrën e rëndë, që paraqitej si rrjedhojë e trajtimit të ish-ushtarakëve të pensionuar në emër të reformave. Edhe pse, Ministria e Mbrojtjes është çliruar nga kjo barrë, në planifikimin e buxhetit të vitit të ardhshëm Ministria e Mimi Kodhelit, shkon me ulje, thuajse në të gjithë zërat, teksa i reduktohen afro 2 miliardë lekë. E thënë më qartë për vitin e ardhshëm për Forcat e Armatosura do të ndahen më pak lekë, për administrimin, forcat e luftimit, arsimimin ushtarak dhe mbështetjen e luftimit.
Edhe pse në këto kushte, përsëri ushtarakët kanë mbetur pa një status të qartë, përpos kaq, statusi i ushtarakut është ndryshuar disa herë, për të mbetur ashtu amorf siç është aktualisht. Të konsideruar si “mall i lirë” ushtarakët nuk kanë mundur të vetanalizojnë, e as nuk kanë patur qasje për të bërë një analizë të qartë për shumë e shumë probleme, të cilat e për të cilat nuk janë fajtorë, e nuk ka pse të jenë përgjegjës ushtarakët.
Ende deri sot në Shqipëri nuk ka një analizë publike, kombëtare për ngjarjet e vitit 1997. Pavarësisht artikulimit të vazhdueshëm në media për Gërdecin e famshëm, ende nuk ka një analizë të qartë, por thjesht “fajtorë të uniformës së blertë” e pa asnjë faj të cilët thirren e stërthirren në gjykata, ndërkohë që fajtorë të vërtetë i kemi në Kuvend.
Gjatë gjithë kësaj periudhe Forcat e Armatosura në vazhdimësi i’u nënshtruan një transformimi rrënjësor në rrugën për t’u bërë anëtare të NATO-s.
Në këtë rrugëtim u dëshmua se Forcat e Armatosura kishin e kanë një korpus oficerësh të përgatitur dhe të edukuar për të bërë detyrën e shtetarit nën uniformë.
Edhe pse u bënë hapa të rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara, shpesh dhe më shpesh ishin ushtarakët ata të cilët në emër të “statusit” dilnin në rezervë, e fatkeqësisht në moshën më të mirë për të shërbyer.
Akoma më i dhimbshëm është fakti, kur një ushtarak i trajnuar në Perëndim viktimizohet po në emër të “statusit”.
Pothuaj çdo vit ndryshojnë rregullat të cilat përcaktojnë kriteret e trajnimit dhe karrierës së ushtarakut.
Diferencimi në pagë për funksione që relativisht kanë të njëjtën ngarkesë në punë, shpeshherë e ka demotivuar personelin. Nën drejtimin e Ministres Kodheli, nisi një gjueti që nuk ishte parë nga ku, dhjetra ushtarakë u emëruan në mospërputhjet gradë-funksion, shumë prej tyre u transferuan larg qendrave të banimit, dhe e gjitha kjo u bë për t’i demotivuar ata.
Me status të papërcaktuar ushtarakët nuk kanë mundësinë e të bërit problem të shqetësimeve që ata mund të kenë.
Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre. A nuk u veprua kështu me investimet tek ish-Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, investimet tek ish-hoteli i ushtarakëve në Tiranë, e sa e sa vendislokime të strukturës së Mbrojtjes. Askush nuk foli, mbasi nuk guxoi të diskutonte vendimarrjen politike, edhe pse jo e drejtë në këto raste.
Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit; Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre.
Në këtë hark kohor janë ripunuar rregullore, apo dhe ligji për autoritetet e komandimit e drejtimit, por ata ende mbeten jo qartësisht të shprehura për një ndarje të kompetencave, çka bën shumë herë të vazhdojnë reminishencat. Shpesh një drejtor civil në Ministrinë e Mbrojtjes merr kompetencën e drejtuesve të lartë ushtarakë, duke anashkaluar qëllimisht argumentin e këtyre të fundit. Funksioni i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm është lënë pa asnjë kopetencë, ndërkohë që kjo nuk ndodh në asnjërën nga ushtritë në Perëndim.
Ushtarakët janë pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare, të cilët shpesh në kushte të vështira ekonomike, madje deri në kufijtë e varfërisë, pa strehim, pa trashëgimi, pa mundësi pasurimi, pa pjesëmarrje në privatizimin kombëtar, arritën të qëndrojnë dinjitoz në detyrën e tyre, kurse politika dhe shteti sillet si njerku me ata.
Forcat e Armatosura janë pasuri kombëtare, ata disponojnë resurse njerëzore e materiale për të mbetur qartësisht në detyrën e tyre siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndaj duhen trajtuar si pasuri kombëtare.