Nga Entela Safeti KASI
Duke kënduar bukurin e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend.( Rita Petro)
Mëngjeset tona të zgjimit, në përditshmërinë e rënduar nga angështia, zhurma, dhuna në kufij të mbijetesës së egër të njerëzve, të lodhur, sfilitur, rënduar, ngarkuar me trastën e helmit, ushqyer me injorancë, frikë dhe mungesë lirie, duhet të na kthejnë tek pyetja :Përse ?
Përse u shndërruam në ca qenie të lodhura, të përgjumura, pa frymë, e me mish të kalbur, me tru të shpëlarë në kohën kur duhej të ishim bërë njerëz të lirë? Përse në vend që të ishim bërë krijues të lirisë, zgjodhëm të jemi shërbëtorë të skllavërisë, asaj mbytëses që rrëzon në greminë jo vetëm jetën tonë që ikën, por thelbin, qenien , frymën, peshën e së cilës nuk mundemi ta përmbajmë, ne të lindurit me të, dhunuesit dhe shkatërruesit e saj idiotë!
Libri në kujtesën e botës, në kujtesën e përbotshme të njerëzimit, i shkruar mijëra vite larg nesh, i gdhendur në gur, në pllaka balte të pjekur, në lëkurë kafshe të prerë në fyt, në indin e drurit më vonë, në letrën që kemi prekur dhe vazhdojmë ta prekim duke i ndjerë aromën që ia kemi harruar, tashmë në galaksi fluide qelizash teknologjike, pra libri ai që mbushte bibliotekat tona si pasuri, tashmë antikuar në botën e relikteve hyn tek shtëpitë e një numri të pakët njerëzish, e më së shumti atje tek ato të rrallat, të studiuesve të librave, të cilat do të mbeten ashtu deri sa të kenë frymë të zotët, mjeshtrit, e pastaj me këtë kulturën tonë që po ndërtojmë në sistem, për shkak të kësaj dhunës të sipërfaqësores, formës pa përmbajtje, në një kohë tjetër kur të kemi ndërtuar turmën e të paditurve, injorantëve, turmën e dhunshme prej individësh të përciptë, kokë bosh, trushkulur, pa frymë, pa lëndë, pa art, krejt botën tonë do e kemi hedhur në turrën e drurëve, pikërisht ne të sotmit,duke lejuar që kjo të ndodhë, ne që me pafuqinë tonë, po i shtrojmë rrugën asgjësimit të lirisë, asgjësimit të parimeve të humanitetit….
Këto ditë të stinës pa stinë, kur natyra është kthyer kundër njeriut, në një cep të Ballkanit jugperëndimor, në një cep të Evropës, mes motit të rënduar me paqëndrueshmëri rrymash, hyjnë e dalin njerëz, në ‘ekspozitën e librit’. Preferoj të shkruaj ekspozitë, dhe jo panair, panairi më krijon një kuptim jo të bukur, më lidh me diçka komerciale, të përciptë një lloj tregtie apo trusti, më kthen tek Bertold Breht, tek kujtesa e trustit të lulelakrës, tek Arturo UI….
Për të qenë e sinqertë, ndërsa sinqeriteti është vrastar, të kthehet si kamë mbi kokën tënde, apo si thikë në qafën tënde të hollë, gjithë ato që na marrin frymën, kultura e sipërfaqësores, formës pa përmbajtje pa lëndë, dhuna e zhurmës vrasëse për veshë delikatë, prozhektorë dritash të rrejshme, që eklipsojnë mendimet, ca dhjetëra kamera televizionesh ngultas në fytyra publike, njerëzish që vijnë nga politika, nga ajo politika 25 vjeçare, dhe personazhe mediatikë të neveritshëm, me pispillosjen, krehjen, ngrefjen, që në rrugën hyrëse, me idiotësinë e tyre pengojnë rrugën për ata njerëzit e rrallë, lexuesit, të cilët me gjithë varfërinë ekonomike kanë mbajtur veçmas ndonjë monedhë për të pasur një libër, një libër të vërtetë nga ai që duhej të ishte salloni i madh i librit, dhe jo ky me të cilin pengohen, ‘ Panairi i kotësive’ të politikanëve që bëjnë gjëma për të qenë shkrimtarë, dhe njerëzve të ekraneve që çfarë nuk shpikin për të qenë ata atje në qendër të librit, duke krijuar një trafik kaotik për njerëzit e vërtetë të librit….
Gjithë kjo pamje, gati sureale, e denjë për një film tipik shqiptar, pasi tashmë jemi mësuar të habisim botën me idiotësinë tonë elitare, e cila na vret sytë, është pamja e konfiguruar në të vërtetën që e njeh, e dallon, e di secili prej nesh, por që shumëkush prej nesh mbyll sytë, veshët, për të mos u ndotur, dhe dikush tepër i rrallë prej nesh, hap sytë, veshët, dhe çel gojën për ta thënë; e gjitha kjo është një maskaradë vrastare, e hidhur, e pisët, sepse ndonjëri prej atyre atje ‘lart’ – manipulon gjithçka këtu poshtë. Këtu poshtë ku ecim, përplasim, pengohemi, helmohemi të gjithë, përveç atyre që nuk kanë me çka të helmohen e përplasen pasi kanë më shumë se një çerek shekulli që kanë helmuar dhe përplasur shoqërinë shqiptare, shqiptarët, në kaosin e ndërtuar enkas për një shoqëri të aksidentuar…..
Sot askujt asgjë nuk i dhemb. Sot të flasësh e të shkruash ashtu si është e vërteta të gjithë ata deformuesit e parimeve bazë, lirisë dhe humanitetit, të lëshojnë meduza sall mbi kokën tënde, dhe ata të paprekshmit manipulatorët, ata që kanë marrë peng lirinë e fjalës, të drejtën bazë të humanëve, të dërgojnë aty ku ti njeri as mund ta përfytyrosh në ‘pavionin e çmendurive’, dhe nëse ti shkrimtari- njeri, ke frymë, kokë, tru, gjuhë, mendim dhe art, të gjithë ata poshtë shërbëtorët e piramidës së kaosit, do të shkruajnë parulla, fletërrufe, me të cilat mbushen gazetat dhe ekranet e lodhura;;;;;…..ndërsa ai, shkrimtari, krijuesi i vërtetë i letërsisë, artit, mendimit, tërhiqet si murgu në tempullin e letërsisë, duke shkruar gjithçka që ka përthithur shqisa me të cilën prej Zotit, është krijuar ndryshe…..
Në të tillë mjedis tipik shqiptar, ballkanas, me stinë pa stinë, të ftohtë të ngrirë, zgjedh të lexoj dhe rilexoj, këndoj, poezinë : Kënga e Turmës , nga Rita Petro, prej librit të saj me poezi të shkruara ndër vite, të përmbledhura në një libër të vetëm, me ca ngjyra të tokës, dhe nuancën e dritës, diçka e kadifenjtë e butë, që mban aromën e librit në letrën ku janë shkruar fjalët…..
RITA PETRO
Kënga e turmës
Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova ty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
Manipulatorët.
Këndova në reshtin e parë,
Por ti më vure para.
Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë,erëhashash kundërmon,
Je ndejllëse, gojëpisët , e marrë , budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.
Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurin e frikës nga kati
Kundër frikës që na mban mbërthyer ne vend…