Nga Capajev Gjokutaj
Spikeri i Top Channel thotë se Kukësi, megjithëse një qytet në braktisje, synon të dalë kampion në futboll.
Kaq mjafton që në tavolinë të nisë diskutimi. Jo për futbollin, por për Kukësin dhe Rrugën e Kombit. Po sjell argumentet e palëve, shkurt:
– Rrugët sjellin zhvillim. Po Rruga e Kombit nuk zhvilloi as Kukësin dhe as zonën veri-lindore. Në fakt ky ishte dhe një nga objektivat për të përligjur atë investim gjigant.
– Ky ishte objektiv dytësor, kryesori ishte të lidhej kombi, të qarkullonin lirisht njerëzit dhe mallrat në të dy anët e kufirit. Dhe ky objektiv është realizuar.
– Njerëz edhe qarkullojnë, veçanërisht fundjavave të verës. Po mallra fare pak. Pastaj në vjeshtë, dimër e pranverë edhe veturat janë fare pak. Për këtë vëllim qarkullimi mjaftonte edhe një rrugë me dy korsi.
– Kombi është gjë e madhe. Ka dhe do të ketë më shumë nevoja. Në mos sot nesër do shtohet edhe qarkullimi. Ç’të keqe ka që rruga është gati?
– E keqja mund të të duket e vogël, por borxhi që na la ky investim faraonik ndikon për keq zhvillimin, rritjen ekonomike.
– Të gjitha kombet kanë investuar dhe sakrifikuar për të ardhmen.
– A nuk do të qe më mirë që rruga të ishte vetëm me dy korsi dhe, me fondet e kursyera të qe ndërtuar një autostradë në bregdetin e Jugut?
– Aha, nxorre kokë! Pse veriorët dhe jo jugorët? Po fol se na lodhe!
– S’e kam për krahina, por për kombin. Mbase do të bëhej më i fortë dhe më i sigurt sikur bregdeti të kishte infrastrukturë moderne dhe turizmi ynë të konkurronte me Greqinë dhe Kroacinë.
PS: Nuk e di në fiton apo s’ fiton kombi nga diskutime të tilla ????, por ne kaluam një copë herë dhe, më e rëndësishmja, sikur harruam të ftohtin. Eh…