Policia ka arrestuar një punonjës të Gardës së Republikës, pasi ka përndjekur për një periudhë prej 5 muajsh një vajzë të re.
Sipas njoftimit thuhet se sot në orën 16:30, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Komisariatit nr.1, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, me detyrë trup shërbimi, N/oficer Leard Xhika, për veprën penale të “Përndjekjes” parashikuar nga neni 121/a të Kodit Penal.
Arrestimi u bë pasi shtetasja me iniciale E.L. është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.1 Tiranë dhe në prani të specialistëve të SH.Ç.B.A Tiranë ka kallëzuar se punonjësi i Gardës së Republikës Xhika, në vijimësi, për një periudhë 5-mujore, e ka përndjekur duke i kërkuar me insistim që ata të krijonin një lidhje intime.
Përndjekjen e kësaj shtetaseje, punonjësi i Gardës e ka kryer duke i bërë presion me anë të telefonit si edhe duke e kontaktuar fizikisht atë në vendet e frekuentuara prej saj, si në punë, afër banesës dhe ambiente të tjera publike.