Home KRYESORE Artur Zheji: Meta apo Basha, janë kundërshtarët politikë të Ramës?

Artur Zheji: Meta apo Basha, janë kundërshtarët politikë të Ramës?

Nga Artur Zheji

Është një situatë shumë “interesante” sot, në politikën shqiptare. Miqtë dhe kundërshtarët politikë mbeten të papërcaktuar deri në fund dhe kjo është një e vërtetë për të gjitha palët. Për LSI apo PS, për PD apo PDIU. Situatë pra kjo, që në politologji, mbiquhet një “gjëndje fluide” e elitave politike të një vendi.

Pikërisht dje ndodhën, në vende të ndryshme dhe kohëra të ndryshme dy situata politike, të cilat ilustrojnë më së miri, këtë fluiditet, ku nuk ka as kufinj llogjikë, as kufinj moralë dhe as qartësinë më të vogël taktike.

Në Kuvend, Petrit Vasili, në cilësinë e kryetarit të Grupit parlamentar të LSI, paraqiti një amendament, që godiste vendimin e qeverisë Rama, për ti dhënë koncesione të reja, zonjës rozë të Ps, Vilma Nushit, për ti bërë ajo, pothuajse të gjitha analizat laboratorike të spitaleve shtetërore, por drëng në dorë, me lekët e shtetit. Qindra laborantë në sistemin shëndetësor, janë ngritur prej javësh në këmbë, sepse druhen të humbasin vendin e punës. Një kauzë kjo e vlefshme për Opozitën. Një këmbanë alarmante kjo, për Vasilin, që është edhe mjek në profesion, gjë që solli edhe amendamentin, që e rrëzontë në Kuvend, këtë Koncesion tjetër klientelist të qeverisë Rama-Meta dhe mbronte vëndet e punës të laborantëve të shtetit.

Cfarë bëri PD? Braktisi sallën nuk dihet pse, duke lënë përplasjen e vetmuar të votave të Lsi me ato të Ps dhe deputetët socialistë votuan pro, koncesionit klientelist, me një diferencë të kufizuar votash. E pra, nëse Pd dhe deputetët e saj do të ishin me votat e tyre “kundër”, në sallë të Kuvendit, koncesioni do të kishte thyer qafën.

PD do të këndonte një këngë modeste fitoreje, Tit Vasili do të dilte fjalëmbajtur të laborantët dhe Rama do të mendohej dy herë, para se të çonte në Kuvend, koncesione apo projekt konçesione të tilla. Mirëpo grupi parlamentar i PD, në mënyrë të pakuptimtë, zgjodhi kafen, përkundrejt votës kundra, që do të rrëzonte Ligjin në fjalë.

Po dje, në studion televizive të Opinion, ku analizohej një deklaratë e qartë e ambasadorit Lu, ndaj Qeverisë dhe Policisë, për “cështjen Balili”, grupi i debatuesve të majtë dhe dyshja e paparë Ngjela-Balla, zgjodhën si vijë mbrojtjeje, adresimin te Ilir Meta, të moskapjes së trafikantit të pakapshëm.

Ngjela, tashmë këshilltar aktiv dhe i personalizuar i Ramës, njihet për mllefin e madh ndaj Metës, mllef ky i pafshehur, që në krijimin e qeverisë Rama-Meta, për arësye që është më mirë të mos i themi.

Balla, debatuesi më luftarak ramist i kohëve të fundit, kundër Blushit, kundër Berishës, kundër portaleve dhe kujtdo që nuk pranon pushtetin suprem të kryeshefit të vet, la në debat në rrjedhje të lirë shumë akuza të rënda për aleatin Meta, nga aleati i vet në panel dhe jo vetëm, Spartak Ngjela. Duke stigmatizuar situatën me shprehjen se “Balili nuk është i joni… por…”. Në ndërkohë duke marrë rreptësisht në mbrojtje Gjush Dakon, si rekomandues kryesor për lirimin e Lul Berishës nga burgu, sipas parimit se Vangjushi është i yni dhe sepse është i yni, Vangjushi nuk bën gabime, por rehabilitime.

Dhe pra, duke deformuar krejtësisht deklaratën e ambasadorit Lu, që denoncoi hapur këtë lirim të habitshëm nga burgu si edhe “për mosseriozitetin e qeverisë” apo situatën e 200 policëve që nuk kapnin dot 1 person të vetëm, Balilin.

Përtej kësaj, dukshëm situata qartësohet se teza që: “Reformat dhe luftën kundër krimit apo të keqes e bën vetëm Ps” dhe se “pengesat për reformat, qofshin këto edhe koncesione qindra miliona eurshe të qeverisë, për klientët e vet, i bën vetëm Lsi”, është sot dhe do të jetë më e fortë edhe nesër, teza kryesore në kolaudim, që Rama po bën provat gjenerale të hedhë në lojën e ardhshme zgjedhore.

E pra, ngelet gjithmonë e më e pakuptueshme nëse energjitë elektorale të kryeministrit, në fushatën që ka filluar, do të drejtohen kundër Metës apo kundër Pd?

Apo ndoshta kemi të bëjmë me një hakmarrje episodike, për bllokimin nga LSI, të Ligjit famëkeq të Plehrave, që e nxorri Ramën në një sfond krejt të shëmtuar?

Apo, është kjo një strategji vetëmbrojtjeje, ndaj vëmendjes gjithmonë e më të madhe të ambasadorit amerikan, ndaj trafikut të drogës apo ndaj “trupës paraushtarake të të Fortëve”, që kryeministri po organizon rreth vetes me shumë shpejtësi dhe në dritën e diellit?

Nëse vazhdohet kështu, zgjedhjet e vitit 2017, parashikohen jo vetëm të parregullta që në pikënisje, por nuk përjashtohet të jenë edhe të përgjakshme, në zonat rurale dhe periferike të Shqipërisë, ku të Fortët do të jenë në veprim elektoral.

Share: