Home KRYESORE Çfarë do të ndodhë tashmë me Vettingun?

Çfarë do të ndodhë tashmë me Vettingun?

Ligji i Veting-ut nis nga zbatimi menjëherë pasi të publikohet në fletoren zyrtare vendimi i zbardhur i Kushtetueses. Ndërkohë, në Tiranë do të mbërrijë misioni ndërkombëtar i monitorimit, i përbërë nga gjyqtarë të huaj me përvoje mbi 15-vjeçare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë që do të mbikëqyrin procesin e rivlerësimit të njerëzve të drejtësisë udhëhiqen nga Komisioni Europian. Por të parët që do t’i nënshtrohen rivlerësimit, apo Veting-ut, me procedurë të përshpejtuar do të jenë anëtarët e Gjykatës së Lartë, prokurori i përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, paralelisht presidenti duhet të shpallë thirrjen publike për aplikantët që kanë interes që të jenë pjesë e institucioneve të rivlerësimit. Kushdo që përmbush kriteret ka 15 ditë kohë që të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar.

Pas marrjes së kësaj liste dhe nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve, më tej kompetencat i kalojnë Kuvendit, që duhet të ngrejë një komision ad hoc. Ai ka për detyrë t’i kalojë kryetarit të Kuvendit të dhënat përfundimtare që duhet të votojë më pas me 3 të pestat për dy institucionet që do të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri.

Komisioni i rivlerësimit dhe Kolegji i Apelit janë dy institucionet kyçe që do të rivlerësojnë pasuritë dhe figurën e gjyqtarëve, ndërsa aftësitë e tyre profesionale do të këqyren nga Shkolla e Magjistraturës.

Por nga ana tjetër, njëkohësisht me nisjen e zbatimit të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve kanë edhe 10 ditë afat për të plotësuar formularët dhe për t’i dorëzuar pranë inspektoratit për pasuritë e tyre dhe për pastërtinë e figurës pranë DSIK.

Të gjithë ata që nuk i depozitojnë formularët brenda këtij afati nuk do t’i nënshtrohen skanimit të Veting-ut, siç edhe ata që do të paraqesin gjatë kësaj kohe dorëheqjen pranë presidentit.

Parashikohet që të ketë një numër të konsiderueshëm të njerëzve të drejtësisë të cilët do të dorëzohen para Vetingut për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe të kontakteve të tyre të dyshimta.

Share: