Agjencia amerikane e inteligjencës e njohur si CIA ka konkluduar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta ndihmuar kandidatin e Republikanëve, Donald Trump, që të zgjedhet President, shkruan gazeta amerikane Washington Post.
Duke cituar zyrtarë të SHBA-ve të informuar për këtë çështje, The Post shkruan se agjencitë e inteligjencës kanë identifikuar individë që kanë lidhje me qeverinë ruse, të cilët kanë hakuar mesazhet elektronike (email-a) të kampit Demokrat dhe madje edhe mesazhet nga Konventa Nacionale e Demokratëve, përfshirë edhe udhëheqësin e kampanjës presidenciale të Hillary Clinton, dhe këto mesazhe ia kanë dhënë WikiLeaks-it.
Zyrtarët e cituar i kanë përshkruar këta persona si të njohur për komunitetin e shërbimeve të inteligjencës, dhe ata kanë qenë pjesë e operacionit të gjerë rus për ta ndihmuar Trump-in dhe zvogëluar shanset e Clinton për të fituar zgjedhjet.
“Është vlerësim i komunitetit të inteligjencës që qëllimi i Rusisë këtu ishte të favorizonte një kandidat përkundrejt tjetrit – të ndihmohet Trump të zgjedhet”, citon gazeta zyrtarë të lartë të SHBA-ve, duke vazhduar citimin se “kemi një konsensus në këtë pikëpamje”.
Washington Post shkruan se këta zyrtarë janë njoftuar me këto informacione nga një prezantim që u ka bërë vet CIA disa senatorëve të rëndësishëm amerikanë prapa dyerve të mbyllura.
CIA, ka treguar se ky është një vlerësim i bërë nga mbledhja e fakteve nga burime të shumta.
CIA, po ashtu u ka thënë senatorëve se tani “është bukur e qartë”, se zgjedhja e Trump-it ishte qëllimi i Rusisë, shkruan Washtington Post, duke cituar zyrtarët amerikanë në kushte anonimiteti.
Në tetor qeveria e SHBA-ve zyrtarisht kishte akuzuar Rusinë për një kampanjë të sulmeve kibernetike kundër Partisë Demokratike para zgjedhjeve të tetë nëntorit.
Presidenti, Barack Obama, ka thënë se ai kishte paralajmëruar Presidentin rus, Vladimir Putin, rreth pasojave për sulmet. Por, zyrtarët rusë kanë mohuar akuzat për interferime në zgjedhjet në SHBA.
Ndërsa vet CIA nuk ka komentuar artikullin e Washington Post, njofton Klan Kosova.
Kurse Trump ka thënë se ai nuk është i bindur se Rusia qëndron pas sulmeve kompjuterike.
Agjencitë e inteligjencës amerikane nuk kanë treguar ende fakte specifike se a ka qenë direkt Kremlini që ka drejtuar individët e caktuar për të hakuar e-mail-at dhe më pas për t’ia dhënë ato WikiLeaks-it, shkruan Post.
Sipas burimeve të gazetës amerikane “hakerët janë nje hap larg qeverisë ruse, jo tamam punëtor të qeverisë”.
Por, edhe themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, kishte thënë në një intervistë në televizion se nuk ka qenë qeveria ruse burimi i e-mail-ave të publikuar në faqen e tij./lapsi.al