Home KRYESORE Gruevskit sherr me ambasadorët e BE dhe SHBA: Mos ndërhyni në punët...

Gruevskit sherr me ambasadorët e BE dhe SHBA: Mos ndërhyni në punët tona!

VMRO-DPMNE pas takimi të së premtes me ambasadorin amerikan, Xhes Bejli dhe ambasadorit të BE-së, Samuel Zhbogar ka përdorur gjuhë jodiplomatike në komunikimin me publikun.

Siç shihet nga komunikatat e shtypit Gruevski ka përdorur një ton të pazakonshëm dhe gjuhë të ashpër ndaj ambasadorëve, të cilët takimet i zhvilluan pas protestave të organizuara nga VMRO-DPMNE para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kur shqyrtoheshin ankesat e LSDM-së.

VMRO-DPMNE ka bërë publike komunikatën në pika të shkurtra:

Bejli: Cilat janë planet e VMRO- DPMNE-së për koalicion?

VMRO DPMNE: Planet varen nga partitë e tjera, të cilat po ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm!

Bejli: Cilët janë këta faktorë të jashtëm?

VMRO DPMNE: Nuk jemi të autorizuar të tregojmë!

Bejli: Mund t’ju ndihmojmë në këtë drejtim!

VMRO DPMNE: Puna juaj është vetëm të ndiqni situatën dhe t’i raportoni shtetit tuaj!

Bejli: Ne ju kemi ndihmuar deri tani!

VMRO DPMNE: Për ndihmën e deritanishme, faleminderit!

Bejli: SHBA është mike e Maqedonisë, por disa anëtarë të partisë suaj nuk ndajnë të njëjtin qëndrim!

VMRO: Nuk ka dilema rreth anëtarësimit në NATO e BE dhe miqësisë me SHBA-në, por kjo nuk do të thotë se disa individë, partia apo shteti nuk mund të shprehin mos pajtueshmëri me disa hapa që individë të caktuar që përfaqësojnë SHBA-në kanë ndërmarrë këto kohë.

Përveç dialogut i cili në nëntektin e tij shfaq mospajtimet mes Gruevskit dhe ambasadorit Bejli i cili është zbuluar, në VMRO- DPMNE ka zhvilluar takime edhe ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar. Edhe pse VMRO-DPMNE duket se është shprehur me një ton më të butë ndaj evropianëve.

Zhbogar: Jam i shqetësuar për fjalorin e përdorur në protestat e fundit!

VMRO DPMNE: U bënë 2 vjet protesta të opozitës, u thyen zyrat e Presidentit, prona shtetërore dhe Brukseli e komuniteti ndërkombëtar nuk thanë një fjalë për to!

Zhbogar: Si do të shkojë situata me protestat?

VMRO DPMNE: Nuk mund të parashikojmë pasi numri i qytetarëve të irituar është i madh dhe revolta nuk do të kontrollohet plotësisht nëse institucionet nuk punojnë në bazë të ligjit.

Në VMRO- DPMNE ka qenë edhe ambasadori i Norvegjisë Arn Sanes Bjornshtad i cili ka marrë të njëjtën përgjigje të ashpër nga VMRO-DPMNE-ja, se në dy vitet e fundit në Maqedoni, përfaqësues të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare janë përzier në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të shtetit, deri edhe ato ndërpartiake.

Sipas VMRO-DPMNE-së kjo praktikë ka qenë e nxitur më shumë, edhe në periudhën parazgjedhore dhe atë zgjedhore, praktikë kjo e cila do të marrë fund!

Share: