Home KRYESORE Ish- presidentët tani me privilegje

Ish- presidentët tani me privilegje

Ish­-presidenti Sali Berisha do të përfitojë, me një ligj të veçantë, privilegje dhe favore me paratë e qytetarëve shqiptarë. Zbardhet projektligji i hartuar për institucionin e Presidentit, ku në kapitullin e fundit, parashikon të gjitha privilegjet për ish­-presidentët e Shqipërisë.

Sipas ligjit, ish­presidentët, përfshirë Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Alfred Moisun dhe Bamir Topin, përfitojnë banesë, roje personale, staf mbështetës, ambiente zyre, tituj të përjetshëm etj. Nga ligji do të përftojnë edhe familjarët e presidentit dhe ish­presidentëve.

Konkretit, projektligji parashikon që, personi i cili ka shërbyer si President i Republikës do të mbajë titullin e Presidentit të Republikës përjetë, përveç raste kur gjykata vendos heqjen e titullit shkruan shqiptarja.com. Po ashtu, Presidentit i cili ka përfunduar mandatin e tij, i sigurohet një sipërfaqe për banim, pa pagesë.

Ligji i ri parashikon gjithashtu që Presidentëve u sigurohet mbrojtje personale nga Departamenti i Personaliteteve, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për rendin publik. Ish­presidentët, sipas ligjit të ri, do të përfitojnë zyra dhe staf. “Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, përveç rastit të shkarkimit, ka të drejtë: (i) për ambient zyre deri në 100 m2 për kryerjen e aktivitetit të Tij; (ii) staf mbështetës të përbërë nga të paktën dy persona, dhe të drejtën e shfrytëzimit të makinës zyrtare dhe shoferit.

Personat ndihmës të drejtat për marrëdhënie pune i realizojnë me institucionin e Presidentit të Republikës, ndërsa emërohen dhe shkarkohen nga Sekretari i Përgjithshëm, me propozim të ish kreut të shtetit, të cilit i ka mbaruar mandati. Shpenzimet për shfrytëzimin e makinës zyrtare përballohen nga buxheti i Presidentit të Republikës në detyrë”, thuhet në ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në kundër të Reformës në Drejtësi.

Neni 64 i ligjit të ri parashikon gjithashtu se, pas mbarimit të funksionit, Presidenti i Republikës dhe anëtarët e tjerë të familjes ruajnë privilegjet dhe pasaportat diplomatike. Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, ka të drejtë për shpenzimet materiale për nevojat e realizimit të aktiviteteve të tij. Këto shpenzime sigurohen nga buxheti i shtetit, në përputhje me procedurën e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

“Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës pas mbarimit të mandatit, pensionin e përcaktuar në këtë ligj, të zvogëluar në masën 50%, e gëzojnë bashkëshortja e tij dhe fëmijët e mitur, deri në mbarimin e shkollimit të rregullt, respektivisht deri në moshën 25 vjeçare”, thuhet në ligj.

Presidentit të Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, përveç rastit të shkarkimit, në rast sëmundje, shpenzimet mjekësore të tij dhe të familjes i mbulohen nga buxheti i shtetit. Në rast të vdekjes së Presidentit të Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, ceremonia mortore kryhet me nderime shtetërore dhe shpenzimet e shtetit, nëse nuk ka shprehur dëshirë tjetër.

Po ashtu, Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, merr pjesë në ceremonitë zyrtare duke zënë vend pas Presidentit të Republikës në detyrë, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe pas Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ligji parashikon gjithashtu Presidenti i Republikës pas mbarimit të funksionit, mund të përfitojë shpërblime të tjera nga shteti, por shuma e tyre nuk mund të kalojë shumën e pagës së Presidentit në detyrë.

Share: