Home KRYESORE Kremlini dhe zgjedhjet amerikane

Kremlini dhe zgjedhjet amerikane

Nga Joseph S. Nye, Jr, Project Syndicate | Kembrixh

Në fillim të nëntorit, presidenti i SHBA-së Barack Obama raportohet se kontaktoi presidentin e Rusisë Vladimir Putin personalisht për ta paralajmëruar për sulmet kibernetike që shënjestruan zgjedhjet presidenciale amerikane. Para kësaj telefonate, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare James Clapper dhe Jeh Johnson, Sekretar për Sigurinë e Brendshme, akuzuan publikisht zyrtarët më të lartë të Rusisë se kanë përdorur sulmet kibernetike për të “ndërhyrë në procesin elektoral amerikan.”

Menjëherë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit, nuk ka pasur prova të qarta se sulmi kibernetik ka ndërhyrë në makineritë e votimit apo në makineritë e tjera zgjedhore. Por në një palë zgjedhje ku 100 mijë votues në tri shtete kyçe ndërruan krah, disa vëzhgues argumentojnë se ndërhyrja kibernetike ruse në procesin elektoral mund të ketë pasur ndikim të rëndësishëm.

A mundet që një sjellje e tillë ruse të parandalohet në të ardhmen? Parandalimi varet gjithmonë nga fakti se kë apo çfarë dëshiron të parandalosh.

Ironikisht, parandalimi i shteteve nga përdorimi i forcës mund të jetë më e lehtë se sa parandalimi i tyre nga veprime që nuk janë në nivelin e forcës. Kërcënimi i një sulmi surprizë të llohit “Pearl Harbor kibernetik” ndoshta është ekzagjeruar. Infrastrukturat me rëndësi kritike të tilla si elektriciteti apo komunikimi janë të dobëta, por aktorët e mëdhenj shtetërorë ka gjasa do të përmbahen nga ndërvarësia botërore. Dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë të qartë se parandalimi nuk kufizohet vetëm te shpagimi (megjithëse edhe kjo është e mundshme), por mund të shënjestrojë edhe sektorë të tjerë me çfarëdolloj mjeti që do të zgjedhë, duke filluar nga denoncimi publik dhe turpërimi te sanksionet ekonomike apo te armët bërthamore.

SHBA dhe të tjerët, përfshirë Rusinë, kanë rënë dakord se ligjet e konfliktit të armatosur janë të vlefshme edhe në hapësirën kibernetike. Por nëse një operacion kibernetik konsiderohet si një sulm i armatosur, kjo varet më së shumti nga pasojat se sa nga instrumentet e përdorura. Pasojat duhet të jenë të tilla si shkatërrim prone, lëndim apo vdekje.

Po si i bëhet për të parandaluar operacione që nuk janë ekuivalent i një sulmi të armatosur? Ka zona gri në të cilat objektiva të rëndësishme (për shembull, procesi politik i lirë) nuk janë strategjikisht të rëndësishme njësoj si rrjetet elektrike apo sistemet financiare. Shkatërrimi i këtyre të fundit mund të dëmtojë jetë dhe prona; por ndërhyrja në zgjedhje kërcënon vlera politike të shenjta.

Në vitin 2015, një Grup Ekspertësh Qeveritarë të Kombeve të Bashkuara (përfshirë SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe shumicën e shteteve me mundësi të konsiderueshme kibernetike) , ranë dakord me një normë që thotë se mjetet civile nuk duhet të shënjestrohen në kohë paqeje. Kjo marrëveshje u mbështet nga vendet e G20 në samitin e tyre në zhvilluar në Turqi në nëntor 2015. Kur një sulm kibernetik anonim ndërhyri në rrjetin elektrik të Ukrainës një muaj pas këtij takimi, disa analistë dyshuan se qeveria e Rusisë po përdorte armë kibernetike në luftën e vet hibride kundër Ukrainës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Rusia ka dhunuar marrëveshjen menjëherë sapo e ka firmosur atë.

Por si mundet të interpretohet sjellja e Rusisë në lidhje me zgjedhjet amerikane? Sipas zyrtarëve amerikanë, agjencitë sekrete të Rusisë sulmuan dhe infiltruan llogaritë email të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike dhe i dhanë këto materjale organizatës ËikiLeaks për të ndikuar në ecurinë e fushatës, rrjedhimisht duke siguruar një fluks të vazhdueshëm lajmesh të pafavorshme për Hillary Clinton.

Kjo ndërhyrje e dyshuar e Rusisë mbi fushatën presidenciale të demokratëve ka në fushën gri dhe mund të interpretohet si përgjigje propagandistike ndaj proklamimit të Clinton të vitit 2010 “axhenda e lirisë” për Internetin ose një hakmarrje për atë që zyrtarët rusë e panë si komente kritike prej saj për zgjedhjet e vitit 2012 të Putinit. Cilido qoftë motivi, ajo dukej se qe një përpjekje për të shtrembëruar procesin politik të SHBA-së – ekzaktësisht ai kërcënim jovrasës politik që është mirë të parandalohet në të ardhmen.

Administrata e Obamës ka bërë më herët përpjekje për të krijuar një shkallë mbi seriozitetin e sulmeve kibernetike, por nuk ia kanë dalë të saktësojnë ambiguitetin e këtyre fushave gri. Më 2016, Obama u përball me zgjedhjen e vështirë në vlerësimin e potencialit përshkallëzues të përgjigjeve me masa kibernetike apo me përgjigje me mjete të tjera si sanksionet. Administrata nuk dëshironte të ndërmerrte hapa të cilat, në vetvete mund të dëmtojnë zgjedhjet. Kështu, tetë ditë para votimit, SHBA i dërgoi Rusisë një paralajmërim mbi ndërhyrjet në zgjedhje përmes një linje të nxehtë – të krijuar tri vjet më parë për të trajtuar incidentet më serioze kibernetike – lidhje mes Qendrave të Reduktimit të Rrezikut Bërthamor në të dyja vendet.

Për shkak se aktiviteti sulmues në hapësirën kibernetike nga ana e Rusisë dukej se qe ngadalësuar apo ndaluar, administrata Obama argumentoi se paralajmërimi është një ushtrim i suksesshëm në parandalim. Por disa kritikë thonë se rusët sakaq e patën arritur objektivin e tyre.

Tri javë pas zgjedhjeve, administrata tha se ajo vijonte të kishte besim se integriteti tërësor i infrastrukturës zgjedhore në Amerikë qe i paprekur dhe se zgjedhjet qenë të lira dhe të ndershme nga pikëpamja e sigurisë kibernetike. Por zyrtarë të shërbimeve sekrete vijojnë të hetojnë ndikimin e fushatës më të gjerë të luftës informative të Rusisë, në të cilën lajme false mbi Clinton duket se kishin për synim të ndikonin votuesit. Shumë nga këto raporte false kishin për origjinë RT Neës dhe Sputnik, dy media të financuara nga shteti rus. A duhet të trajtohet kjo si propagandë tradicionale apo si diçka e re?

Një numër kritikësh besojnë se niveli i përfshirjes zyrtare të shtetit rus në procesin zgjedhor të vitit 2016 në SHBA kapërceu një vijë të ndaluar dhe nuk duhet të shihet thjeshtë si një formë e sjelljes në pjesën gri, por gjithsesi e tolerueshme. Ata propozojnë vendosjen e sanksioneve financiare dhe në udhëtime kundër zyrtarëve të lartë rusë që indentifikohen si përgjegjës. Zyrtarë të tjerë të SHBA-së, gjithsesi, ngurrojnë të vënë në rrezik burimet e shërbimeve informative të përdorura për identifikim ndërsa janë të frikësuar nga rreziku i përshkallëzimit.

Përfshirja e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 qe një pikë kthese. Ndërsa zgjedhje të rëndësishme po vijnë në disa demokraci perëndimore, analistët do të shohin nga afër se çfarë leksionesh ka nxjerrë Kremlini nga kjo situatë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Kremlin and the US Election

Share: