Gjermania nuk kërkon rikapitalizim të bankave nga shteti. Nuk duhet të paguajnë taksapaguesit. Fjala t’i lihet tregut.
Katër ditët më të gjata për historinë bankare italiane nisin sot në orën 9 të mëngjesit, me nisjen e rritjes së kapitalit, aq të shumpëritur, për bankën Monte dei Paski di Siena, bankën më të vjetër në botë, e cila prej vitesh është në prag të falimentimit. Për ofertën publike prej 5 miliard Eurosh, kushtuar 30% aksionistëve dhe 5% publikut, afati skadon të mërkurën në orën 14, ndërkohë që do të jenë në dispozicion edhe 24 orë shtesë për përmbylljen e derdhjes për institucionin (65% i mbetur).
Rrezikon që ky operacion i bankës për konvertimin e bonove dhe për shtimin e kapitalit të dështojë, siç nuk e fshehin drejtuesit dhe ministria e thesarit. E gjithë kjo çështje po shkakton polemika në Evropë. Në Bruksel, janë të paktë ata që mbështesin ndërhyrjen e shtetit. Në Berlin duken hapur armiqësorë ndaj idesë. Fakti që Italia është edhe e dobët politikisht, nuk ndihmon.
Kristof Shmidi, një nga 5 këshilltarët e afërt të kancelares, nuk ka përdorur gjuhë të dykuptimtë kur thotë se shpëtimi i bankës duhet të ndodhë sipas rregullave të pranuara nga gjithë Evropa. Nëse Italia nuk respekton rregullat në provën e parë të madhe që i del përpara, atëherë bashkimi bankar nuk është i besueshëm.
Kështu pra, janë 4 ditë për të luajtur gjithçka që shteti të mos ndërhyjë. Banka mund të konvertojë bonot për të mbledhur të paktën një miliard e gjysmë Euro, ndërkohë që ekziston shpresa se investitorë nga Katari do të derdhin një miliard Euro të tjera.
Ky do të ishte një shpëtim afatshkurtër sepse bankës i duhen mbi 27 miliardë për të shpëtuar. Nëse operacioni i nisur nga banka do të dështojë, atëherë nuk mbetet vetëm hapja e kasafortave të shtetit, me një dekret për zgjidhjen e problemeve që kanë bankat në Itali. Sidoqoftë, fondi i shpëtimit do të jetë vetëm 15 miliard Euro, jo vetëm për bankën Monte dei Paski, po për të gjitha institucionet financiare në krizë./360grade.al