Home KRYESORE Luani në lojrat e fatit! Të gjithë fitojnë, vetëm ju që luani...

Luani në lojrat e fatit! Të gjithë fitojnë, vetëm ju që luani humbni

Nga Mentor Kikia

Gjatë një takimi me banorë në Shënkoll të Lezhës, për rolin e qytetarëve në qeverisjen vendore, pyeta se çfarë mendonin të rinjtë, pasi aty ishin një grup prej 6-7 djemsh.

-C’punë ke me ata, tha një i rritur. Po tu kontrollosh xhepat, ata kanë nga 10 skedina secili dhe presin vetëm tu ecë fati.

Në qendër të fshatit kishte nja 7-8 dyqane bastesh e llotarish. Banorët thanë se janë nga Tirana ata që i kanë. “I kanë hapur edhe këtu- njëri bëri ironi- po kujdesen që asnjë lek të mos shkojë kot. Po vijnë të na vjelin edhe këtu me çdo biletë”.

Minimizimi i këtij biznesi parazit, mashtrues dhe kriminal ishte një premtim i madh i qeverisë, por tashmë zbatimi i një ligji për këtë cështje u shty. Disa deputetë u vunë të firmosin një kërkesë për shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit. E pranoi edhe Ministria e Financave, që duhet të përgjigjet për zbatimin e ligjit. Për cudi asnjë nuk ndjehet. Edhe opozita nuk bën zë për këtë punë. Eshtë bixhoz, është para e madhe.

Ka për të gjithë nga zhvatja që u bëhet të pashpresëve që mendojnë se me një skedinë futbolli do të shlyejnë borxhet tek dyqani i ushqimeve. Harrojeni! Ju gjithmonë do të humbisni dhe do të fitojnë ata që kanë dyqanin dhe ata që bëjnë ligjin.

Share: