Home KRYESORE Neranxi: SHBA dhe Greqia te loboje që prona të shkojë tek i...

Neranxi: SHBA dhe Greqia te loboje që prona të shkojë tek i zoti jo vetëm në Himarë, por në çdo cep të Shqipërisë

Nga Nikollaq Neranxi*

Të nderuar miq! Ju falenderoj të gjithëve për pjesmarrjen tuaj! Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë përfaqësinë diplomatike, eurodeputetët, Zotin Vangjel Dule dhe Partinë e tij PBDNJ, Omonian, intelektualët e pranishëm dhe çdokënd që ka ardhur këtu, pasi mendon se çështja e pazgjidhur e pronave në Himarë, nuk është vetëm çështje e banorëve të saj, por është çështje kombëtare, madje ndërkombëtare, sepse kemi të bëjmë me një nga shkeljet kryesore të drejtave të njeriut, shkeljen e të drejtës mbi pronën. Komuniteti i Himarës me ndihmën e PBDNJ dhe Omonias, e pa të nevojshme që të zhvillonte këtë takim në vijim të aksionit të saj qytetar, me qëllim informimin, sensibilizimin e më pas zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronës në Himarë. Siç e dini, në këtë zonë, prej vitesh banorët autoktonë janë rropatur në zyrat e shtetit e në dyer Gjykatash, për të marrë në duart e tyre, atë që iu takon me Kushtetutë, çertifikatën e pronësisë. Kur na dëgjojnë që flasim për këtë problem, na thonë se nuk është diçka që ndodh vetëm në Himarë, por në të gjithë Shqipërinë. Në fakt është pjesërisht e vërtetë. Në të gjithë Shqipërinë ka patur dhe ka probleme me pronat, ka patur mbivendosje, ndërtime informale, paqartësi se kujt i takon një pronë e caktuar, çfarë fiton si pronar i pronës së trashëguar dhe çfarë nga toka bujqësore etj. Ky vend ka fuksionuar me institucione që bien ndesh me njëri tjetrin, ka patur polici ndërtimore që shkatërron ndërtime pa leje, por edhe ALUIZEN që legalizon ndërtime pa leje, Ligj 7501 por edhe ligj i kthimit të tokës pronarëve që kanë pronë të trashëguar. Mund të dërgoje letrat për legalizim, ndërkohë policia vinte dhe ta prishte ndërtesën edhe pse të ishte miratur legalizmi.

Ndërkohë në Himarë gjithçka ka qenë fare e thjeshtë. Aty funksionon vetëm një rregull dhe një ligj shumë i qartë, t’i kthehet pronarit prona e trashëguar. Nuk ka patur kurrë asnjë mbivendosje, asnjë keqkuptim, asnjë problem dhe paqartësi të banorëve me njëri tjetrin që ta vështirësonte procesin, thjesht shteti duhej të pajiste me letra gjithsecilin prej nesh. Secili prej nesh e di mirë ku mbaron gardhi i njërit dhe ku fillon i komshiut. Kemi jetuar jetë e mot në harmoni, duke iu gëzuar vetëm asaj që është e jona, pa lakmuar gjënë e tjetrit, kjo është një edukatë e trashëguar brez pas brezi. Pra kaq e thjeshtë ka qenë e gjitha kjo.

Atëherë pse asnjë qeveri nuk na dha çertifikatat e pronësisë? Deri vonë kemi menduar se ka munguar vullneti për ta bërë, por sot askush nuk e mendon më këtë. E vërteta është se në 25 vite demokraci, asnjë qeveri nuk ka dashur që ne himariotët të jemi pronarë të pronës tonë, ta zhvillojmë atë dhe t’ia trashëgojmë pasardhësve tanë. Cila është arsyeja, nuk e dimë. Vitet e pritjes nuk u përmbyllën me rezultatin që ne prisnim, por me planin e kobshëm të qeverisë Rama, e cila nuk bëri si paraardhësit e tij, të cilët mbajtën peng himariotët duke mos iu dhënë çertifikatat, por avancoi më tej. Rama është arkitekti i grabitjes së pronave tona dhe për pasojë, i dëbimit të këtij komuniteti nga vendi ku ata u linden, u rritën dhe vdiqën, brez pas brezi.

I maskuar nën emrin Rikualifikimi urban apo Rivitalizimi, Rama po drejton grabitjen nga Tirana, sepse gjithçka e vendos në zyrat e tij të pushtetit qendror, duke e kthyer në një lolo të neveritshëm, Kryetarin e Bashkisë Himarë Jorgo Goro, i cili është një shërbëtor i bindur u tij dhe një individ i shitur i cili preu në besë zgjedhësit e tij. Komuniteti ynë, akuzon direkt Edi Ramën, i cili pa marrë akoma çertifikatat e pronësisë, sjell buldozerat për të përzënë njerëzit nga shtëpitë e tyre. Ajo çfarë është bërë tani në Himarë, nën emrin Rikualifikim urban, është një tmerr i vërtetë. Është zëvendësuar rëra me beton duke shkatërruar atë që Zoti na e dha me bollëk, u dëbuan nga toka e tyre 25 vetë të familjes Beno për të ndërtuar këto shëmti që i shohim të gjithë si dhe duan të avancojnë me betonin dhe me shkatërrimin e grabitjen e pronave tona. Kanë bërë rrugë te lagja 1 maji duke shkatërruar me qindra rrënjë ullinj dhe portokalle dhe nuk i kanë dhënë asnjë lek dëmshpërblim pronarëve për tokën dhe dëmin e shkaktuar, një vjedhje e pastër kjo. Duan të bëjnë port, ndërkohë që ne banorët duam rërën aty e jo portin. Duan të prishin një karburant 50 vjeçar të Alqi Naçit, për të bërë rrugën, por duke mos i krijuar mundësi të zotit të biznesit që ta ndërtojë karburantin diku më tej që të vazhdojë të jetojë me punën e tij. Kompensimi që i ofrojnë është qesharak si dhe i ndalojnë të drejtën e ushtrimit të biznesit. Pse e bëjnë këtë? Shumë e thjeshtë, ta përzënë me dy lekë me të cilat jo karburant, por as kasolle nuk mund të blejë, që më pas të vijnë klientët e pushtetit dhe të ndërtojnë aty karburantet e tyre. Askush nuk na pyet për asgjë. Në çdo dëgjesë publike të bërë nga Bashkia e Himarës, banorët e kanë kundërshtuar projektin, ka video dhe foto për ta vertetuar.

Në zyrat e shtetit gjatë mbledhjes, mafiozët që po grabisin pronat tona, dhunuan dhe gjakosën Manol Zoton, banor i lagjes Spile Himarë, për të frikësuar komunitetin që të mos hapi gojën për të kërkuar të drejtat. Askush nuk u dënua për atë vepër të turpshme në zyrat e shtetit. Kjo që po na bëhet ne himariotëve sot, është një genocid i papreçedentë. Kanë nxjerrë tabela shpronësimesh për ata që kanë çertifikata pronësie, ku 63000 metra katror tokë në bregdet, duan t’i kompensojnë me qindarka që më pas të ndërtojnë aty resortët e tyre. Sjellin miqtë e pushtetit për të ndërtuar, firma që nëse investigohen nuk plotësojnë asnjë kusht për të fituar një tender. Njëri prej tyre që investigoi stafi im, i cili kishte fituar tenderin për të bërë ndërtime në Himarë, rezultonte në QKR i falimentuar, nën sekuestro konservative. Dhe kjo firmë më pas e merr terrenin dhe ndërtimin që bën me konçesion, duke nxjerrë fitime të përditshme, mbi tokën dhe pronën që na takon ne, atë pronë që të parët tanë e fituan dhe e mbrojtën me gjak dhe na dalin sot në vitin 2016 ca hajdutë që duan të na e marrin me forcë. Kjo është situata në Himarë. Çdo gjë po bëhet me dhunë, ne si komunitet s’kemi hedhur asnjë firmë siç na takon sipas ligjit të pushtetit vendor. Përkundrazi, firmat e banorëve i kam unë këtu të gjitha. Ata kanë firmosur një rezolutë me 14 gusht kur ne bëmë mitingun, ku thuhet që të mos bëhet asnjë ndërtim pa marrë në fillim çertifikatat e pronësisë dhe pa marrë pëlqimin e banorëve për projektin. Himara është e jona. Kam me mijëra firma këtu të cilat më vonë do t’i përdorim edhe për proçese gjyqësore.

Ndërkohë pushteti mafioz i cili e di mirë që grabitja që ka projektuar në Himarë, nuk mund të kalojë pa u vënë re, aq më shumë tani që sheh rezistencën e banorëve, pasi ne jemi çdo javë në protesta para Bashkisë, ka vënë në lëvizjë një makineri të frikshme propagande duke thënë se ca garazhe dhe lavazhe të vjetra do prishen. Por ju miq e dini mirë, çdo garazh, lavazh apo kasolle e Himarës, është e ndërtuar në tokën e pronarit autokton. Himara nuk është Bathorja, himariotët nuk janë grabitës që të shkojnë të ndërtojnë në një tokë që nuk është e tyre. Përveç kësaj, himariotët të cilët nuk kanë akoma çertifikatat e pronësisë, nuk ndërtojnë dot pa leje, respektojnë ligjin, prandaj kanë mbetur me ndërtesa të vjetra, jo se nuk dinë t’i bëjnë të bukura. Himariotët nuk mbjellin kanabis që të ndajnë lekët me pushtetarët dhe të bëjnë resorte. Jo nuk janë të tillë, por ama nuk janë as budallenj që t’i mashtrojë Rama dhe njerëzit e tij. Nuk janë as frikacakë që t’i frikësojë dhe t’ju a uli kokën dikush. Kjo ska për të ndodhur kurrë.

Por grabitja nuk është i vetmi qëllim i Ramës dhe klientëve të tij. Kemi vënë re kohët e fundit se po ushqehet një urrejtje e madhe ndaj komunitetit tonë. Nëse ne ngrejmë problemin e grabitjes së tokave në rrjete sociale psh, individë të shumtë, të paguar nga pushteti, na shajnë, na ofendojnë, si një komunitet që nuk meriton që ky shtet t’i pajisë me dokumente, sepse ne flasim greqisht dhe si të tillë nuk na lind e drejta ta gëzojmë tokën tonë. Urrejtja për komunitetin tonë nuk mbetet vetëm në kufinjtë e individëve anonimë të paguar për të lehur në facebook e për të krijuar këtë alergji dhe urrejtje kolektive ndaj nesh. Janë angazhuar këto kohë figura publike, historianë, gazetarë, analistë etj, të cilët na fyejnë e na hakërrehen që të rrimë urtë se kryeministri e di më mirë se çfarë i duhet Himarës. Këta individë po bëjnë patriotin në kurrizin tonë. Të gjitha këto strategji janë të mirëmenduara, në mënyrë që grabitja dhe genocidi në Himarë, të duket thjeshtë si një detyrë patriotike ndaj atdheut, sepse ne flasim greqisht, sepse himariotët kanë pashaporta greke dhe shumë prej tyre ndjehen më shumë grekë se shqiptarë, se himariotët duan të ruajnë historinë e tyre, janë krenarë për të, sepse Himarën e njihte bota shumë para se të njihte Shqipërinë, sepse pozicioni gjeografik, por edhe mënçuria e tyre, ia mundësonte këtë, sepse himariotët identifikohen edhe me fenë e tyre dhe ndjehen keq dhe protestojnë kur ia prishin kishat. Prandaj le t’i përzëmë këta ishullarë të bezdisshëm e kokëfortë, ashtu siç na quan kryeministri Rama. Ky është realiteti i dhimbshëm dhe dramatik me të cilin ne po përballemi sot.

Dua këtu të nënvizoj një detaj i cili besoj se është shumë i rëndësishëm. Gjithçka çfarë ju tregova deri tani për ngjarjet në Himarë, janë lehtësisht të verifikueshme, fakte madje shumë të mediatizuara. Zgjodha të mos përfshij në këtë diskutim, shumë fakte dhe informacione tronditëse mbi këtë temë, të cilat unë i kam marrë nëpërmjet burimeve të mia, por jo vetëm unë, por edhe banorë të tjerë, kryesisht intelektualë të cilët kanë njohje dhe aksese. Unë jam një sipërmarrës në këtë vend, jam banor i Himarës që prekem nga kjo grabitje si dhe pjesë e aktivistëve të shoqërisë civile atje. Por nuk jam institucion dhe si i tillë unë nuk kam mjetet e duhura që t’u provoj të gjitha ato që di. Por kjo s’do të thotë që nesër ne si komunitet nuk do kërkojmë tu shkojmë deri në fund, zbardhjes së të vërtetave.

Ne si komunitet kemi kërkuar, sipas të drejtës që na e jep Kushtetuta, që në fillim të pajiset çdo banor më çertifikatë pronësie. Më pas të merret pëlqimi i banorëve për çdo ndryshim që do bëhet në qytet sipas ligjit të qeverisjes vendore. Asnjë gur nuk do lëvizet nëse nuk na pëlqen ne dhe më pas ne si banorë, të përfshihemi në punimet që do bëhen, në mënyrë që investimi të na mbetet ne, jo të jepet me konçesion bregdeti tek miqtë e kryeministrit i cili ka bërë edhe një ligj për ta, duke i quajtur investitorë strategjikë. Kërkesat tona ia kemi dërguar të gjitha institucioneve të shtetit si dhe të gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë. Avokati i Popullit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë. Pasi erdhi në Himarë dhe pa situatën në vend pak javë më parë, zyra e e tij po kryen një hetim pasi ka marrë të gjithë dokumentacionin nga banorët dhe ne kemi shumë shpresë që do të arrijë t’i japë zgjidhje një herë e mirë këtij problemi.

Ndërkohë dy vende mike të Shqipërisë, SHBA dhe Greqia, janë shprehur hapur si përkrahës të himariotëve në çështjen e pronave. Departamenti amerikan i shtetit dërgoi një zyrtare të lartë pak javë më parë, që të dëgjonte shqetësimet tona dhe ne si komunitet, kemi mbajtur vazhdimisht kontakte me eksponentë të lartë të Ambasadës amerikane në Tiranë. Kjo edhe për faktin se shumë himariotë janë edhe qytetarë amerikanë. Ndërkohë vendi mik Greqia, ka dalë me deklarata publike në mbështetjen tonë kundër grabitjes dhe tjetërsimit të pronës shekullore të himariotëve. Natyrisht nuk është hera e parë që e bën, e ka bërë vazhdimisht, por fakti që himariotët janë akoma pa prona, tregon se edhe ata nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e duhur për të na ndihmuar në kauzën tonë të drejtë. Unë, në emër të gjithë komunitetit himariot, dua t’i falenderoj të gjithë miqtë tanë me zemër, sepse falë presionit dhe ndikimit që ata kanë patur mbi institucionet përgjegjëse, është ndaluar shkatërrimi i Himarës, ose më saktë është pezulluar, sepse akoma mafiozët janë aty, gati për të rinisur nëse ne nuk do jemi këmbëngulës për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij problemi. Disa nga banorët e Himarës kanë në duart e tyre prej më shumë se një muaji, njoftimet e Bashkisë Himarë e cila i urdhëronte që për 5 ditë të lironin shtëpitë, duke mos iu dhënë asnjë qindarkë dhe asnjë zgjidhje. Ata familje nuk janë sot në mes të 4 rrugëve, falë jush miq të Himarës dhe Shqipërisë që ngritët zërin ndaj kësaj padrejtësie. Faleminderit me zemër!

Unë mendoj se Greqia, një vend anëtar i BE-së ku ne aspirojmë të futemi, ka fuqi të lobojë së bashku me shtetet e tjera, që t’i imponohen qeverisë shqiptare, që prona të shkojë tek i zoti jo vetëm në Himarë, por në çdo cep të Shqipërisë. Besojmë se edhe ju ndani të njëjtin mendim, që një vend, ku qytetarët e saj janë gati të flijohen nën rrotat e eskavatorëve nëse shteti me forcën e tij do t’iu marrë pronën, nuk e meriton të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. Nëse ky problem nuk zgjidhet, ne jemi thjesht një xhungël ku ligjin e bën më i forti, por kurrsesi një shtet e aq më pak një shtet europian. Prandaj nga kjo foltore, në emër të komunitetit të Himarës, i bëj thirrje kryeministrit të vendit, ndalo grabitjen dhe shkatërrimin në Himarë, pajis urgjentisht me çertifikata pronësie banorët dhe urdhëro pushtetin vendor që e ke kthyer në lolo, të bëjë një projekt për qytetin tonë që të na pëlqejë e shërbejë ne banorëve, dhe ta gëzojmë ne!

Të nderuar eurodeputetë grekë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ne sot kemi nevojë të dëgjojmë zërin tuaj të vendosur, na ndihmoni në zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave në Himarë. Parandaloni një tragjedi në jug të Shqipërisë. Kryeministri Rama citon çfarë është shkruar për Himarën dhe himariotët, por përzgjedh shkrime të gabuara, që i interesojnë atij. Të shkojë t’i thotë dikush kryeministrit që himariotët do ta mbrojnë tokën dhe historinë e tyre edhe me gjak. Himara është dheu dhe atdheu ynë, ne jemi pasardhësit e atyre që luftuan me piratët e detit dhe sot do luftojmë edhe me piratët e pushtetit. Nuk jemi bastadë, ne i njohim rrënjët tona, jemi aty prej shekujsh me historinë dhe zakonet tona dhe askush nuk do mundet të na zhbëjë. Flisni me kryeministrin të dashur miq dhe dashamirës të Shqipërisë që ta ndalë këtë marrëzi, le të bëhet Himara shembulli se si duhet të funksionojë demokracia në një vend që aspiron të bëhet pjesë e familjes europiane e më pas kjo të shtrihet në të gjithë Shqipërinë!

*Fjalim i mbajtur dje ne konferencen me teme:  Jo grabitjes së pronave, pro integrimit në BE!

Share:
Share: