Home KRYESORE Petraq Beja rrëfen momentet e aksidentit: Ja si ndodhi

Petraq Beja rrëfen momentet e aksidentit: Ja si ndodhi

Petraq Beja, i cili prej disa ditësh qëndron në një karrige me rrota, me dorën të thyer dhe dëmtime të tjera në trup në spitalin e Vlorës, dje ka folur për herë të parë për aksidentin ku humbi jetën kushëriri i tij 17-vjeçar, Kristi Panajoti. Njëmbëdhjetë ditë pas aksidentit që ndodhi në aksin Vlorë-Uji i Ftohtë, 21-vjeçari tha se ndjen dhimbje të madhe për vdekjen e të afërmit të tij.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Petraq Beja që i mbijetoi aksidentit tragjik tregoi me detaje se çfarë ndodhi mesnatën e së dielës (më 17 nëntor) dhe në ditët në vijim.

Po ashtu, i riu rrëfeu edhe momentin kur efektivi i policisë i bëri presion që ai të thoshte se kishte probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkaku i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e ngjarjes.

Çfarë ndodhi atë natë?

Isha duke udhëtuar me kushëririn tim, po bënim xhiro përpara se të shkonim në shtëpi. Vazhduam deri te “Luani” (vend në zonën e Ujit të Ftohtë). Ishte një gropë e madhe, ndërsa unë humba ndjenjat. Në momentin që u përmenda preka Kristin, por ai nuk lëvizi. U përpoqa që ai të përmendej, por ishte e kotë. Erdhën disa djem që të më ndihmonin të dilja nga baxhaja e makinës, por u thashë që të shikonin kushëririn më parë sesa mua. Ndjeja dhimbje shumë të fortë në krah dhe në mes. Më pas nuk mbaj mend gjë.

Para se të ndodhte aksidenti, ku keni qenë?

Kemi qenë në një lokal pranë një karburanti ku kemi qëndruar me shokët.

Keni pirë ndonjë pije ose drogë?

Absolutisht asgjë! Mund të vërtetohet një gjë e tillë nëpërmjet analizave.

Çfarë bëtë pasi dolët nga lokali?

Duke ikur, Kristi bëri dhe një foto, të cilën e hodhi në “SnapChat”, 5 minuta përpara se të binim në gropë. Këtë foto do e mbaj përgjithmonë.

Si ratë në gropë?

Kur po udhëtonim me makinë, nuk pamë asgjë, asnjë sinjalistikë, dhe ramë direkt në gropë.

Me çfarë shpejtësie po udhëtonit?

Duhet të kem qenë me rreth 60 kilometra në orë…

Kur e more vesh për humbjen e Kristit?

Pyesja çdo ditë se si është ai. Nuk doja të dija për veten sa për të… Më erdhi gjyshja, që është infermiere, disa ditë pas aksidentit dhe më tha se çfarë kishte ndodhur. Nuk e besoja, as sot nuk e besoj. Kemi qenë si vëllezër me Kristin, kudo ishim bashkë, si në Vlorë, Himarë apo në vende të tjera. Unë ende s’e besoj që ai ka vdekur.

Si është puna e efektivit të policisë që ju kërkoi të pranonit se kishit probleme me shikimin?

Isha me mamanë dhe dentisten, pasi në aksident më janë thyer disa dhëmbë, kur erdhi polici. Ai pyeti mamanë: “Keni dhe shumë punë?” Mamaja iu përgjigj se “nuk kemi dhe shumë”. Ndërkohë, ai tha: “Dilni pak se do flas me djalin”. Kur hyri brenda, pasi foli dhe më pyeti për aksidentin, efektivi i policisë më tha: “Ke problem me sytë?” Ndërkohë unë iu përgjigja se nuk kisha asnjë problem. “Ke, ke” – më tha polici. “Po meqë thua ti, kam. Nëse do e them të të bëj qejfin ty, por unë nuk kam asnjë problem”, i thashë. Ndërkaq, ai më tha: “O djalë, thuaj ke dhe e mbyllim këtu këtë muhabet”. Pasi doli polici, njoftova familjen, ndërsa ata organet përkatëse.

Si është gjendja jote shëndetësore tani?

Kam dhimbje, por e vetmja gjë që më dhemb më shumë është humbja e Kristit, nuk e besoj ende…

Share: