Home KRYESORE Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë Festivalin tradicional hebre të Dritave

Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë Festivalin tradicional hebre të Dritave

Në Institucionin e Kreut të Shtetit shqiptar u festua për herë të katërt festa e Hanukas, Festivali hebre të Dritave e të lirisë së besimit, në të cilën ishin të pranishëm nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, deputetë, përfaqësues të Qeverisë dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të Bashkësisë Hebreo-Shqiptare, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe personalitete të ndryshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës Bujar Nishani vuri në dukje se kremtimi me miqtë izraelitë i kësaj feste sa fetare, aq edhe laike dhe kuptimplotë është kthyer një traditë të përvitshme të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe vendeve.

Në fjalimin e mbajtur para se të ndizte qiririn e parë simbolik të Menoras, Kreu i Shtetit nënvizoi se Festivali i Dritave dhe i Përkushtimit, ose “Hanuka” në hebraisht, na sjell ndërmend përpjekjet e pareshtuara dhe luftën për liri e të drejtën e ushtrimit të besimit fetar të kombit hebre, por jo vetëm të tij si dhe origjinën historike të kësaj feste të lashtë.

“Ndër shekuj tiranët dhe despotët e ndryshëm janë rrekur më kot të shtypin e t’u mohojnë njerëzve të lirë të drejtën e dhënë nga Zoti për të ushtruar besimin e tyre, por nuk ia kanë dalë mbanë dhe nuk do t’ia dalin kurrë! Prandaj edhe Hanukaja festohet edhe në Shqipërinë tashmë të lirë e demokratike, sepse me dritën e saj ajo ndriçon jo vetëm përpjekjet e popullit hebre në kërkim të lirisë dhe të vetëvendosjes, por edhe të popullit tonë gjithashtu.

Të gjithë ne ndihemi të frymëzuar nga shembulli dhe historia e Hanukas, por mbi të gjitha jemi krenarë, sepse Shqipëria dhe shqiptarët, në kurorën e vlerave të tyre, kanë si margaritarë bashkëjetesën dhe harmoninë fetare mes bashkësive të ndryshme. Pikërisht edhe me këto vlera të rralla dhe unike, ne shqiptarët synojmë të pasurojmë së shpejti familjen e madhe evropiane, së cilës do t’i bashkëngjitemi në mënyrë të merituar, por pse jo, t’i ndajmë bujarisht dhe ta lartësojmë këtë pasuri të trashëguar nga të parët tanë, edhe me kombet e tjera, ashtu siç po bëjmë sonte këtu,” – u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit, theksoi se gjithashtu se: “Në gjurmë të traditave më të mira të popullit tonë: të mikpritjes, harmonisë fetare dhe Besës sonë, ky kremtim farkëton edhe më shumë lidhjet dhe marrëdhëniet e veçanta historike dhe tradicionale me shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilat u kanë bërë ballë sprovave të vështira përgjatë rrjedhës së historisë, siç ishte edhe periudha e errët e Holokaustit. Këta qirinj flakërojnë sonte me qëllim që drita dhe shpresa për një të ardhme më të mirë të mposhtin errësirën dhe dëshpërimin, e që njerëzit ta përjetojnë jetën, duke besuar se e pamundura është e mundur, vetëm në saje të vullnetit, sakrificave dhe bindjeve tona, të cilat duhet të jenë të forta e të palëkundura, ashtu siç ka thënë edhe Rabini e filozofi Nahum Braverman: ‘Qirinjtë i ndezim si dëshmi se besimi ynë i bën të mundura mrekullitë”.

Kreu i Shtetit vlerësoi se miqësia dhe mirëkuptimi mes dy vendeve u forcuan veçanërisht gjatë periudhës së errët të Shoahut si dhe uroi që këto lidhje të thellohen e të konsolidohen edhe më tej. “Riti i përvitshëm i ndezjes së këtyre katër qirinjve simbolikë të Hanukas në Institucionin më të lartë të Shtetit shqiptar, uroj të na shërbejë të gjithëve si një gjest i sinqertë vlerësimi ndaj vlerave më të mira që ne ndajmë së bashku si dy kombe të lashtë! Le të shërbejë kjo Festë sonte edhe për të nënvizuar mesazhin e fortë të rëndësisë që pasqyron respektimi i të tjerëve ndryshe, harmonia dhe bashkëjetesa fetare në tokën e bijve të shqipeve, shembulli domethënës dhe ilustrues i të cilave është edhe marrëdhënia paqësore dhe vëllazërore mes shqiptarëve dhe hebrenjve ndër shekuj.”

Me këtë rast Ambasadori i Shtetit të Izraelit, SH. T. Z. Boaz Rodkin u shprehu mirënjohjen Presidentit Nishani dhe Zonjës së Parë, Odeta Nishani për festimin në Institucionin më të lartë të Shqipërisë të Hanukas si dhe për faktin që e kanë shndërruar tashmë këtë festim në traditë duke theksuar: “Ky është sezoni kur ne vlerësojmë mrekullitë e shumta, të mëdha dhe të vogla, që kanë bekuar dhe hijeshuar jetën tonë, brez pas brezi, dhe kur njohim e pranojmë se më kuptimplota mes tyre është liria jonë. Gjithkush në Shqipëri mund ta kuptojë frymën e kësaj tradite. Praktimi me krenari i fesë sonë, cilado qoftë ajo – si dhe mbrojtja e të drejtave të të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë – ky është besimi i përbashkët i këtij vendi.” Në përfundim të ceremonisë të pranishmit ndoqën disa këngë dhe melodi të interpretuara mjeshtërisht nga dy artistët elbasanas Zeqir Sulkuqi dhe Klement Marku dhe më pas, shijuan gatimet dhe ëmbëlsirat e Hanukas duke i uruar njëri-tjetrit një Vit të Ri 2017 sa më të lumtur, të begatë, të paqtë e të mbarë.

Share: