Nga Sonila Alushi
Kur bëhesh prind, i pari reagim instiktiv, është t’i mbrosh fëmijët e tu nga çdo rrezik, por edhe nga çdo zhgënjim apo trishtim. Reth këtyre të fundit, unë mendoj që mbrojtja nga dhimbja është e gabuar sepse pengon rritjen e tyre, maturinë e tyre duke rrezikuar të krijosh persona apatikë, të athët, të pandjeshëm dhe cinikë.
Për këtë arsye vendosëm t’i tregojmë fëmijëve tanë (nëpërmjet një gjuhe dhe disa imazheve sa më pak traumatike) çka po ndodh në Siri. Empatia qe imediate edhe për faktin se te vegjëlit tanë e dinë që ne jemi ish emigrantë, që morëm arratinë para se ata të lindnin, për t’ju ikur pikërisht situatave të vështira dhe një të ardhmeje pa siguri.
Nuk vrapuam të zbathur me ta në krah, qemë shumë më me fat, por gjithësesi vrapuam të dëshpëruar drejt Europës pikërisht për të bërë të mundur që krijesat tona të vinin në jetë aty ku ka më shumë të drejta, paqe dhe humanitet.
Duke parë këta njerëz me të vegjëlit e tyre rrugëve të paqes, të zbathur, të uritur, të terrorizuar gati po aq sa ishin nëpër rrugët e luftës, më bëri të ndjehem fuqipaktë, e padobishme, e vogël. E pyetëm veten se çfarë mund të bënim, por pikërisht se fuqipaktë e të vegjël, mundëm vetëm të solidarizohemi me ta… pa e fshehur fytyrën.
Po, e kam zemrën të copëtuar nga çka po ndodh dhe nuk më intereson aspak nëse dikush do më konsiderojë jo racionale, emotive, të papërgjegjshme etj. Feja e tyre, kultura e tyre, diferencat, ngjyra e lëkurës, edukata që i përket etj, nuk më trembin. Por më tremb kjo Europë e lëkundur dhe e frikësuar nga besimi i tjetrit ku liria e fesë, e kultit, e adhurimit e cila shpesh reklamohet, është vetëm një farsë!
Ndaj i respektoj të gjitha fetë dhe besimet, por kam zgjedhur vetëm një prej tyre: feja ime është njerëzimi.