Home KRYESORE Shperthen studjuesi kunder nje ish sigurimsi

Shperthen studjuesi kunder nje ish sigurimsi

Nga Kastriot Dervishi

Një përgjigje të hapur persekutorit Kristaq Pleqi

Këto ditë, gjatë një “remonti elektronik”, vura re se krahas shumë mesazheve anonime, në rraqet e postës sime elektronike të fb ndodhej një mesazh i palexuar, i shkruar nga ish punëtori operativ të Sigurimit të Shtetit, Kristaq Pleqi, të cilin po e bashkëlidh. Pleqi ishte i shqetësuar se nuk isha “emëruar” historian nga partia e tij dhe me këtë rast po shfrynte dufin në rrjetin social. Po i kthej një përgjigje publike Pleqit, emrin e të cilit besoj se e njohin shumë mirë të përndjekurit politikë që kanë pasur “fatin” të jetojnë në Lushnjë, por edhe në zona të tjera ku Pleqi pati mundësinë të lëshojë ligësinë e tij.

Me sa kuptova, ish operativi i devotshëm i diktaturës jeton në SHBA, pikërisht në shtetin që ka sharë e mallkuar gjatë gjithë jetës së tij si persekutor. Duke harruar porositë e partisë dhe shokut Enver, shoku Kristaq e kishte amerikanizuar emrin e tij, ndërsa shkollën e Saukut e zëvendësonte me një kurs amerikan. Emrin e tij si persekutor e kam lexuar në qindra dokumente. E kam njohur si punëtor të devotshëm partie i specializuar për të “kontrolluar, përpunuar dhe goditur armikun e klasës”. Pleqi (është nga Voskopoja e Korçës, i datëlindjes 17.2.1953), për shumë vite ka shërbyer si punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit, sidomos në Rrethin e Lushnjës (fshatrat Gradishtë, Plug, Savër, Gjazë, Grabian dhe Rrapëz), duke vigjiluar e treguar përkushtim komunist mbi të përndjekurit politikë.

Ndërsa jeta ime e deritashme është e kaluar me mijëra orë në biblioteka e arkiva, jeta e Kristaq Pleqit është e kaluar duke u bërë keq njerëzve. Kristaqi ruante të internuarit të mos kalonin zonën e banimit që ishte zakonisht ndonjë vijë kanali apo shenjë mullari. Kristaqi dhe shokët e tij ndiqnin të lindurit në internim “si agjentë të zbulimit italian”, “zbulimit grek” apo “zbulimit amerikan”. Gjithë puna e Kristaqit dhe shokëve të tij konsistonte në nxirjen sa më shumë të jetës së personave që ishin të internuar apo të përcaktuar si “armiq të klasës”. Këta përdornin lloj-lloj mjetesh e presionesh dhe e quanin trimëri të madh kur në kushte të tilla rekrutonin “me material shtrëngues”, ndonjërin prej tyre.

Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që i kam shkaktuar trazim emocional Pleqit dhe uroj që të mos vijë kurrë dita të më lavdërojnë persekutorët.

Share: