Home KRYESORE Skenarët që mund të zhysin Shqipërinë në krizë në vitin 2017

Skenarët që mund të zhysin Shqipërinë në krizë në vitin 2017

Viti 2017 nuk ka nisur akoma, por parashikohet të jetë një vit i tensioneve të forta politike.

Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, një një analizë parashikon se viti i ardhshëm mund të prodhojë tensione për shkak të zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve parlamentare.

Këto zgjedhje janë shumë pranë njëra-tjetrës.

Interpretimet e ligjit për afatet kohore dhe situatat politike mund të krijojnë kriza të forta politike dhe institucionale.

Fondacioni shkruan se ky është një vit vendimtar që Shqipëria të tregojë elasticitet dhe pjekuri politike.

Zgjedhja e presidentit të ri do mbahet në fund ose në fillim të majit, kurse zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 18 qershor.

Ndërkohë betimi i presidentit duhet të bëhet më 24 korrik 2017.

Skenarët e mundshëm janë këto:

-Zgjedhjet mbahen, parlamenti mblidhet më 24 korrik 2017, presidenti i ri bën betimin dhe institucionet vazhdojnë punën.

-Zgjedhjet parlamentare çojnë në ndryshimin e pushtetit politik. Mazhoranca e re në parlament nuk pranon që mazhoranca e vjetër të mblidhet më 24 korrik për betimin e presidentit. Presidenti e bën betimin para qeverisë në largim, shumica e re qeverisëse refuzon të marrë pjesë, betimi nuk bëhet dhe krijohet një krizë politike.

-Pas zgjedhjeve parlamentare mbetet e njëjta mazhorancë në parlament, por ka mosmarrëveshje politike mes anëtarëve të aleancës. Një prej këtyre partive mund të bojkotojë betimin e presidentit për të vënë kundërshtarin nën presion. Kjo pengon krijimin e kuorumit të nevojshëm për betimin e presidenitit. Betimi dështon, lind një krizë politike.

-Zgjedhjet parlamentare mbahen, por procedura e ankimimit zgjat deri në korrik. Në këtë rast është e vështirë për parlamentin e ri që të bindë partitë e opozitës që të marrin pjesë në seancën për betimin presidencial. Betimi nuk ndodh dhe krijohet një krizë politike.

-Anëtarët aktualë të parlamentit fshihen nga lista e kandidatëve për zgjedhje. Një numër i konsiderueshëm i tyre ndihet i përjashtuar nga procesi dhe janë të pakënaqur. Ata nuk pranojnë të marrin pjesë në betimin e presidentit. Betimi nuk ndodh, lind një krizë politike.

-Mazhoranca aktuale në parlament ka probleme të brendshme në lidhje me zgjedhjen e presidentit. Votimi për presidentin ndikohet nga aleanca të minutës së fundit mes anëtarëve të parlamentit. Në këtë rast, fraksioni i vogël ka pakënaqësi. Ata ushtrojnë presion ndaj fraksionit të madh, betimi nuk mbahet dhe lind një krizë politike. /opinion/

Share: