Nuk e qep gojën, sepse ju nuk keni asnjë të drejtë të tjetërsoni historinë e familjeve shqiptare që vuajtën në diktaturë.
Historia e tyre nuk tregohet me shpalosjen e metodave persekutuese, me makineritë e hekurta të torturave, as me teshat e shqyera nga inkuizitorët varur mureve.
Historia e tyre nuk tregohet nëpërmjet persekutorëve të tyre. Historia që kuroni nën zyrat e qeverisë suaj, nuk është hisoria e të persekutuarve nën diktaturën komuniste.
Nuk e qep gojën sepse ju nuk keni të drejtë të shisni para opinionit një histori, të cilën e krijoni në mungesë të plotë të transparencës, të kontributit të vetë atyre që vuajtën, apo të studimeve të mirëfillta shkencore.
Jo, shfaqja e radhës që ju keni krijuar nuk është e denjë për t’u shitur si historia e dhimbshme e mijëra shqiptarëve, as për t’u trajtuar si koncesioni i radhës.
Nuk e qep gojën, sepse nuk mund ta pranoj që pas 25 vitesh shprehja “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” artikulohet përsëri në të njëjtën mënyrë prej jush “për të bashkëkunguar në plagët tona më të dhimbshme”.
Jo! Nuk jemi bashkëvuajtës, bashkëfajtorë jo e jo dhe kurrë nuk pres të bashkëkungojmë plagët tona të dhimbshme.
Nuk e qep gojën, sepse para imazheve të projektuara në ekranet e mëdhenj që mban nën këmbët e tua, unë zgjedh fjalët e thjeshta që vijnë nga kujtesa e nënës sime.
Para citateve të këputura andej këndej prej Dë Golit, Horacit, Primo Levit e të tjerë, unë zgjedh shprehjet e martirëve shqiptarë para togës së pushkatimit: “I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund t’më ken’ ba keq”.
Nuk e qep gojën sepse zëri im modest duhet të dëgjohet, edhe pse nuk e kam mundësinë të hap edicionet e lajmeve në televizionet shqiptare. Sepse e ndjej detyrim që të shkruaj dy fjalë për ata që ju detyrohem aq shumë, në mënyrë që shpirti i tyre të mos trazohet edhe tani që nuk bëjnë më pjesë në këtë botë.
“Qepe gojën!” është një shprehje kaq e ulët për t’u përdorur nga një kryeministër. Qoftë kjo shprehja jote apo e këputur diku tjetër, dije se është një shprehje që e kanë përdorur shpesh armiqtë e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe. Megjithatë, unë nuk e qep gojën.
Me përuljen më të thellë ndaj gjithë të persekutuarve nga diktatura komuniste dhe martirëve që dhanë jetën qelive të errëta të ngjashme me atë që ju sot e quani “art”, me modestinë më të thellë për të folur në emrin e ndonjë prej tyre, ju them se kjo nismë që po ndërmerrni për çfarëdolloj arsye, nuk ka asgjë të përbashkët me respektin dhe dinjitetin për viktimiat e diktaturës komuniste.
Promovimin e këtyre sipërmarrjeve e shoh si përpjekje të rrezikshme për të ndryshuar qëllimisht të kaluarën e vërtetë dhe pa asnjë kontribut për të ardhmen vëllazërore të shqiptarëve e prosperitetin e këtij vendi.