Home KRYESORE VIDEO/ Syri.net: Mashtrimi i Vangjush Dakon për Lul Berishën, ja faktet

VIDEO/ Syri.net: Mashtrimi i Vangjush Dakon për Lul Berishën, ja faktet

Vangjush Dakos, beniaminit të kryeministrit Rama, i duheshin 24 orë që “të mendohej” pasi refuzoi BIRN, për tu shprehur për skandalin që ka gatuar vetë si protagonist dhe ndihmës në lirimit nga burgu të një prej emrave më të mëdhenj të krimit në Shqipëri. Dhe bëri mirë që foli, sepse tregoi që përfshirja e tij në skemën e nxjerrjes nga burgu 6 muaj përpara zgjedhjeve të kreut të bandës së Durrësit, nuk ka qenë rastësore. Në prononcimin e sotëm për këtë çështje, Dako gënjen hapur. Ai thotë se letra që i ka dërguar gjykatës është thjesht një formular rutinë, që bëhet për çdo të burgosur.

“Është një punë vullnetare, nuk është punë me pagese. Nuk ka ardhur ende referimi nga gjykata. Kemi mbajtur qëndrim korrekt si me të gjithë të burgosurit. Lul Berisha do të angazhohet në një nga ndërmarrjet e Bashkisë si vullnetar. Bashkia ka përdorur procedura standarde si për të gjithë të burgosurit”, është justifikuar sot ai.

Por çfarë thuhet në vendimin e gjykatës për lirimin e Berishës, ku pjesa e kontributit të bashkisë është një nga pikat më kryesore, që ndikoi në vendimin e bujshëm?

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet nga gjykata e Durrësit, shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.

Më pas, gjyqtarët argumentojnë se, “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar, nga Bashkia Durrës”.

Le ti marrim me radhë;

Së pari, kërkesa e Dakos ndaj gjykatës, nuk është “një formular rutinë”, që bëhet për çdo të burgosur, pasi aty ka element garancie dhe jepet një opinion pozitiv për të burgosurin dhe familjen e tij. Bashkia e qytetit bregdetar ka qindra, të burgosur edhe për vepra penale qesharake në krahasim me 5 vrasjet e Berishës, por Dako nuk i ka dërguar gjykatës “fomularë standard” për ata, sa herë që bëjnë ankimim për ndryshim dënimi. Në gjithë këtë mori të dënuarish durrsakë, na del që vetëm familja e kreut të bandës famëkeqe na qenka shembullore në komunitet dhe për këtë arsye, Dako paska edhe një vend të lirë pune në bashkinë e një qyteti të mbytur nga papunësia, veçanërisht mes të rinjve.

Në kërkesën e bashkisë së Durrësit, thuhet teksualisht se ajo, “garanton punësimin e të dënuarit Lulëzim Berisha në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”. Pra ndryshe nga sa gënjen sot, kur flet për “punë vullnetare”, në kërkesë nuk cilësohet fjala “vullnetare”. Ka qenë pikërisht, kjo “harresë” që i ka dhënë mundësi gjykatës të shprehet në vendimin e saj, se “aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.

Por shërbimi i Dakos ndaj Berishës, nuk mbaron këtu. Ai i thotë trupës gjykuese, se i dënuari nuk ka mundësi të punojë në ndonjë subjekt privat, prandaj është i mirëpritur në institucionin e tij. Ku e di kryetari i bashkisë që pronarët e mijëra bizneseve private, nuk e punësojnë Berishën?

Dako në shkresën e tij për gjykatën thotë edhe se “vlerëson sjelljen e familjes në komunitet”. Çfarë lidhje ka sjellja e mirë prindërve të sëmurë të Berishës (sipas bashkisë së Durrësit) me potencialin kriminal të një personazhi të njohur të krimit? Sipas Dakos, meqenëse prindërit e Berishës nuk janë problematik në komunitet, apriori edhe djali i tyre, pavarësisht se ka vrarë dhe ka drejtuar një nga organizatat më të përgjakshme kriminale të këtyre 25 viteve në Shqipëri, “është bërë burrë i mirë” dhe i takon edhe një vend pune në bashki, prandaj duhet të lirohet.

Skema e lirimit të një eksponenti të krimit të organizuar në Shqipëri nëse shihet me kujdes është mjaft e sofistikuar; ulje të shpeshta dënimesh ku janë përfshirë shumë gjyqtarë këto 2 vitet e fundit. Por pavarësisht këtyre, “vulën” e ka vënë kryetari i bashkisë Vangjush Dako. Nëse për togat e zeza ka dyshime se gjithçka e kanë bërë në shkëmbim të shumave marramendëse, po Gjush milioneri, përse e ka bërë?

Kishte nevojë për Berishën në punët e tija të mëdha me fatura miliona euro, që po bën me “Rilindjen urbane”, apo i duhet si këshilltar” në shtabin elektoral për zgjedhjet e vitit që vjen?

Lëvizje e fortë kjo e Dakos, meqenëse i ka rekomanduar edhe bashkë-ortakut Edi Rama, që të kandidojë në qarkun e Durrësit, në zgjedhjet e ardhshme. /syri/

Media

Share: