Home KRYESORE Zyrtari i DASH takohet me krerët e Policisë së Shtetit

Zyrtari i DASH takohet me krerët e Policisë së Shtetit

Zyrtari i lartë i DASH u prit dje nga drejues të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtues i Lartë Ardian Çipa dhe drejtues të tjerë të Lartë të Policisë, kanë pritur në një takim Ndihmëssekretarin për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe Oficer i Lartë Diplomatik në Departamentin e Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Alain Bersin dhe delegacionin që e shoqëronte.

Jaupi, ka shprehur mirënjohjen dhe falenderimet edhe në emër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, për ndihmën dhe bashkëpunimin e Departamentit Amerikan përmes ICITAP, duke theksuar trajnimet e vazhdueshme për oficerët e Policisë Shqiptare dhe mbështetjen në sistemet e shkëmbimit të të dhënave biometrike, që ka përafruar teknologjinë bashkëkohore në punën e Policisë dhe ka sjellë rezultate në rritje, në finalizimin e shumë operacioneve.

“Shpreh mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e marrë nga Departamenti Amerikan përmes ICITAP. Kemi patur marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi me sektorë të ndryshëm si DEA dhe agjenci të tjera ligjzbatuese amerikane. Gjithashtu kemi patur dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të ICITAP në shtrirjen e sistemit TIMS pas vitit 2004. Përmes tyre jemi përafruar me teknologjinë bashkëkohore dhe rezultate më të shpejta përmes shkëmbimit në kohë reale të informacionit. Suporti ka ardhur në vazhdim gjatë viteve, përmes trajnimeve të ndryshme nga ICITAP dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Ambasadën Amerikane, sërish me trajnime për oficerët e Policisë Shqiptare. Vlen të theksohet bashkëpunimi mjaft i mirë në drejtim të informacionit në luftën kundër elementeve radikalë dhe terrorrizmi”.

Share: