Home KRYESORE Aleksin nuk e vrava unë!

Aleksin nuk e vrava unë!

Nga Sokol Balla

Dëgjova Mark Nikën dje kur foli në Top Channel. Pak më herët kisha folur me të, kur i kërkuam të prononcohej pas lajmit për dëmshpërblimin prej 12 milion dollarësh, apo 16 milion lekësh që i kishte akorduar qeveria e majtë, familjeve të katër viktimave. Marku ishte në një siklet të jashtëzakonshëm, ndaj e kuptova kur në prononcimin e tij për Top Channel, kritikoi mënyrën sesi ne, kishim dhënë lajmin: Një vrasje, 300,000 dollarë!

Marku mendonte se interpretimi që ne i kishim bërë lajmit, kritikonte familjarët sikur “kishin blerë” gjakun e të vrarëve. Në fakt insinuata e lajmit ishte e qartë: ishte qeveria ajo që kishte “blerë” drejtësinë e premtuar dhe të munguar të 21 janarit. Por lëvizja e fundit qeverisë Rama Meta për ngjarjet e ndërlidhura të 21 janarit tentonte pikërisht këtë: të kompleksonte familjarët e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, më shumë sesa vetë vrasësit e tyre.

Kompensimet financiare për gabime, faje apo krime shtetërore janë një dukuri normale e një vendi demokratik. Një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të paguajë faturat e gabimeve të saj apo krimeve, si në rastin e 21 janarit. I duhet të paguajë faturat e shkollës së fëmijëve të Ziverit, mungesën e babait të vajzave të Aleksit, jetën e shkatërruar të djalit të Faikut, të atij që jeton dhe jetën e marrë në gjysëm të djalit tjetër që nuk duroi vrasjen e të jatit. Shtetit i duhet të paguajë dhimbjen e papritur të familjes së Hekuranit, që erdhi jo për protestë, por për të bërë selfie në 21 janar, dhe shtyu ikjen në Greqi ku do të vazhdonte jetën normale që ja ndërpreu Agim Llupo nga halet e bodrumeve të Kryeministrisë. Për këtë arsye as Marku dhe askush tjetër nga familjarët, nuk duhet të ndihen keq. Ato para, janë më e pakta që Shteti i detyrohet atyre, si edhe familjarëve të Gërdecit. Edhe ata, siç thotë Sali Berisha, viktima të një krimi shtetëror. Dhe siç Mark Nika me të drejtë thotë, kjo nuk ka lidhje hiç me procesin penal ndaj fajtorëve dhe autorëve të dukshëm dhe të padukshëm të vrasjeve në 21 janar. Por dëmshpërblimi i qëllimshëm, katil dhe pervers tre ditë para përvjetorit të katër vrasjeve, ka lidhje me bashkëfajësinë që kjo masë tenton të krijojë në krim, me të gjithë ne, pikërisht në mungesë të drejtësisë ndaj vrasësve të vërtetë.

Të gjithë e dimë se drejtësia nuk është nën ndikimin e qeverisë së majtë. Siç më ka deklaruar Edi Rama në një intervistë një vit më parë “Drejtësia e munguar në 21 janar, ka qënë motivi im i shtuar për të bërë reformën në drejtësi”. Atëherë cila është arsyeja që qeveria vonoi QELLIMISHT dëmshpërblimin e gjyqit të fituar nga familjarët e katër të vrarëve vetëm tre ditë para përkujtimit të 21 janarit, kur vendimi i gjykatës administrative është dhënë muaj më parë?

Këtë mund ta dijë vetëm Edi Rama, por edhe nëse nuk na e thotë, nuk e ndan dot me ne të gjithë, dështimin e tij më të madh të katër viteve: mosdhënien drejtësi për këtë krim shtetëror. Të cilin e premtoi në vitin 2012, kur proceset gjyqësore gjetën pa faj, të gjithë ata qe “me zë e figurë” vranë në 21 janar. Sepse mesa duket, ky ishte edhe qëllimi kovert, i këtij vendimi, që është i turpshëm, dhe tenton të na turpërojë të gjithëve ne.

Që taksapaguesit shqiptarë t’i bësh “bashkëfajtorë” për drejtësinë e munguar për 21 janarin, është një vendim i turpshëm. 160 milion lekët e djeshëm, koincidojnë me 1,6 milion shqiptarët që votuan në qershor 2013 dhe zgjodhën të mbështesin ose ata që protestuan në 21 janar ose ata që urdhëruan vrasjet po në të njëjtën ditë. 21 janari do hyjë në histori si një ditë ndarëse e jo bashkuese, për shqiptarët. Edhe sot nëse bën një sondazh, nuk ka një shumicë absolute që mendon se 21 janari ishte krim shtetëror. Komplekset e qeverisë Rama Meta me 21 janarin, nuk zbehen duke bërë 1,6 milion shqiptarë të paguajnë secili nga 10 mijë lekë turpin e mosdhënies së drejtësisë për këto vrasje.

Në këtë rast ka vetëm një aritmetikë: qeveria e majtë bëri shtetasin Agim Llupo të paguajë vetëm 10 mijë lekë të vjetra, krimin që kreu në 21 janar. Për qeverinë Rama, 10 mjë lekët që “pagoi” dje Llupo, është drejtësia e vetme që ajo vendosi pas katër vjetësh, për katër viktimat e përgjakura në themelet e pushtetit të saj. Në fakt, ajo që nuk dhamë dje në lajmet e Top Channel është se jeta e Ziverit, Faikut dhe Hekuranit (Aleksin “zyrtarisht” nuk dihet akoma kush e vrau), i kushtoi vrasësit të vërtetë, secila, j0 300 mijë dollarë, por vetëm 3 mijë lekë. Pjesën tjetër e paguam padrejtësisht ne, të tjerët. Kjo me ose pa dashje ishte mënyra, sesi qeveria deshi të thoshte se Ziverin, Faikun, Hekuranin dhe Aleksin, i vramë të gjithë ne, bashkë me ushtar Agimin. Sesi ajo deshi të blinte heshtjen e familjarëve dhe mbulonte dështimin e saj, për mosvënien e drejtesisë gjashtë vjet pas vrasjes. Një fantazëm makbethiane që i prish asaj gjumin çdo 21 janar!

Por këtë, unë nuk e pranoj dot. Aleksin, Mark, nuk e vrava unë!

Në fakt Agim Llupo mund të më kishte vrarë dhe mua atë ditë në Bulevard, pasi plumbat e tij ranë pa diskriminim si mbi ata që vdiqën, ata që u plagosën (si kolegu im i ABC Neës, dhe ata që si puna ime, nuk e besuan deri në minutë të fundit se në vitin 2011 mbi njerëzit nga shteti, mund të qëllohej me plumba të vërtetë!

Gjashtë vjet pas asaj ngjarjeje të pabesueshme, kur në studio përballë meje kisha pak javë më parë Sali Berishën që pranoi se do të kishte vrarë edhe më shumë se katër, për të ruajtur pushtetin e vet, kur Ilir Meta si cdo 21 janar, ka gjashtë vjet që në këtë ditë gjen sebep dhe ikën jashtë, kur Edi Rama shpërndan dëmshpërblime për 21 janar, si gjelin e detit për Vit të Ri, unë e kam të pamundur të pranoj të barazohem me vrasësit e atyre katër fatkeqëve.

Edi Rama me vendimin e djeshëm, duke vendosur një çmim, mbi kufomat e katër të vdekurve, nuk kreu një akt drejtësie dhe as vazhdimësie shtetërore. Në fakt ai përmbushi një ekuacion fatal: duke vënë shenjën e barazimit mes një shumëe lekësh që i nxorri nga buxheti i qeverisë së vet dhe një krimi të pandëshkuar të qeverisë së Berishës, ai thjesht barazoi veten e tij me vrasësit e vërtetë.

Llogaritje e gabuar. Jo e lekëve, dhe as thjesht e kohës kur e bëri.

Tani ta mbajë faturën vetë.

Share: