Home KRYESORE Austri, shqiptari i dyshuar për terrorizëm bashkëpunon me autoritetet

Austri, shqiptari i dyshuar për terrorizëm bashkëpunon me autoritetet

17-vjecari austriak me origjinë shqiptare, i akuzuar se kishte planifikuar të shpërthente një bombë në Vjenë, u ka thënë autoriteteve se ka ndërmend të bëjë një deklaratë gjithëpërfshirëse.

Sipas portalit austriak të lajmeve ORF, adoleshenti që aktualisht mbahet në një burg të vjenës pas arrestimit të premten e kaluar, ka rënë dakord të bashkëpunojë me autoritetet dhe seanca e marrjes në pyetje do të mbahet të hënën.

Hetuesit austriakë deklarojnë se 17-vjeçari vazhdon të mohojë akuzat se planifikonte të kryente një atentat në vjenë dhe se për këtë ishte stërvitur në Gjermani.

Megjithatë, ai ka pranuar se ka qenë në kontakt me një 21-vjeçar, i arrestuar në lidhje me ngjarjen në qytetin gjerman Nojs. Të dy të rinjtë ishin njohur në forume interneti islamike.

Ndërkohë, avokati i 17-vjeçarit, Wolfgang Blaschitz tha për Agjencinë Austriake të Shtypit se, dy të rinjtë kishin provuar fishekzjarre dhe ndërtuar një bombë tymi, por asgjë që mund të përbënte rrezik konkret.

Përfaqësuesi ligjor pranon se shqiptari ishte përfshirë në qarqe islamike radikale dhe se kërkonte të kontaktonte një predikues radikal në Vjenë, por shton se nuk ka të dhëna se ai po përgatiste ndonjë akt konkret terrori.

Share: