Në 26-vjetorin e daljes së numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike” kryetari aktual i opozitës Lulzim Basha perballe te ftuarve dhe liderit historik Sali Berisha tha se sot situata e medieve në vend është e rëndë. Sipas tij qeveria po ushtron presion mbi shtypin e lirë.
“Korrupsioni në sistem, krimi në sistem, klientelizmi në sistem, arroganca dhe arbitrariteti i skajshëm, janë sfidat dhe dorashkat që na ka hedhur të gjithëve në fytyrë pushteti i sotëm: opozitës, medias, shoqërisë civile, shoqërisë shqiptare. Kjo është qeveria që edhe kur kapet duke abuzuar e vjedhur, me presh në duar, me fakte dhe shifra të pakundështueshme, na thotë ne, ju thotë ju, ju thotë qytetarëve “pse hidhni baltë”. Kjo është qeveria e mjerimit dhe përkeqësimit, që i kërkon popullit të këndojë për të! Një qeveri si kjo, kërkon të mundë njerëzit e t’u mbyllë gojën me të keqen e saj” – tha Basha.
Ai u bëri një kërkesë medieve dhe gazetareve të bashkëpunojnë për të garantuar zgjedhje të lira.
“Meqë jemi të zgjedhjet, unë u bëj thirrje të gjitha mediave të vendit, pa asnjë dallim, përfshirë mediat që janë kritike e shumë kritike me opozitën apo me mua: të bashkohemi sot në një angazhim të përbashkët për zgjedhje të lira e të ndershme:
-të luftojmë së bashku kundër çdo forme të riciklimit direkt apo indirekt në politikë të individëve me rekorde kriminale që ligji i dekriminalizimit i nxjerr nga dera, por vullneti i mbrapshtë i atyre që i promovuan në politikë po kërkon ti fusë nga dritarja, me bedelë e me forma të tjera.
-të luftojmë se bashku për të zhdukur njëherë e mirë shitblerjen e votës si atentati më i madh që mund t’u behet zgjedhjeve të lira e të ndershme” – tha Basha.