Home KRYESORE Befason Eni Çobani, ja çfarë thotë për “Shihemi në gjyq”

Befason Eni Çobani, ja çfarë thotë për “Shihemi në gjyq”

Të jesh ndërmjetësuese në çështje që nuk marrin zgjidhje brenda pjesëtarëve të një familje sigurisht që kërkon guxim dhe forcë, të cilën duhet ta gjesh brenda vetes.
Ndërsa zhvillon një bisedë miqësore, shoqëruar me një kafe turke, arrin të dallosh në karakterin e saj guximin dhe forcën. Nga njëra një grua në karrierë, e nga ana tjetër një nënë dhe bashkëshorte e kujdesshme.  Ajo rrëfen djali i saj ka një tjetër drejtim  atë të elektronikës dhe letërsisë.  Rubrika “Shihemi në gjyq” është një rubrikë interesante për qytetarët e vendit tonë, pasi sipas saj, ata mësohen me idenë e të biseduarit dhe negociuarit për tema delikate. Nëse personazhet janë realë apo jo, avokatja Eni e shpjegon më poshtë.
Si ndjeheni pas një dite të gjatë pune? 
Pas një dite të gjatë pune padyshim që ka lodhje dhe stres. Kjo vjen për shkak të takimeve të shumta që kam. Por, mund të them se të nesërmen e nis ditën me energji të reja dhe vij me dëshirë në punë. Të jem kjo që jam për mua do të thotë shumë dhe nuk di të mërzitem pasi unë e dashuroj punën që bëj.
Si është të jesh njëherësh avokate e ndërmjetësuese e një zyre, dhe ndërmjetësuese te “Shihemi në Gjyq”?
Emocionet janë tek të dyja. Unë me klientët e mi tashmë kam një raport familjar do thosha sepse unë di çdo gjë për ta. Ata vijnë tek unë më një besim shumë të madh, duke besuar se një çështje apo problem i tyre do të marrë dhe zgjidhje. Kjo nga njëra anë është emocion shumë i madh, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi morale dhe profesionale. Ndërsa të jem ndërmjetësuese tek “Shihemi në gjyq”, është emocion i dyfishtë, sepse më duhet të kujdesem për gjithçka. Por, është një ndjesi e bukur. Ajo që unë kam vënë re gjatë punës sime është që palët e kanë të vështirë të ulen përballë njeri-tjetrit. Tek avokati apo konsulenti gjithmonë paraqitet pala e dëmtuar  dhe është pak e vështirë të thërrasësh palën tjetër. Kjo sepse mes njerëzve, qofshin këto të afërt  vërej se ka një urrejtje, gjë e cila sjell edhe moskomunikimin mes tyre. Ndërmjetësim për mua është komunikim. Kjo është faza para se çështja të shkojë deri në gjyq. Madje do thosha që kjo shkurton edhe  kohë në shqyrtimin e çështjes nga gjykata pasi ia paraqit bashkangjitur të gjitha dokumentet apo përpjekjet e bëra për negocim. “Shihemi në gjyq” për mua është një mision. Pse them mision? Sepse unë dua që njerëzit të besonin tek ligji… Dhe çfarë ndodhi unë asnjëherë nuk kam pranuar që të jem në media duke mos bërë profesionin tim. Tek “Shihemi në gjyq” falë Zotit u arrit dhe dua të paraqes  para publikut modele të cilët arrijnë konsensus. Dhe njerëzit filluan të besonin pasi nga njëra anë kishim gjykata tek të cilat nuk merrnin një zgjidhje apo përballeshin me vonesa në përgjigje(zvarritje),  ndërsa tek  “Shihemi në gjyq” ata gjetën besim dhe zgjidhje.  Gjithmonë e kam thënë që tek ligji duhet të besojmë. Dua të ndalem pak tek rubrika që unë bëj , mediat më së shumti diskutuan nëse personazhet janë realë apo jo. Por a mund të jetë joreal halli i dikujt tjetër? Përveç kësaj, unë mendoj që media duhet të merret më shumë me përmbajtjen e formatit se sa me personazhet. Këtu dua të falenderoj edhe Ardit Gjebrean për bashkëpunimin që kemi me njeri-tjetrin.
Po flasim për drejtësinë … si e shihni këtë në vendin tonë? 
Besueshmëria tek drejtësia në vendin tonë është në nivel të ulët, por kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk duhet të besojnë tek ligji, patjetër që duhet të besojnë. Unë do thosha që në këtë rast shoqëria  luan një rol të rëndësishëm. Ajo duke qenë e fortë dhe duke mos u lëkundur përpara mundësisë për  “t’u korruptuar apo qenë pjesë e tij” , sjell patjetër  një tjetër sistem drejtësie. Nuk mund të themi se jemi një shoqëri evropiane dhe mund të jemi pjesë e Evropës pa e respektuar ligjin. Respekti për ligjin duhet të jetë pjesë e kulturës së shoqërisë së sotme. Ata (gjyqtarët,avokatët)  janë prodhim i shoqërisë. Shoqëria është në krizë individualiste dhe i drejtohemi gjithmonë sistemit më të prekshëm që është ai gjyqësor.
Sa ka ndryshuar jeta juaj qysh me startin e “Shihemi në gjyq” dhe me zyrën tuaj?
Jeta ime është transformuar  dhe në një farë mënyre është vënë në dispozicion apo në shërbim të njerëzve. Fillimisht kur nisi rubrika “Shihemi në gjyq” kishte net pa gjumë për shkak të ankthit të përgjegjësisë, por ja ku jemi sot duke e bërë më së miri.  Kjo rubrikë ia ka kaluar edhe Vettingut.
Gjithë kohës me angazhime, kur pushon Eni?  
Unë pushoj gjithmonë pas orës 12 të mbrëmjes(qesh). Ditët janë gjithmonë të ngjeshura dhe intensive koha ikën shumë shpejt. Aq shpejt sa unë sot nuk munda në pushimin e drekës t’i dërgoja ushqimin djalit tim. Dhe mendja ime është atje edhe sot, pasi e kam me merak. Pushimet më të gjata  bëj gjatë verës ku unë pushoj bashkë me familjen time për gati një muaj.
Jeni një femër e fortë dhe avokate e zonja. Kaq e fortë jeni edhe kur jeni me familjarët tuaj? 
Me djalin mundohem të jem disi më e butë, por tashmë unë kam krijuar një personalitet dhe ndaj djalit jam gjithmonë kërkuese. Tek ai dua të shoh atë intelektualin.
Edhe ai do të jetë një avokat? 
Jo ai ka një drejtim komplet tjetër. Ai studion për elektronikë, ka një prirje kah letërsisë. Këtë e ka të trashëguar nga i ati, nga brezat e mëparshëm. Por, mendoj që edhe një fakultet të dytë, ndoshta për drejtësi,  mund të bëjë më vonë.
Si janë raportet e tua me muzikën? 
Muzika më pëlqen shumë. Gjithmonë mëngjeseve për 30 minuta sa unë bëhem gati për punë do të ketë muzikë. Edhe kur jam vetëm në zyrë qysh jashtë mund të dëgjosh tingujt e muzikës. Unë kam studiuar për 8 vite violinë, por prindërit e mi bënë një zgjedhje të zgjuar pasi me drejtuan në një tjetër rrugë dhe violinën e panë si formimin timin. Gjithashtu më pëlqen shumë edhe muzika popullore, në mbledhjet familjare jam e para që mund të kërcej dhe nuk e kam fare kompleks që të mos kërcej meqë jam një person i njohur. Do ta dëshiroja shumë që të isha në koncertin e vitit të ri, por si pjesë e sallës.
Sa shpesh udhëtoni?
Gjithmonë udhëtoj, por këto janë udhëtime pune më së shumti. Unë jam vetëm në makinë, ku ndizet kasetofoni dhe ka muzikë. Sigurisht me shpejtësinë për të shkuar në gjyq (qesh). Gjatë kësaj kohë unë bëj një bisedë me veten. Ndoshta shumë të tjerë duan dikë që të bisedojnë por unë flas shpesh me veten dhe brenda saj kam gjetur edhe zgjidhjet e asaj që kërkoj.
Cilat janë librat që ju lexoni?  
Gjithmonë kam lexuar, tashmë janë e fokusuar tek librat bibliografikë dhe filozofikë. Kam lexuar bibliografinë e Lady Diane, për mua kjo është idhull. Gjatë kohës që ka ndodhur funerali I saj unë kam qenë në Angli dhe po shkoja për Birmingham ndaluan të gjitha automjetet a thua sikur dikush t’i kishte ndalur me dorë dhe të gjithë mbajtën një minutë heshtje për të. Gjatë kësaj kohe unë kisha mundësinë të dëgjoja variantet e atyre që ishin pro saj dhe kundër. Dhe unë u jap të drejtë mbështetësve të saj. Teksa lexoj dhe studio biografinë e saj unë gjej veten. Ndërsa me informacione është im bir që më informon gjatë gjithë kohës.
Për çfarë kujdeset më së shumti Eni? 
Veshjet janë pika ime e dobët dhe mendoj që veshja është e qenësishme. Nëse ka diçka që e shoh me kujdes është veshja. Këtë kulturë e kam të transmentuar nga mamaja ime, e cila ka ditur gjithmonë të më kombinojë veshjet me njëra tjetrën. Kjo kulturë dhe dëshirë të dukuri mirë është bërë pjesë e imja dhe unë ia kam transmentuar edhe djalit tim. Unë nuk e di nëse e kishte nga dëshira që isha vajzë dhe ajo më vishte si të isha një kukull pasi unë kam djalë. Gjithashtu im atë i dashuronte shumë parfumet.
Të qenurit e angazhuar si ndikon në marrëdhënien me bashkëshortin? 
Tek bashkëshorti im kam gjetur mbështetje dhe për këtë unë e falenderoj pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë moment që unë të jem para disa kushteve. Çdo bashkëshort e dëshiron që ta ketë më shpesh pranë bashkëshorten e tij, por ai e ka kuptuar punën që unë bëj dhe për këtë jam e lumtur.
Ju pëlqen kafja turke?
Po. Kafja turke për mua është e rëndësishme gjatë një dite pune. Vetëm këtë konsumoj.
Share: