Home KRYESORE Dështojnë bisedimet me BDI-në, Maqedonia ne Udhëkryq!

Dështojnë bisedimet me BDI-në, Maqedonia ne Udhëkryq!

Pak para skadimit të afatit të Nikolla Gruevski per te formuar qeverine e re maqedonase, dje në mesnatë, BDI-a që drejtohet nga Ali Ahmeti ka njoftuar se nuk ka gjetur pika të përbashkëta për koalicion me VMRO-në. BDI nuk ka miratuar as ndonjë vendim tjetër lidhur me pesë pikat e saj, për koalicion me LSDM-në, për zgjedhje të parakohshme, qeveri të zgjeruar apo mbetjen e saj në opozitë.

“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për tu përcaktuar për njërin nga pesë opsionet të cilët i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pa dhënë detaje se çfarë është pranuar dhe çfarë jo nga VMRO DPMNE¬ja e Nikolla Gruevskit.

BDI-a në bisedime me këtë parti ishte futur me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për të ishin të panegociueshme: zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë

“Për ne, ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptare, kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente. Vlerësojmë se sot nuk është shterur ai debat dhe nuk mund të sillnim një vendim. Vlerësoj se më me rëndësi është vendimi i duhur se sa vendimi në kohë”, ka theksuar Osmani.

Edhe VMRO DPMNE-ja ka njoftuar për dështimin e bisedimeve ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRODPMNE konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare në plan të parë”, thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI¬së, raporton REL.

Çdo zgjidhje tjetër, sipas VMRO-DPMNE-së “do të çojë drejt konfliktit të ri në shoqërinë edhe ashtu të ndarë dhe nuk do të jetë në funksion të qëndrueshmërisë dhe realizimit të qëllimeve programore. VMRO pretendon se “dikush dëshiron të anashkalojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe ta fusë Maqedoninë në një fazë të re pasigurie.”

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit mbetet dilema nëse Presidenti Gjorgje Ivanov do t’i jep mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM¬së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re.

Ditëve të fundit ka pasur vlerësime të ndryshme që pretendojnë se Presidenti duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM¬në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO¬së.

Por, ekspertët juridikë edhe në rastin e parë kanë konstatuar shkelje nga ana e presidentit, pasi, sipas tyre, mandati iu dha Gruevskit pa u siguruar paraprakisht nëse ai e kishte shumicën parlamentare ashtu siç kërkohet me Kushtetutë.

Share: