Nga Çapajev Gjokutaj
Ardhja e Trump mund ta ndryshojë botën në disa segmente jetike, thotë BBC. Dy prej tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe të ardhmen tonë si komb.
1: Pritet që lidhjet ShBA- Rusi të jenë më të buta, në mos më miqësore. 2: Nuk dihet e ardhmja e NATO-s; skenari më optimist është reformimi thelbësor i saj.
Disa koka të politologjisë amerikane si Kissinger etj mendojnë se zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë ka qenë veprim jo fort i peshuar.
Po qe se kjo pikëpamje fiton teren, zbutja në marrëdhëniet ruso – amerikane mund të sjellë ndyshime ekuilbrash gjeopolitikë edhe në Ballkan.
Në rastin e këtij skenari do të kapërcenim ylberin: nga komb i favorizuar prej gjeopolitikës 2-3 dekadat e fundit, do të ktheheshim në të kundërtën.
Veç kësaj, dobësimi apo, larg qoftë, zhbërja e NATO-s do të na bënte tejet të dobët përballë orekseve të fqinjve shovinistë.
Të gjitha këto janë gjasa, por duhen diskutuar e peshuar, për t’i dalë të keqes përpara.
Në se beson mediat e Tiranës, problemi ynë kryesor lidhur me ardhjen e Trump, mbetet kush vajti e kush nuk vajti në inagurim; ishin të ftuar apo blenë ftesa sehirxhinjsh etj.
Vështirë ta shpjegosh nga buron kjo prirje për të lenë në heshtje probleme ekzistenciale e për t’u marrë me mustaqet e Çelos.
Vjen nga që gjallojmë në provincë dhe edhe mediat i kemi në nivel provincial? Vjen nga që kemi media që priren nga gjëra të zhurmshme por të lehta, se kështu rrisin audiencën dhe klikimet?
Apo është muhabet elektoral: ftesa nga Washingtoni ose mungesa e saj i paraqiten publikut si mundësi fitoreje apo humbjeje në zgjedhjet e qershorit?
Më shumë gjasa ka kjo e fundit. Elitat tona politiko-mediatike nuk para e vrasin mendjen për gjëra të largëta, për gjeopolitikë a çështje kombëtare. Duan vetëm pushtet. Tani dhe këtu. Që të bejnë zanatin. Të rjepin.
(Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’)