Home KRYESORE Ish-Kreu i SHISH: Shqipëria dhe Kosova të përgatiten për sulmet serbe

Ish-Kreu i SHISH: Shqipëria dhe Kosova të përgatiten për sulmet serbe

Për ish-Kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, si qeveria shqiptare ashtu edhe ajo e Kosovës duhet të jetë e bashkuar dhe e përgatitur për sulme nga ana Serbisë.

Në një intervistë për gazetën “Sot”, Klosi komenton arrestimin e Ramush Haradinajt dhe deklaratat e bëra nga ana e Serbisë, se “Shqipëria nuk duhet të fusë hundët në këtë çështje”.

Sipas Klosit, këto deklarata nacionaliste serbe janë normale në rrjedhën e këtyre ngjarjeve, ndërsa shton se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të përballuar baltën antishqiptare që do të vijë nga Beogradi.

Klosi u ndal edhe tek çështja e bashkimit të shqiptarëve të Maqedonisë, e cila sipas tij ka sjellë reagime dhe panik në radhët e maqedonasve, pasi ata nuk i duan shqiptarët të bashkuar.

Pjesë nga intervista e Fatos Klosit:

Ditët e fundit ka patur tensione të marrëdhënieve me Maqedoninë. Shkupi akuzon Tiranën se po ndërhyn në punët e brendshme sa i takon formimit të qeverisë dhe aleancave me partitë shqiptare. Si i shihni këto tensione?

Nëse partitë shqiptare konsultohen me pushtetarët e Tiranës ose të Prishtinës, nuk ka asgjë të keqe. Kjo është një mundësi se si shqiptarët mund të arrijnë atje ku duan. Psh, të zbatohet marrëveshja e Ohrit, që deri tani nuk ka një zgjidhje. Nacionalistët maqedonas janë tallur me shqiptarët. Mbase për maqedonasit është e rëndë që shqiptarët duhet të jenë bashkë. Problemi kryesor është nacionalizmi maqedonas për shqiptarët. Shqiptarët janë në rrugë të drejtë. Për këtë duhet të shqetësohen maqedonasit. Ata po e ndjejnë forcën e shqiptarëve dhe kanë filluar të shqetësohen.

Po ashtu edhe Serbia akuzon qeverinë shqiptare se po ndërhyn në punët e saj të brendshme me arrestimin e Ramush Haradinajt. A e shihni me vend shqetësimin e Serbisë ndaj Tiranës zyrtare?

Ne duhet të jemi të zotë të përballemi me serbët. Serbia do përpiqet me të gjitha mënyrat që të hedhë baltë mbi gjithë shqiptarët e rëndësishëm që luftuan kundër saj. Problemi është, ne çfarë duhet të bëjmë? Shqipëria ka bërë deklaratat e saj dhe çfara thotë Serbia nuk më shqetëson fare. Më shqetëson qëndrimi i shqiptarëve si do përballen me këtë politikë. Qeveria shqiptare dhe kosovare duhet të përgatiten më mirë për t’u përballur me serbët.

Share: