Home KRYESORE Kohe kur me mediat nuk merret më Shik-u, por dora vetë kryeministri!

Kohe kur me mediat nuk merret më Shik-u, por dora vetë kryeministri!

Nga Artur Zheji

Në vitet 2014-2015 mora përsipër edhe njëherë drejtimin e mediave Mapo, mbas një kërkese këmbëngulëse të Henri Çilit dhe kundrejt një kontrate për tu pasur zili. Në të vërtetë Mediat e Henrit kishin shkuar drejt ekstremit të djathtë gjatë qeverisjes Berisha 2 dhe duhej shumë mjeshtëri dhe punë për ti sjellë ato në ekuilibrin e duhur. Në fillim kjo u lexua nga ekstremistët e djathtë, si një tradhëti apo si një kthim majtas të Mapo-s, por në të vërtetë, ato u ekuilibruan në qendër, që do të thotë më shumë objektivitet dhe më pak militantizëm.

Mirëpo presioni i kryeministrit, me telefonata të drejtëpërdrejta dhe me të dërguar të specializuar, rritej proporcionalisht me të ashtuquajturën Reformë në Arësim…

Dhe atëhere në mënyrë eksplicite, botuesi, pronari, miku dhe gazetari Çili doli dretëpërdrejtë në temë me kërkesa të qarta: “Reformatori Rama, është zgjidhja dhe zgjedhja e vetme editoriale e mediave Mapo! Berisha, Basha apo Meta, janë apo duhet të trajtohen editorialisht, si dukuri të dorës së dytë apo të tretë…”

Duhej pra, që gazeta dhe revistat dhe Portali Mapo, të shndërroheshin në amplifikatorë dhe në suporte direkte të qeverisjes së Ramës. Por nuk mjaftohej me kaq, duhej që të sendërtohej edhe një qëndrim kritik ndaj të tjerëve, si pengesa regresive të kryeministrit progresist.

Kjo linjë editoriale kaq e angazhuar proqeveritare që kërkohej, ishte pak të themi gati e një natyre militante dhe kërkesat që vinin në këtë drejtim hasën në rezsitencën time të cilat sollën si përfundim dorëheqjen time.

Dorëheqje që u prit me gëzim të pafshehur nga miku, gazetari dhe pronari Çili, si edhe nga të dërguarit e kryeministrit apo edhe vetë nga ai, që asokohe e telefononte disa herë në ditë, për të dëgjuar gurgullimat e gëzuara, adhuruese dhe mbështetëse të Henrit në drejtim të naltmadhërisë së tij kryeministrore.

Alfred bëre mirë që u largove, duke shpresuar që të të mos kenë larguar nga ajo detyrë drejtuese, që e more në një kohë krejt të papërshtatshme. Sepse ajo barkë mediatike, për të cilën kam punuar disa vite me përkushtim, ka hyrë në një mjergull dhe në vorbulla që të marrin emrin përgjithmonë.

Kur tanimë u largova nën presion 1 vit më parë nga Mapo, mendova se po e teproja kur mendoja me argumenta, se pas këtij presioni të pronarit, qëndronte në të vërtetë, presioni i Kryeministrit, që gënjen kur deklaron si në faj, edhe pa e pyetur kush, se nuk lexon mediat prej vitesh. Duke bërë alibinë e kotë, se nuk është një lexues maniak i tyre. Por ne gazetarët e dimë, që kjo është një nga gënjeshtrat e tij më të trasha, ndërkohë që ai, ka aftësinë të gënjejë mjaft më hollë dhe mjaft më mjeshtërisht, falë një trajnimi të gjatë me aftësinë e të gënjyerit të të gjithëve dhe për të gjitha.

Iku dhe Shkullaku nga Abc. Iku apo e larguan, është një pyetje e kotë. Jemi përpara Zgjedhjeve të Përgjithshme dhe Kryeshefi po merr masat e veta 360gradë, për të spastruar të gjitha mediat, përfshirë dhe Abc.

Dukej sikur Frangaj do të kishte mundësi të mbante një Media kritike dhe një Media mbështetëse të qeverisë njëkohësisht, Abc dhe Tv Klan, por ja që tash në prag të zgjedhjeve dhe as për Frangajn e “madh”, ky dyzim nuk ishte dot i mundur.

Dhe duket se u detyrua taktikisht, të lëshojë edhe mikun e vet të vjetër Shkullakun, duke bërë një “katharsis”, e pra një “vetpastrim” nga çdo kleçkë apo nga çdo gazetar me rezistencë në mediat e tij, si edhe ishte rasti Shkullaku. Ka mbetur vetëm Fevziu pra, nga garda e vjetër e “nismëtarëve”…

Këto janë këmbana të zymta, që të kujtojnë periudhën primitive post-komuniste ’92-’97, në trajtimin e mediave, sigurisht me një përmirësim. Me mediat nuk merret më Shik-u, por dora vetë kryeministri dhe Zyra e tij e posaçme e Çensurës së mediave, nëpërmjet marrëveshjeve mikluese dhe shpërblyese me pronarët e tyre.

Është ky, profili i një kryeministri Reformator?

Është e mjerueshme për ata që e besojnë, ose për ata që u lypset të artikulojnë, pallavra të tilla të turpshme dhe qesharake në publik.

Sigurisht është ky rasti të themi një: “Bravo!” për kryeministrin! Ai është në rrugën e tij drejt fitores me çdo çmim të zgjedhjeve të ardhshme, nga skuadronet e të fortëve e deri politikën editoriale të shumicës së mediave shqiptare.

Një “Bravo!” për këtë spastrues kaq punëtor të mediave, në prag të Zgjedhjeve te Përgjithshme, ndërkohë që rivalët e vet politikë, do të jenë detyrimisht të çensuruar mjeshtërisht dhe në dritën e diellit.

Share: