Home KRYESORE Kryeveprat e artit italian të viteve 1900 në Tiranë

Kryeveprat e artit italian të viteve 1900 në Tiranë

Nga 16 janari deri më 2 prill 2017, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë pret ekspozitën e parë të këtij dimensioni në Shqipëri: “ 1900. Kryeveprat e artit italian”. Kjo ekspozitë, që do të mbajë më shumë se 100 vepra të shkëlqyera të Galerisë së Artit Modern të Romës, përfaqëson një kontribut thelbësor në historinë e artit italian të shekullit të XX.

Mbështetur fuqimisht nga institucionet publike shqipëtare, ekspozita u realizua falë një partneriteti publik- privat , me promovues të palës shqiptare, Kryeministrinë, Ambasadën e Italisë në Tiranë, Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, Ministrinë Kulturës në Shqipëri, Bashkinë e Tiranës dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe me promovues të palës italiane Bashkinë e Romës, Departamentin për Rritjen Kulturore – Arkeologjinë si dhe me kontributin themelor të Fondacionit Terzo Pilastro – Italia dhe Mesdheu.  E gjitha nën kordinimin, prodhimin dhe organizimin e Arthemisia, shoqëri lider në nivel ndërkombëtar për artin dhe kulturën.

Midis pikturave, skulpturave,  akuareleve dhe skicimeve, rrugëtimi ekspozitës  – kuruar nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – hulumton përmes kulturës artistike e cila i ka rrënjët e saj në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane: janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj si Giacomo Balla (Ritratto di Nathan, 1910 – Portreti i Nathan-it), Carlo Carrà (Partita di calcio, 1934 – Ndeshje futbolli), Giorgio de Chirico (Combattimento di gladiatori, 1933-1934 – Ndeshje gladiatorësh), Filippo de Pisis (Natura morta – pesci e bottiglia, 1925 – Natyrë e qetë – peshq dhe shishe), Giuseppe Capogrossi (Giuochi del 1935 – Lojëra), Renato Guttuso (Tetti di Roma, 1957-59 – Pullazet e Romës) e Adolfo De Carolis (Donna con fiori – Nudo di donna con rose, 1910 – Grua me lule – Nudo gruaje me trëndafila).

Në ekspozitë gjenden edhe veprat e Antonio Donghi, Afro, Duilio Cambellotti, Franco Gentilini, Felice Casorati, Enrico Coleman, Fortunato Depero, Vittorio Grassi, Achille Funi, Carlo Levi, Giacomo Manzù, Alberto Savinio, Tato e Giulio Turcato, e vetëm për të përmendur disa nga mbi 60 protagonistët e pranishëm në ekspozitë.

Nëpërmjet gjashtë seksioneve – Natyralizmi i Vonë dhe Simbolizmi, Secesioni Roman, Futurizmi dhe Aeropiktura, Tradita italiane dhe dialogu me antiken, Shkolla Romane, Figuracioni dhe Abstraksioni -, ekspozita paraqitet si një unicum dialogu ndërmjet lëvizjeve të ndryshme artistike që zhvillohen gjatë Nëntëqindtës.

Duke u nisur nga vlerat simboliste të pikturës së peizazhit, ndërmjet fundit të Tetëqindtës dhe në fillim të shekullit e duke kaluar përmes asaj dëshire për rinovim dhe modernitet, që eksponentët e Secesionit roman jetojnë në vitet Dhjetë, arrijmë në shpërbërjet futuriste dhe aeropiktorët e viteve Njëzet e Tridhjetë; nga tendenca për rikuperimin e antikes dhe të traditës italiane që karakterizon lëvizjet e ndryshme artistike të atyre viteve (nga Realizmi magjik te Metafizika dhe te Klasicizmi i skulpturës), pastaj vazhdon thellimi i Shkollës romane që ofron një grup kryeveprash të artit italian të Nëntëqindtës dhe për t’u bashkuar, më në fund, me fazën e figuracionit dhe abstraksionit që karakterizoi kulturën e viteve Katërdhjetë dhe Pesëdhjetë.

Ekspozita KRYEVEPRAT e artit italian të viteve 1900 – nën përkujdesjen e Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada e Italisë në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë; është realizuar në bashkëpunim me Roma Kryeqytet, Departamenti i Rritjes KulturoreDrejtoria e mbikëqyrjes Capitolina si dhe me kontributin thelbësor të Fondacionit Terzo Pilastro – Italia e Mediterraneo në personin e Presidentit, Prof. Av. Emmanuele F.M. Emanuele.

E gjitha me bashkërendimin, produksionin dhe organizimin e Arthemisia, shoqëri leader në nivel ndërkombëtar për artin dhe kulturën.

Katalogu është botuar nga Silvana Editoriale.

 

EKSPOZITA

Seksioni i parë – Origjina simboliste dhe peizazhi

Në periudhën ndërmjet Tetëqindtës dhe Nëntëqindtës piktura e peizazhit bëhet zhanri me të cilin shprehen artistët e ambientit roman, të projektuar më shumë drejt modernitetit e që u drejtohen Simbolizmit që po u bënte i njohur në Evropë.

Shkohet përtej riprodhimit të thjeshtë të realitetit në një përpjekje për të kapur dhe për të shprehur një gjendje emocionale: konceptimi i natyrës sipas zgjidhjes simboliste gjallëron grupin me emrin I XXV della Campagna Romana, (Të XXV-ët e Fushës Romane) shoqatë artistike e themeluar në vitin 1904 nga Enrico Coleman dhe Onorato Carlandi, në të cilën morën pjesë artistë të ndryshëm nga kryeqyteti. Tashmë në fund të shekullit të kaluar, një vizion i ri i realitetit ishte manifestuar nga pararendësit e tyre Adolfo De Carolis në veprën Grottarossa (1895-1900) ku rrënojat arkeologjike spikasin hijerëndë në hapësirën e ngushtë të pikturës dhe në të njëjtën kohë thyhen në dritën e një muzgu të zjarrtë.

Subjekti i preferuar është i gjithë territori i Lazio-s, ende i papërlyer, ku pamjet e horizontit të gjerë pasurohen me mitet e të së kaluarës, si në akuarelet – praktikë kjo gjithnjë e më e shpeshtë – e Onorato Carlandi te Il Castello di Ostia – Kështjella e Ostia-s (1910), ndërsa një ndjeshmëri nokturne dhe misterioze përshkon peizazhin e Antonio Discovolo te La ninfa addormentata – Nimfa e fjetur (1921).

Bukuria e kornizës natyrale, e kombinuar me heshtjen dhe vetminë e vendeve e çon Enrico Coleman disa herë që të paraqesë Liqenin Nemi: te Speculum Dianae (1909) kompozimi është ndërtuar fillimisht me kontraste kromatike të justifikuara nga drita e veçantë e ditës në momentin e perëndimit.

Së fundi, ne nuk mund të harrojmë vokacionin historik dhe angazhimin social të disa artistëve: vizione të fuqishme si I civettari – Gjuetarët me kukuvajkë (1913) të Vittorio Grassi ose një prerje fotografike që karakterizon Carri di fieno a Terracina – Qerre me kashtë në Terracina (1923) të Giulio Aristide Sartorio.

 

Seksioni i dytë – Secesioni Roman

Secesioni Roman, i themeluar në janarin e vitit 1912, lindi si një lëvizje në kundërshtim me Shoqërinë e Amatorëve dhe të Lëvruesve të Arteve të Bukura, të cilët i ndikonte fuqishëm tregu artistik publik dhe privat, për kontrollin e organizimit dhe të promovimit të iniciativave artistike të Kryeqytetit. U themelua kështu një grup heterogjen i formuar nga artistë të ndryshëm për nga prejardhja, formimi dhe tendencat: ndër themeluesit e shoqatës së re do të përmenden eksponentët e divizionizmit roman, ndërmjet të cilëve Camillo Innocenti (në ekspozitë me La sultana, Sulltnesha 1913), Enrico Lionne (Violette, Vjollcat 1913), Arturo Noci (L’arancio, Portokollai 1914) dhe Giacomo Balla (Ritratto di Nathan, Portreti i Nathan-it 1910).

Në një atmosferë ndryshimi të zjarrtë, me Ekspozitën e Parë Ndërkombëtare “Secessione Romana” (të dislokuar në tetëmbëdhjetë sallat e katit përdhes të Pallatit të Ekspozitave), më 31 mars 1913 Roma është gati të paraqitet si alternativë e Venecia-s dhe e Secesionit të saj, për t’u përballur me Bienalen.

 

Seksioni i tretë – Futurizmi dhe Aeropiktura

Dinamizëm, shpejtësi, helika dhe motorë që buçasin: në fillim të Nëntëqindtës, dëshira antike e Ikarusit është plotësuar më në fund. Në vitin 1903, në fakt, vëllezërit Wright realizojnë fluturimin e prototipit të parë të avionit.

Shumë artistë fluturuan personalisht mbi qytete dhe fusha, duke riformuluar përvojën e tyre vizuale dhe emocionale në piktura që karakterizohen nga një kromatizëm sintetik dhe për t’i bërë elozhe perspektivës ajrore e cila i shtyp format dhe i sheshon peizazhet, duke imponuar zgjidhje grafike novatore.

Por, pavarësisht nga bashkëndarja e temave të përbashkëta, rezultatet stilistike te të cilët arritën përfaqësuesit e Aeropikturës ishin të ndryshëm dhe shumë të artikuluar: duke u nisur nga pëlhura e Fortunato Depero Polenta a fuoco duro – Pulendër me zjarr të fortë (1924-26) – në të cilën artisti, duke përdorur një shumicë të pikave të shikimit në prospektivë, paraqet ambientin e brendshëm të një kuzhine në malësi, në të cilën enët tipike të Trento-s janë përshkuar nga një dritë e ftohtë e cila ua kristalizon format – te Luigi Colombo, me pseudonimin Fillia, dhe te piktura e tij Innamorati – Të dashuruar (1930) – të futur në një hapësirë gjeometrike që del përpara një peizazhi metafizik – që aludojnë në lidhje me format primare biomorfike në të cilat është anuluar çdo diferencimin seksual në favor të një hibridi të formave të gjalla me matricë surrealiste; por edhe njëherë Enrico Prampolini që me Idealizmin e tij kozmik “Idealismo cosmico”  afron elementet realistë me të tjerë ironikë dhe fantastikë, te Marinaio nello spazio – Marinar në hapësirë (1934); Gerardo Dottori që heton në lidhje me raportin në dukje të pamundur ndërmjet Futurizmit dhe të Artit të shenjtë si te Natività – Lindja e Krishtit (1926-1930)  deri te, së fundmi, pionierja Benedetta Cappa që te Velocità di motoscafo – Shpejtësi motoskafi (1919-1924) paraqet ndërrimin e drejtimit të një motoskafi në det, të parë nga qielli.

 

Seksioni i katërt – Tradita italiane dhe dialogu me antiken

Sezoni artistik i viteve Njëzet dhe Tridhjetë karakterizohet nga dëshira për të parë traditën e madhe italiane. Orientimi i ri i klasicizmit nuk shprehet në imitim pasiv, por në dëshirën për të gjetur kufijtë e rinj të artit bashkëkohor.

Është periudha në të cilën Felice Carena frymëzohet nga tradita e madhe e Rilindjes italiane me pëlhura me dimensione të mëdha, si Serenità – Qetësi shpirtërore (1925) ku del në pah referenca e fortë e bashkëbisedimeve profane të Giorgione-s dhe në sensualitetin e fuqishëm të nudove të Tiziano-s, pa lënë jashtë referencat e modernitetit piktorik të Cézanne.

Një qetësi klasike” e tillë, gjendet te Albergo di provincia – Hotel province, e vitit 1927, natyra e qetë e Felice Casorati, ku kapaciteti evokativ i objekteve kombinohet me teknikën e temperas në dërrasë. Te Susanna, ai kthehet në temën e dialogut ndërmjet figurës nudo dhe figurës së veshur, me origjinë nga Rilindja.

Edhe piktura e Antonio Donghi nuk i lë gjë të mangët prirjeve romantike: te Donna alla toletta – Grua duke bërë tualet, e vitit 1930, me sipërfaqet piktorike të smaltuara, përsosurinë kaligrafike të kontureve që i japin figurës ngultësi, qartësi e saktësi.

Te Giovani in riva al mare – Të rinj në bregdet (1934) e Franco Gentilini staticiteti meditativ i atletëve, të kapur në momentin e pushimit, bashkohet me kultin e ekspozimit të tyre fizik sipas temave ikonografike që rrjedhin nga tradita më e lartë e Rilindjes, te Piero della Francesca.

Ky dialog regjistrohet, duke filluar nga vitet Njëzet, edhe në skulpturë. Tema e nudos, në ritmin e harmonishëm të rrumbullakësive vizive, është përkthyer në arkitekturë solide vizuale dhe në një binom të fuqishëm natyralizmi dhe sinteze formale tek Afrodite – Afërdita (1930-1934) e Attilio Torresini, në të cilën mungesa totale e lëvizjes thekson qëndrimin kundrues të figurës.

Nuk mund të mos kuptohet, më në fund, në tendencat e klasicizmit të gjysmës së parë të Nëntëqindtës roli ndërkombëtar i Giorgio de Chirico – me temën e gladiatorëve në vajin metafizik Combattimento di gladiatori – Ndeshje gladiatorësh (1933-1934) në të cilën hapësira mungon, koha absolute dhe figurat fikse e të bllokuara në lëvizjet e tyre, të Mario Tozzi – ku në skenat e harmonisë klasike përsëritet i zmadhuar elementi i guaskës si te In riva al mare – Në bregdet (1935) – dhe në gjestet e në figurat e bllokuara në hapësirën e Partita di calcio – Ndeshje futbolli (1934) të Carlo Carrà.

 

Seksioni i pestë – Shkolla Romane

“Shkolla Romane” – e njohur gjithashtu si “Shkolla e rrugës Kavur” – i përket Romës së viteve Tridhjetë, si rrymë pikturimi ndër më origjinalet sepse është përpjekur për të çprovincializuar kulturën artistike të kohës, duke i dhënë përsëri një autonomi që ishte harruar me kohë.

“Scuola di via Cavour” (Shkolla e rrugës Kavur) ka lindur në shtëpinë e dy personazheve të saj kryesorë, Mario Mafai dhe gruaja e tij Antonietta Raphaël, që së bashku me mikun e tyre Scipione (Gino Bonichi) i japin jetë një shoqate me qëllime kulturore e që transformojnë kryeqytetin në një lloj Parisi të ri.

Ky largim nga impianti i vjetër kulturor gjendet në ekspozitë te Demolizione di via Giulia – Shembje në rrugën Giulia (1936) e vetë Mafai-t duke dialoguar me Demolizioni – Shembje (1939) të Afro që përkthejnë shpërbërjen e formës tradicionale nëpërmjet ngjyrës, duke adoptuar atë tonalizëm që do të bëhet karakteristika specifike e grupit. Gjithnjë e vitit 1939 është Villa Medici e Orfeo Tamburi me gjuhën e saj sugjestive që shfrytëzon ngjyrën në kuptimin e ekspresionizmit. Dhe pikërisht ky përdorim i ngjyrës bën të zhvillohen bazat e një “farë realizmi” sidomos te një artisti si Fausto Pirandello – i biri i shkrimtarit Luigi – që kap, nëpërmjet transformimit të sendeve, shpërbërjen e realitetit që shihet qartë te Paesaggio romano – Peizazh roman (1935 – 1938).

Ndër figurat më të rëndësishme të grupit kemi Giuseppe Capogrossi që pikturon në këtë periudhë natyra të qeta (Giuochi – Lodra, 1935), portrete dhe pamje të Romës; Emanuele Cavalli që ka qenë një nga interpretuesit më lirikë e të rafinuar, siç e demonstron vepra Bagnante – Ajo që lahet (1933- 1934) e Carlo Levi që analizon temën e figurës njerëzore, jo pa elementë risie, duke nderuar intelektualët e kohës si te Ritratto di Alberto Moravia – Portreti i Alberto Moravia, i realizuar rreth vitit 1932.

 

 

Seksioni i gjashtë – Figuracioni dhe Abstraksioni

Debati artistik ndërmjet figuracionit dhe abstraksionit karakterizon vitet e pasluftës duke përfshirë artistë, intelektualë dhe kritikë arti, dhe vendos si pikë qendrore të diskutueshme interpretimet e ndryshme të konceptit të “Formës”.

Renato Guttuso bëhet udhërrëfyes për shumë artistë që zgjedhin ta bëjnë figuracionin drejtimin e tyre: Carlo Levi, me Carrubo – Çiçibanozin e tij (1959) shkrin natyrën antropomorfe me kërkimin e formës; Roberto MelliRitratto della signora Maria GenovesiPortret i zonjës Maria Genovesi (1949) bashkon kromatizmin dhe kompozimin dhe, në skulpturë, Giacomo Manzù – i përfaqësuar në ekspozitë me Testa femminile (Ritratto di Ada De Micheli), – Kokë femre, portreti i Ada De Micheli (1940) – kap shprehjen e fytyrës nëpërmjet një modulimi të ndryshëm të lëndës. Vetë GuttusoTetti di Roma – Pullazet e Romës (1957-59) preferon një pikturë timbrike dhe një dimension perspektive të shënuar nga një pasazh ndërmjet dritave dhe hijeve, me kampitura (sfonde) të qarta.

Përgjigja më energjike në lidhje me arsyet e artit abstrakt arrin nëpërmjet pikturës së Giulio Turcato, i cili e mendon ndryshe formën, braktis figurën dhe punon kryesisht me ngjyrën në funksion konstruktiv. Piktura në ekspozitë Rovine di Varsavia – Rrënojat e Varshavës (1948) bën pjesë në një seri të realizuar pas një vizite në qytetin polak, që ishte bërë rrafsh me tokë nga bombardimet e luftës së dytë botërore, në të cilin format grupohen dhe mbivendosen, duke u orientuar gjithmonë e më tepër ndaj një vizioni të qëndrueshëm dhe të ndërgjegjshëm abstrakt.

Në panoramën e viteve pesëdhjetë, zë vend edhe vepra e Giuseppe Capogrossi Superficie 572 – Sipërfaqe 572 (1955): brenda Shkollës Romane përshkon pikturën tonale për të braktisur pastaj figuracionin, deri në shkrirjen e imazhit nëpërmjet një procedimi të heqjes që arrin te “shenja”, që nuk është gjë tjetër veçse fragmenti ekstrem i pikturës.

Share: