Home KRYESORE Kush është “viktima”, Rama apo Meta?

Kush është “viktima”, Rama apo Meta?

Nga Mimoza Kociu

Spektakli që po na ofrohet prej mëse një jave mes LSI-së e PS-së, në fakt, mes Ilir Metës e Edi Ramës, me akuza të forta e kundërpërgjigje përcmuese, po merr tipare grotestke.

Kritikat për mënyrën se si po qeveris Edi Rama, ishin të parashikueshme, edhe për shkak të hezitimit, të paktën public, të Ilir Metës për të vazhduar koalicionin me të. Krejt të pritshme në kushtet kur numërimi mbrapsht për 19 prillin, afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në KQZ, ka filluar. Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk janë aq larg sa c’duken dhe aktorët tanë politikë, edhe këtë herë, sic kanë bërë këto 26 vjet, po kërkojnë një shans të ri për të na qeverisur, pavarësisht bilancit të asaj cfarë na kanë ofruar.

Pasiguritë për të vazhduar koalicionin me Edi Ramën, LSI po i shfaq duke e diskretituar kryeministrin. Në pamje të parë, kjo është një lëvizje e zgjuar taktike. Kur kostot bëhen më të larta se fitimet, cka të dëmton duhet eliminuar e në këtë rast dëmi është përgjegjësia në këtë situatë. Dhe atë që po ndodh nën qeverisjen e Edi Ramës, partia e Ilir Metës, po na e rrëfen prej disa ditësh, haptas në media. Panorama e denoncuar nga LSI shkon nga abuzimi me koncesionet e me pasuritë që I takojnë brezave të ardhshëm, betonizimi I qyteteve në dëm të mjedisit, e deri tek policia që bashkëpunon e i lehtëson “punën” krimit, që siguron paprekshmërinë e kanabizimit të vendit, natyrisht me dijeni e mbrojtje në nivelet më të larta vendimmarrëse. Përfitimet e majme nga aktiviteti i paligjshëm shërbejnë për të siguruar vazhdimësinë e kësaj situate, deri në manipulimin e zgjedhjeve, tha një ministër I LSI-së, pasi krimi është veshur me pushtet, një pushtet që e mbron në këmbim të ruajtjes së karriges, që I garanton këtë mbrojtje. Pra kemi të bëjmë me një cikël I mbyllur, që duket funksionon në mënyrë perfekte, i mbrojtur edhe nga “dashamirësia” e burokratëve të huaj në Tiranë e jashtë saj, që ndikojnë në hartimin e raporteve, ku kjo situatë jo vetëm që anashkalohet, por më e pabesueshmja, shënohet si punë e paqme, edhe në terma krejt burokratikë. Këto raporte janë “certifikata e pastërtisë” përballë cdo kritike a akuze. Konkluzioni: me letra jemi në rregull, qentë le të lehin e karvani të shkojë përpara. E nuk ka rëndësi, nëse tek kjo kope fut edhe aleatin kryesor, me të cilin qeveris se paku de jure.

Partia e Ilir Metës po lëshon akuza tepër të forta ndaj Edi Ramës e vartësve a bashkëpunëtorëve të tij, të cilat në cdo vend të botës do pasoheshin nga dorëheqje, nga kallëzim penal a nisje hetimi, qoftë edhe nga prokuroria për cka u denoncua publikisht nga eksponentë të lartë shtetërorë. Por në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama, ndiqet rruga më e thjeshtë dhe e volitshme, larg sqarimit, transparencës a llogaridhënies. Ai që akuzon, konsiderohet një qen si të tjerët, që duhet përcmuar publikisht, edhe pse nuk bën dot pa të.

Kjo situatë është ilustrimi I rradhës, se sa anormale janë institucionet e këtij vendi, bashkë me njerëzit që I kryesojnë, se si ata që kanë marrë votat për të qeverisur, nuk ndjejnë pikë përgjegjësie për mënyrën se si sillen edhe publikisht. Krimi I veshur me pushtet po denoncohet hapur, me zërin e atyrë që bashkëqeverisin, e kjo po përcillet si lojë politike.

Në fakt deri diku bën sens. Sa i besueshëm bëhet një akuzator me pushtet? Cfarë e pengon të largohet nga një situatë kaq flagrante dhe sa dinjitoze është qëndrimi në pushtet në këto kushte, e akoma më keq qaravitja nga karrigia e pushtetit? Nga një politikan që ka 26 vite jetë politike e ka qenë dy herë kryeministër pritet më shumë se kaq. Të aspirojë postin e kryeministrit përsëri, nuk ka asgjë të keqe, edhe kur numrat janë një faktor kundër. Ilir Meta na e ka treguar se forca e tij është shumë më e madhe se numrat që ka marrë nëpër proceset zgjedhore. Për pasojë distancimi me fjalë nuk mjafton më, sepse nuk është as në opozitë e as pjesë e medias.

Teksa Ilir Meta ende nuk po duket I qartë në strategjinë e tij, publiku po injektohet në mënyrë efikase se kjo është “mëria” e rradhës e LSI-së, që kërkon nga Rama shumë më tepër se c’I takon, e se akuzat e saj janë thjesht inat I pazarit që nuk shkon si duhet. A nuk nënkupton pikërisht këtë, etiketimi I reagimeve të LSI-së “lojra politike” nga numri dy I qeverisë?

Duhet pranuar se kjo nuk I bën aspak të pabesueshme akuzat e artikuluara nga partia e Ilir Metës, sepse nuk ka thënë asgjë më shumë se c’flitet e thuhet korridoreve të politikës e medias, e deri në nivel qytetarësh të zakonshëm.

Cka duket e pabesueshme është paralajmërimi që iu bë zyrtarëve të lartë të LSI-së, sic doli në media, se duhej të ruheshin pasi policia mund t’u inskenonte situata të paligjshme, me vendosje droge a armësh nëpër makina, për t’i diskretituar a arrestuar. Nëse këto praktika mafioze mund të përdoren ndaj rivalëve politikë, ato nuk do kursejnë cdo person që nuk I pëlqen qeverisë, përfshi edhe gazetarët. Nëse LSI po I paralajmëron e mbron eksponentët e vet, kush mbron pjesën tjetër të rrezikuar, nëse vërtetë përdoren praktika të tilla?

Si mund të bëhet sehir kur sheh, dëgjon a vërteton të keqen që gërryen themelet e shtetit, të institucioneve e të heshtësh për hir të cfarë? Pushtetit?
Po aq e pabesueshme duket siguria e Edi Ramës se këto akuza kaq të forta e publike të artikuluara nga aleati I vet kryesor, mund të kalohen lehtësisht, duke e futur Ilir Metën në kopenë e qenve që lehin, apo në “frontin e të keqes”.

Për pasojë, pa u sqaruar nëse akuzat e partisë së Ilir Metës janë qejfmbetje e një pazari që nuk po shkon si duhet, apo vullnet politik e institucional për t’I thënë ndal veshjes së krimit e trafiqeve me pushtetin e marrë në cdo formë nga qytetarët e këtij vendi, kjo shfaqje e përditshme brenda qeverisjes mbetet një sprovë muskujsh, ku asnjëra palë nuk është viktima. Viktima, e pambrojtur madje, janë vetëm qytetarët e këtij vendi, të majtë, të djathtë a pa preferenca politike. Atyre po u tregohet edhe publikisht me zë e figurë, se si po u vritet ditë pas dite cdo rreze shprese për të ardhmen në këtë vend, sa kohë që denoncimet nuk shoqërohen me akte veprimi. Ky është testi i besimit! Të tjerat mbeten thjesht lojra politike.

Share: