Home KRYESORE Marrëveshja e re me FMN dhe 300 mijë vendet e premtuara të...

Marrëveshja e re me FMN dhe 300 mijë vendet e premtuara të punës!?

Nga Kasem Seferi

Në librin e tij, “Teoria e Përgjithshme” John Maynard Keynes deklaron: “Gabimet e veçanta të shoqërisë ekonomike në të cilën ne jetojmë janë dështimi i saj për të siguruar punësim të plotë dhe arbitrariteti i saj, si dhe shpërndarja e pabarabartë e pasurisë dhe e të ardhurave.”.

Por jo të gjitha qeveritë janë frymëzuar nga Keynes dhe pasuesit e tij. Ajo çfarë ka mësuar bota deri më sot është se papunësia dhe pabarazia mund të minojnë arritjet e vërteta të ekonomisë së tregut, me anë të mbjelljes së farave të instabilitetit.

Në shumë vende, mungesa e mundësisë ekonomike ka çuar në veprimtari joproduktive, në paqëndrueshmëri politike deri në konflikt. Mjafton të mos harrohet përzierja e rrezikshme e papunësisë dhe e pabarazisë që u kombinua me tensionin politik, se çfarë solli në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Meqenëse rritja e papunësisë rrethohet nga tensionet sociale dhe nuk është e favorshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar, FMN – ja nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë indiferente për çështjet e shpërndarjes.

Për njëfarë kohe shërimi ekonomik, të paktën në vendet e përparuara, tregoi se rritja ekonomike nuk krijoi vende të reja pune. Shumë njerëz në shumë vende po përballen ende me pasojat e krizës sociale. Çdo lloj i saj është aq serioz sa dhe kriza financiare dhe ekonomike botërore.

Të gjitha ato qeveri që ndjekin politika të frymëzuara nga Keynes dhe pasuesit e tij, njihen si qeveri me fuqi të madhe ndërhyrëse në treg. Ndërsa ato qeveri që bazohen më shumë në derregullimin e tregut, njihen si qeveri që frymëzohen nga ”laisez – faire.

Papunësia gjatë dhe pas krizës financiare dhe ekonomike botërore arriti në nivele rekord. U hodhën në rrugë të madhe 30 milion njerëz. Anekënd botës, sot, ka rreth 200 milion njerëz që janë duke kërkuar punë.

Kriza e vendeve të punës, veçanërisht, ka nxehur fort rininë. Në shumë vende pabarazia ende është në lartësi rekord.

Nën ombrellën e G 20 – tës, u mblodhën bashkë politikëbërësit për të shmangur një rënie të lirë financiare dhe mundësisht një Depresion të Madh të dytë.

Nevojitej një forcë e plotë për t’i dhënë përgjigje sigurisë se bota do ta kishte shërimin ekonomik që i nevojite. Pra, jo vetëm një shërim ekonomik të qendrueshëm dhe t balancuar ndërmjet vendeve, por gjithashtu, një shërim ekonnomik që të sillte punësim dhe shpërndarje të drejtë të pasurisë.

Dekada e dytë e shekullit 21 duhet të ishte dekada që do ta merrte edhe njëherë seriozisht punësimin e plotë.

Çfarë duhet të bëhej? E para, nevojitej reforma dhe riparimi sektorit financiar, për t’i kthyer bankat në shërbim të ekonomisë reale dhe për ta drejtuar kreditimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat shihen si udhëheqëse kyç për punësimin dhe për rritjen ekonomike.

Dukshëm, një mjedis i kërkesës së rritur është një parakusht për rritje dhe vende pune.

Çfarë mund të thuhet në lidhje me politikat fiskale? Nevojitej të vendoseshin pozicione fiskale në shtigje të qendrueshme afatmesme, që të shtronin rrugën për punësimin dhe rritjen e ardhshme.

Por, ekspertët më në zë të fushës, kanë argumentuar se shtrëngimi fiskal mund ta ulë rritjen ekonomike afatshkurtër. Madje, kjo mund të rrisë papunësinë afatgjatë, duke e kthyer nga një problem ciklik në një strukturor. Pra, korigjimi fiskal duhej bërë me një sy të mbajtur me padurim mbi rritjen ekonomike.

Por rritja ekonomike më vete nuk mjafton. Nevojiten politikat direkte të tregut të punës. Kriza, në vendet perëndimore u mësoi qeverive të reja që dolën pas krizës se politikat e hartuara mirë të tregut të punës kursejnë vendet e punës.

Përfitimet e mira të papunësisë janë themeltare, sidomos kur kombinohen me arsimin dhe trajnimin, ato ndihmojnë të papunësuarit të adaptohen në një ekonomi që ndryshon. Kjo është veçanërisht e përshtatshme kur humbjet e vendit të punës perqendrohen rëndë ndërmjet rinisë dhe atyre pa aftësi profesionale, si dhe kur papunësia, gjithnjë e më shumë, është e një natyre afatgjatë.

Kërkimet e FMN – së sugjeruan se pabarazia mund t’i bëjë vendet më të prirur për kriza financiare, veçanërisht, në qoftë se shoqërohen me një sektor më të madh financiar. Kërkimet e FMN – së tregojnë gjithashtu se rritja e qendrueshme me kohë shoqërohet me shpërndarje më të barabartë të të ardhurave.

Këto sfida ndikojnë si vendet e përparuara ashtu dhe ato në zhvillim. Pra, nevojiten politika për të zvogëluar pabarazinë dhe për të siguruar një shpërndarje më të drejtë të mundësive dhe burimeve. Rrjetet e sigurisë së fortë sociale të kombinuara me të tatuarit progresiv nuk ia prenë hovin pabarazisë.

Të drejtat e marrëveshjeve kolektive janë të rëndësishme, veçanërisht, në një mjedis të pagave reale të pandryshuara. Partnershipi social është një kuadër i dobishëm, pasi ai lejon si fitimet e rritjes ashtu dhe korigjimin e dhimbjeve të ndahet në mënyrë të drejtë.

Çështja e vendit të punës u bë më qendrore në mbikqyrjen e FMN – së, veçanëtrisht, pas disa prej kërkimeve të saj mbi pabarazinë. Dimensioni social në programet e FMN – së, morë më shumë vemendje nëpërmjet rrjeteve mbrojtëse të sigurisë sociale për të varfërit dhe mbështetjen e ndarjes së barabartë të barrës.

Disa vite më parë, politikëbërës kyç nga bota u mblodhën në Washington për të tatuar pulsin e ekonomisë botërore për të njohur pamjen e plotë në mënyrë relative të një shërimi të mundshëm ekonomik që po ngurtësohej.

Tek e fundit fare, punësimi dhe barazia janë blloqe ndërtuese të stabilitetit ekonomik dhe prosperitetit, të stabilitetit politik dhe paqes. Kjo shkon në zemër të mandatit të FMN – së. Kjo duhet të vendoset në zemër të axhendës politike të qeverisë.

Premtimi i pambajtur nga qeveria Rama 1 për 300 mijë vende të reja pune dhe lajmi se FMN – ja do ta shikojë një marrëveshje të mundshme pas zgjedhjeve 2017, duket se kanë të bëjnë me punësimin, rritjen ekonomike reale, ose më saktë atë që thjesht e quajmë rritje të fuqisë blerëse.

Për të parë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e Shqipërisë me FMN, në mënyrë kronologjike, listohen çështjet që lidhen me Shqipërinë:

 15 qershor, 1992 – “Shqipëria: Nga izolimi drejt reformës”;
 01 tetor, 1994 – “Shqipëria – Shpërndarja e të ardhurave, Varfëria dhe Rrjetet e Sigurimit Social në Tranzicion, 1991 – 1993”;
 01 gusht, 1996 – “Rrjeti i Sigurisë Sociale në Shqipëri”;
 17 prill, 1997 – “Shqipëria – Zhvillimet Ekonomike të Kohëve të Fundit”;
 07 nëntor, 1997 – “FMN miraton Ndihmën Emergjente për Periudhën Pas – Konfliktit të vitit 1997”;
 11 maj, 1998 – “Zvogëlimi i Inflacionit – leksione nga Suksesi i Hershëm i Shqipërisë”;
 13 maj, 1998 – “FMN miraton Huanë Tre – Vjeçare ESAF për Shqipërinë”;
 01 korrik, 1998 – “Inflacioni dhe Kërkesa për Para në Shqipëri”;
 12 dhjetor, 1998 – “Letra e Qëllimshme e Shqipërisë e 12 dhjetorit, 1998”;
 28 prill, 1999 – “Komuniteti Ndërkombëtar Përgjigjet për Krizën Kosovare”;
 22 maj, 1999 – “Letra e Qëllimshme e 22 majit, 1999”;
 28 maj, 1999 – “Letrat e Kuadrit të Politikës – Shqipëria – Letra Korigjimit Strukturor të Shtuar të Kuadrit të Politikës Lehtësuese”;
 14 qershor, 1999 – “FMN miraton Marrëveshjen e Dytë Vjetore ESAF dhe Rritjes” me një hua 30 milion US$;
 22 gusht, 1999 – “FMN Konkludon Konsultimin e Nenit IV me Shqipërinë”;
 19 janar, 2000 – “FMN Plotëson RIshikimin e Shqipërisë dhe Miraton huanë prej 13 milion US$”;
 01 mars, 2000 – “Ngritja dhe Rënia e Skemave Piramidale në Shqipëri”;
 20 mars, 2000 – “Europa Juglindore – Prospektet Ekonomike Rajonale, Nevojat e Financimit të Jashtëm dhe Programet e FMN”;
 03 maj, 2000 – Marrëveshja Interim për Strategjinë e Zvigëlimit të Varfërisë në Shqipëri”;
 25 maj, 2000 – Letra e Qëllimshme e Shqipërisë, Memorandumi mbi Politikat Ekonomike dhe Financiare dhe Memorandumi Teknik i Mirëkuptimit”;
 30 maj, 2000 – “Raport mbi Vëzhgimin e Standarteve dhe Kodeve në Shqipëri”;
 09 qershor 2000 – “FMN Plotëson Rishikimin e PGRF në Shqipëri dhe Miraton huanë prej 3 milion US$”;
 23 qershor, 2000 – “FMN Konkludon Konsultimin e Nenit IV me Shqipërinë”;
 30 qershor, 2000 – “FMN Miraton PGRF e Tretë Vjetore për Shqipërinë”;
 12 janar, 2001 – Letra e Qëllimshme e Shqipërisë, Memorandumi i Politikave Ekonomike dhe Financiare dhe Memorandumi Teknik i Mirëkuptimit”;
 26 janar, 2001 – “FMN Plotëson Rishikimin e Shqipërisë dhe Miraton huanë prej 6 milion US$;
 25 shkurt, 2001 “Shqipëria – Rishikimi i Parë Sipas Marrëveshjes së Tretë Vjetore të Zvogëlimit të Varfërisë dhe Lehtësimit të Rritjes dhe Kërkesa për Dorëheqje të Kritereve të Performancës”;
 ….
 27 shkurt, 2009 – “Shqipëria: Rishikimi i Gjashtë Sipas Marrëveshjes Trevjeçare të Zvogëlimit të Varfërisë dhe Lehtësimit të Rritjes, Rishikimin sipas Marrëveshjes së Zgjeruar dhe Rishikimin e Siguracionit të Financimit”.

Sikundër vihet re në kronologjinë e gjatë të marrëdhënieve me FMN, duke filluar nga takimet e paranjohëse të FMN – së, më pas me vizitat e misioneve të vitit 1991 deri te viti 2009, bien në sy pothuajse të njëjtat çështje.

Janë të dukshme veçoritë që pasqyronin zhvillimet në ekonominë dhe financat e vendit, zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike si dhe problemet monetare të inflacionit, çështjet e sigurimit të detyruar shoqëror dhe shëndetsor, zbatimin e standarteve, përmirësimin e klimës së biznesit, politikat fiskale dhe monetare deri në 11 nëntor 2008.

Kur Misioni i FMN, që vizitoi Shqipërinë nga 29 tetori deri në 11 nëntor 2008, me anë të një deklarate prezantoi diskutimin e tij me autoritetet shqiptare përsa i përkiste rishikimit të gjashtë dhe përfundimtar të marrëveshjes PRGF/EFF.

Analistët, gazetarët, ekspertët dhe kushdo tjetër i interesuar mund të bëjë krahasime dhe të nxjerrë përfundime se cilat kanë qeveritë më të suksesshme në marrëdhëniet me FMN.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: