Nga Azem Parllaku
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, tha se Serbia është e gatshme t’i dërgojë forcat e armatosura në Kosovë, nëse rrezikohet popullata serbe atje.
“Nëse vriten serbët, po”, ka deklaruar ai pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Më herët Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë i’u drejtua shqiptarëve e serbëve me këto fjalë; “Kjo është lutja ime e fundit dhe porosia e fundit për shqiptarët në Kosovë e Metohi, por edhe për serbët. Serbët duhet të rrinë në Kosovë, kurse për shqiptarët, mos provoni të sulmoni serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta tolerojë një gjë të tillë. Kjo është porosi e imja për tërë botën. Nuk duhet ta rrënojmë paqen në Ballkan, por le ta dinë mirë se çfarë po i porosis. Mos i vrisni serbët, se do të detyrohemi t’i mbrojmë”.
Nikoliq dhe Vuçiq, këto deklarata i bënë mbasi treni i dekoruar me detaje nacionaliste serbe, i nisur nga Beogradi me destinacion veriun e Kosovës, të ndalej në Rashkë. Nuk është çudi, që autoritetet e shtetit serb, po orvaten të testojnë emocionet dhe gatishmërinë e faktorit shqiptar, e atij ndërkombëtar, në një Ballkan aspak të sigurtë, e kur plagët e së shkuarës ende janë përvëluese.
Përtej retorikave dhe folklorit, me shumicë në kafene dhe rrjetet sociale, shqiptarët veçanërisht ata të Kosovës, duhet të marrin në konsideratë deklarimet dhe lutjet e autoriteteve serbe. Edhe Presidenti, edhe Kryeministri i Serbisë, as më shumë e as më pak, veçse sapo kanë deklaruar “një luftë të re” në Ballkan. Një luftë e cila mund të jetë e gjatë, e vështirësisht e menaxhueshme.
Duke e ekspozuar potencialisht të rrezikuar komunitetin serb në Kosovë, thirrjet nga Beogradi, mund të jenë sinjali, që vetë Serbia, të aktivizojë strukturat të cilat do të kryejnë vrasje në Kosovë. Rekrutë të këtyre lloj strukturash ka gjasë të jenë nënshtetas serb, shqiptarë të Kosovës, pse jo edhe vrasës me pasaportë ruse. Situata që eventualisht mund të krijohet pas këtyre vrasjeve të porositura nga Beogradi, synon që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimi Europian, të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, ndaj strukturave të sigurisë dhe ndaj marrëveshjeve të Brukselit. Më tej, do të shfaqej pretendimi për të shpallur si të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme formulimet në Marrëveshjen për Asociacionin, e së këndejmi të përkrahej, ose së paku të mos pengohej krijimi i njëanshëm i një “Republika Srpska” në Kosovë.
Disa vrasje me porosi menjëherë, do të ndezin protestat e vazhdueshme, nëpërmjet të cilave serbët do të ankohen se po vriten e dhunohen nga shqiptarët, e kështu Beogradi do t’i mëshonte fort “viktimizimit” të komunitetit serb në Kosovë. Nëpërmjet kësaj ideje, do të kërkohej rifuqizimi i UNMIK-ut, mbasi shtetit të Kosovës i ka dalë situata jashtë kontrollit.
Që shqiptarët do t’a kundërshtojnë me çdo mënyrë një akt të tillë, kjo është e padiskutueshme. Një ndërhyrje me forcë për t’a penguar krijimin e një “Republika Srpska”, do të bënte që, Serbia të kundërpërgjigjej me pretekstin për të mbrojtur serbët nga “terroristët” shqiptarë. Ç’ka do të thotë që nga kazermat ushtarake të Beogradit të nisej autokolona militare e motorizuar.
Detyrimisht për të shmangur një situatë të tillë autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë fort mbështetjen nga ana e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk duhet të lejojë që, plani serbo-rus të implementohet në Ballkan.
Në këtë kontekst, në botën e sotme garanci e madhe për shtetet e vogla siç është Kosova, përbën vetëm NATO, e cila si një fuqi e padiskutueshme, garanton jo vetëm sigurinë e këtyre shteteve, por dhe stabilitet dhe zhvillim demokratik kundër regjimeve dhe individëve që, duan t’u kundërvihen tendencave historike për emancipimin e pandërprerë demokratik të shoqërisë njerëzore.
Problemet e sigurisë përbëjnë një fakt që, është i përbashkët si për shtetet e vogla, ashtu edhe ato të mëdha. Për këto të fundit ky program nuk është vënë në dyshim që prej qindra vjetësh, ndërsa mbijetesa e shteteve të vogla vazhdon të zgjidhet në rradhë të parë nga vetë këto shtete. Kosova është një vend i vogël, me pozicionin e saj natyror konsiderohet si, zemra gjeopolitike e Gadishullit të Ballkanit dhe një rajon me rëndësi gjeostrategjike. Ajo shihet si nyja nëpërmjet së cilës kontrollohen të tëra boshtet natyrore të Ballkanit, pasi edhe zona më kritike e Gadishullit ndodhet brenda trekëndëshit gjeografik Kralevo-Shkup-Sofje, trekëndësh në të cilin përfshihet edhe Kosova. Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bazën më të madhe ushtarake në rajon, e cila mban emrin e heroit të luftës së Vietnamit James Leroy Bondsteel, dhe konsiderohet si një investim që, të paktën deri tani ka kushtuar 300 milion dollarë. Nga ana e saj Rusia është në muajin e mjaltit me Serbinë, e përgjatë viteve të fundit, ka investuar jo pak, sa i përket kompletimit me teknologji luftarake e trajnime të personelit të uniformuar serb.
Aktualisht, Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka nënshkruar Programin e PfP-së, teksa fqinjët si: Shqipëria (1994) dhe Maqedonia (1995) ishin ndër të parat që e nënshkruan PfP-në, më pas këtij programi i’u bashkangjit edhe Kroacia (2001). Raundi i fundit i nënshkrimit të PfP-së, me shtetet e Ballkanit Perëndimor u arrit në Samitin e Rigës në vitin 2006, ku Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkëngjitën Programit.
I bazuar në bashkëpunimin praktik dhe angazhimin ndaj parimeve demokratike që janë baza e vetë Aleancës, qëllimi i PfP-së është që, të rrisë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes dhe të ndërtojë marrëdhënie të sigurta e të fuqizuara, ndërmjet vendeve partnere individuale dhe NATO-s, si dhe ndërmjet vetë vendeve partnere.
Deri tani, Kosova është njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së, ku përfshihen shumica dërmuese e vendeve më të fuqishme demokratike perëndimore. Megjithatë, ende janë disa shtete të rëndësisë kyçe të cilat nuk e njohin Kosovën. Mes këtyre vendeve vlen të përmenden, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, si dhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian, katër prej të cilave janë gjithashtu anëtare të NATO- s; Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Refuzimi i tyre për të njohur Kosovën, ka ngadalësuar rrugën e saj drejt proçesit integrues rajonal dhe Euro-Atlantik, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë së Kosovës.
Në rastin e integrimit në NATO, problemi kryesor konsiston në qëndrimin e katër anëtarëve të NATO-s, të larpërmendur që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Refuzimi i tyre për ta njohur Kosovën zyrtarisht mund të vështirësojë marrëdhënien kontraktuale në mes NATO-s dhe Kosovës.
Ndërkohë që, praktikisht vlen të theksohet se përmes pjesëmarrjes së këshilltarëve të KFOR-it, Rumania dhe Greqia kanë mbështetur përpjekjet për konsolidimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Nga ana tjetër, Spanja dhe Sllovakia drejtpërsëdrejti nuk i mbështesin përpjekjet për konsolidimin e FSK-së, teksa nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë për ta bllokuar proçesin. Tërheqja e kontigjentit sllovak dhe atij spanjoll nga misioni i KFOR-it, ka rezultuar se ka të bëjë më tepër me problemet e tyre të brendshme dhe reduktimet buxhetore në sektorin e mbrojtjes. Gjatë dhjetë viteve të prezencës në Kosovë, Spanja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it, ku në total shërbyen pothuaj 22.000 ushtarë spanjoll, ndërsa në vitin 2000, NATO- ja emëroi si udhëheqës të misionit të KFOR-it, spanjollin Gjeneral-lejtnant Juan Ortuno.
Rishikimi i qasjes së NATO-s ndaj Kosovës patjetër që do të shkojë drejt zëvendësimit gradual të rolit të saj aktual, e që ushtrohet përmes pranisë direkte fizike, në favor të një mbështetje më të theksuar ndaj institucioneve të Kosovës. Programi PfP-së është dëshmuar si një instrument i rëndësishëm që përdoret nga NATO-ja për të mbështetur vendet në zhvillim në ndërtimin e sektorit të sigurisë bazuar në praktikat demokratike. Mbështetja e instrumenteve të transformimit përmes PfP-së do të përforcojë edhe kapacitetet e shoqërisë civile.
Përgjatë viteve fushëveprimi i KFOR-it në Kosovë është transformuar në mënyrë të konsiderueshme dhe mbi të gjitha u reduktua numri i personelit ushtarak. Aktualisht KFOR-i ka rreth 6000 trupa në terren dhe planifkimi për reduktim e mëtejshëm të personelit të KFOR-it, radhitet ndër pikat e para në agjendën zyrtare të NATO-s. Kjo pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë në tërë territorin e Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore. Me fjalë të tjera, nevoja për praninë e KFOR-it dhe rolin e tij, duhet të fokusohet vetëm në pjesën veriore përderisa në pjesët tjera të Kosovës çështjet të ndërlidhura me sigurinë, veçanërisht ato të sigurisë publike, janë nën autoritetin e Policisë së Kosovës. Reduktimi i trupave është evidentuar edhe në diskursin ndërkombëtar dhe në dokumente, duke theksuar se misioni i KFOR-it, është i përkohshëm dhe se prania e tij në Kosovë duhet të rishikohet në përpjesëtim me gjendjen e sigurisë dhe dorëzimin e përgjegjësive tek institucionet vendore të sigurisë. Deri atëherë, roli i KFOR-it pritet të jetë thelbësor në mbështetjen e proçesit të ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve vendore, veçanërisht të Forcave të Armatosura të Kosovës.
FSK-ja, si pararendëse e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfaqëson një force të sigurisë që është themeluar rishtazi, aktualisht e mandatuar me një mision civil “për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë ose organizatave tjera të zbatimit të ligjit”, dhe konsiderohet të jetë pasardhëse e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Efektivat e FSK-së në baza vullnetare janë profesionistë me strukturë të uniformuar dhe të armatosur lehtë, ndërsa struktura e tyre e hierarkike bazohet tërësisht në sistemin ushtarak të NATO-s. Në tërësi, proçesi i rekrutimit, trajnimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së është udhëhequr nga NATO. Megjithatë, mandati aktual i FSK-së do t’i nënshtrohet rishikimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ndryshimet e ardhshme të misionit të Forcave të Armatosura të Kosovës do të këshillohen dhe monitorohen nga NATO.
Në fund nëse një serb vritet në Mitrovicë, pyetja shtrohet; Kush i ka dëgjuar më herët këmbanat!?