Home KRYESORE Një dite me drejtoreshën Xhoi Jakaj në burgun e grave në Tiranë!

Një dite me drejtoreshën Xhoi Jakaj në burgun e grave në Tiranë!

In Italiano

Artur Nura: Si kalohet dita në një burg grash në Tiranë?

Xhoi Jakaj: I.E.V.P. “Ali Demi”, ose siç njihet ndryshe “Burgu i Grave”, është i vetmi Institucion i tillë për gra në Shqipëri. Përveç target grupit të veçantë e specifik, është i vetmi në llojin e tij që konsiderohet si një burg i hapur sepse të burgosurat nuk e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në qeli (në fakt për nga struktura e tyre ne nuk i quajmë qeli, por dhoma) ndaj edhe ka një larmishmëri në një ditë të tij.

Një ditë e zakonshme nis me zgjimin e të burgosurave në orën 06.00 e vijon me apelin e tyre për rreth 15 minuta nga stafi policor. Më pas të burgosurat konsumojnë mëngjesin në ambjentet e mensës si edhe nga ana e stafit shëndetësor bëhet marrja e terapisë ditore (trajtimi medikamentoz) për të burgosurat të cilat janë të diagnostikuara me probleme të caktuara shëndetësore. Institucioni ynë ka një mjeke e cila gjatë ditës kryen konsulta të vazhdueshme sipas referimeve të infermiereve të cilat janë 24 orë të pranishme.

Artur Nura: Besoj se te qenurit femër ne drejtimin e këtij institucioni ka rolin e vet sigurisht?

Xhoi Jakaj: Po sigurisht sepse në raste të veçanta kur mjekimi kërkon edhe vizitën nga një specialist i caktuar bëhet edhe shoqërimi i të burgosurave në qendra të specializuara.

Në këtë pikë unë vetë jam edhe shumë e ndjeshme duke qene femër, nene dhe studiuese njekohesisht dhe, pasi është e vërtetë që femrat kanë më tepër nevoja të tilla nga vetë fakti qe janë “femra” dhe në mënyrë të vazhdueshme unë kam kërkuar edhe në disa spitale private të mundësohen falas vizita të veçanta të tilla si mamografi, obstetrike-gjinekologjike apo ekzaminime të ndryshme në varësi të rastit.

Artur Nura: Po a ka jete sociale dhe rehabilituese per te burgosurat?

takim ne burgXhoi Jakaj: Sigurisht dhe veprimtaria rehabilituese kryesisht ofrohet nga stafi i Çështjeve Shoqërore të Institucionit në bashkëpunim edhe me shoqata të ndryshme e Drejtorinë e Formimit Profesional.

Ky staf realizon organizimin dhe pasurimin e jetës sociale të të burgosurave që përfshin spektrin e trajtimit individual nëpërmjet këshillimeve individuale dhe trajtimit në grup, aktivitete sociale, trajtimi i temave edukuese e sensibilizuese si edhe një pjesë shumë e rëndësishme është edhe ofrimi i kurseve të ndryshme profesionale të cilat realisht do ju shërbejnë këtyre vajzave e grave në jetën e tyre të lirë.

Po kështu një pjesë e mirë e grave dhe vajzave janë edhe të punësuara në organikën e punës dhe gjatë ditës e zhvillojnë atë…

Artur Nura: kam pershtypjen se ti i jep shume nga vetja kesaj situate qe sigurisht mbetet burg…?

xhoi jakaj me ministrin manjaniXhoi Jakaj: Besoj qe po! Kur unë mora pozicionin e Drejtores së I.E.V.P. “Ali Demi” i vura vetes një sfidë për të bërë mundësisht sa më të bukur e të lumtur jetën e këtyre grave që mbartin një dhimbje të madhe në shpirtin e tyre.

Unë e kam qëllimin tim dhe dua të bëj gjëra që do mbeten gjatë në historinë e burgjeve. Për këtë, fatmirësisht, kam gjetur edhe mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm që nuk heziton të më mbështesë edhe kur unë ndonjëherë bëj kreativitet e shpikje me aktivitetet e mia shumë përfshirëse të aktorëve të ndryshëm, personazheve publikë nga bota e artit, arsimit pse jo edhe politikës e ndërkombëtarët pasi aty ka nevoja të jashtëzakonshme e reale për të cilat shoqëria civile është ofruar vazhdimisht me kontribute e aktivitete të shumëllojshme.

Artur Nura: Edhe stafi me la mbresa shume pozitive…

takim ne burg2Xhoi Jakaj: E gjithë kjo larmishmëri realizohet dhe ndiqet nga stafi i Çështjeve Shoqërore i cili pasi përfundon pjesën e ditës në regjim, vijon me atë jashtë tyre duke u angazhuar në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, apo edhe kërkesave të cilat gratë e vajzat ua bëjnë atyre, apo mi bëjnë mua kur unë hyj në regjime, (dmth brenda zonës se ndaluar ku hyhet vetëm sipas rregullave strikte) Përpiqem të kem kontakt me to sa më shumë pasi kështu edhe mund t’i ndihmoj më tepër.

Artur Nura: Pas regjimit qe mesa kuptova vazhdon deri ne mesdite, cfare bejne te burgosurat?

te burgosurat liruarXhoi Jakaj: Dita më pas regjimit, vazhdon me drekën e më pas të burgosurat kanë pushimin e tyre të mesditës e pasditeve qëndrojnë në shoqërinë e njëra – tjetrës, shohin programe të ndryshme televizive, disa prej tyre preferojnë të lexojnë libra apo të merren me punë dore.

Gjatë kësaj kohe, në fakt gjatë gjithë ditës, stafi i sigurisë kujdeset dhe vëzhgon sjelljet e tyre me qëllim garantimin e sigurisë e mbarëvajtjen e tyre nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme.

E gjithë dita mbyllet me darkën për të burgosurat, por… vijojnë kontrollet rutinë që bën siguria edhe gjatë gjithë natës.

Artur Nura: Sa respektohen të drejtat e grave në burg? A ka ndryshim përsa i përket të drejtave të tyre nga regjimi i paraburgimit me atë të burgimit?

takim ne burg3Xhoi Jakaj: Institucioni ynë merr të gjitha masat e nevojshme që çdokush të trajtohet me respekt e dinjitet duke patur si prioritet humanizmin.

Ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave i cili normon funksionimin e institucioneve penale në Shqipëri ku edhe janë të përcaktuara të drejtat e të burgosurave nëpërmjet të cilave ofrohen trajtimi human njerëzor e jo-degradues.

Përsa kohë unë jam në krye të këtij institucioni nuk do të tolerojë kurrë një shkelje të të drejtave të grave e vajzave të burgosura pasi në thelb, një shkelje e këtyre të drejtave është padyshim shkelje e të drejtave të njeriut dhe këtë nuk ka të drejtë askush ta bëjë pavarësisht çdo rrethane apo situate.

Përsa i përket ndryshimit midis të drejtave të grave në regjimin e paraburgimit me atë të burgimit, ato janë të barabarta për të gjithë me përjashtim të rasteve kur e burgosura është minorene dhe ka të drejtën e tetë takimeve në muaj. Për pjesën tjetër ky numër takimesh është katër.

Artur Nura: Behen përjashtime? Ti duke qene edhe autore librash studimi dhe sociologjinë e ke pasion, sigurisht qe bën te pamundurën brenda kufijve te ligjit tu jesh sa me pranë?

xhoi duke dhene gjakXhoi Jakaj: Po ju tregoj diçka meqë m’u dha edhe rasti. Shumë nga të burgosurat i konsumojnë takimet e tyre pa përfunduar muaji dhe fillojnë me kërkesat për takime shtesë.

Është e pamundur që t’ua refuzosh një kërkesë të tillë pasi ato që e kërkojnë janë nëna me fëmijë të vegjël që në shumicën e rasteve vijnë nga qytete larg Tiranës vetëm për një takim me nënën e tyre.

Sigurisht që edhe ky tolerim, sepse motoja ime është “Tolerancë dhe ligj”, ka edhe kufizimet e veta sipas secilit rast.

Artur Nura: Sa dramë shikoni ju në jetët e tyre?

Xhoi Jakaj: Gratë aty, i bashkon një gjë e dhimbshme e kryesore: ndodhen aty për shkak të dhunës së formave të ndryshme si fizike, psikologjike e seksuale.

takim ne burg1Po të shohësh veprat për të cilat ato janë dënuar, apo akuzuar do të vësh re një plagë të vendit e shoqërisë sonë. Janë gra të cilat kanë vrarë bashkëshortët e tyre – janë ato gra që para kryerjes së kësaj vepre ishin nënat e dashura, motrat e lumtura e vajzat me fat në jetën e tyre.

Është e dhimbshme të kuptosh se e gjithë jeta e tyre e mëparshme ka qenë një maskim i mirë për shoqërinë sepse në të vërtetë ato kanë qenë të dhunuara në çdo qelizë të trupit e shpirtit të tyre.

Ka vajza e gra të akuzuara e dënuara për prostitucion. Një akt që cilësohet denigrues nga organizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të grave, por ja që ndodh edhe që vetë vajzat e gratë vetëm për të siguruar mbijetesën, vetëm për të siguruar një kafshatë në ditë e kane kryer këtë krim qe denohet me ligj ne vendin tone!

Artur Nura: Si i përjeton studiuesja, zonja, drejtoresha këto situata?

infermjera ne burgXhoi Jakaj: E gjithë jeta e tyre është një dramë e vërtetë. Kur kam hyrë për herë të para në regjim si Drejtore e Institucionit i kam gjetur me lot në sy dhe m’u duk sikur të gjitha kërkonin ndihmë nga unë.

Çdo lot i tyre ishte një thirrje dëshpëruese për shpëtim. Fatkeqësisht aty kishte një mumër të frikshëm nënash të cilat prej vitesh nuk takonin fëmijët e tyre dhe për mua kjo është jashtë çdo lloj logjike dhe sot!

Sot, mund të them me kënaqësi se mund të jenë vetëm dy nëna të cilat endë nuk i kanë takuar fëmijët e tyre, por që unë jam zotuar dhe sigurisht që do ta përmbush premtimin dhe mundësoje edhe këtë sfidë.

Artur Nura: Si e sheh Xhoi Jakaj rehabilitimin e këtyre grave pasi lirohen?

Xhoi Jakaj: Një dramë më vete është edhe rehabilitimi i atyre grave dhe vajzave pas lirimit. Shumë prej tyre nuk kanë asnjë mundësi strehimi, apo punësimi pas lirimit!

Kjo sepse familjet e tyre i kanë braktisur kur kanë kryer veprën penale, apo edhe para saj – që është edhe një nga faktorët që ndikojnë në kryerjen e veprave penale nga vajzat e reja.

Strehimi dhe punësimi është një kauzë që e kam fort për zemër sepse rehabilitimi është një pikë e dobët e sistemit dhe e shoqërisë, kemi shpesh gra që e përsërisin ardhjen në institucion edhe dy apo tre herë, ndaj është kaq me vlerë t’i ndihmojmë në ri-integrimin e tyre.

Artur Nura: Ju, a do të shkruanit një libër për dramat e tyre duke qenë se jeni edhe shkrimtare?

xhoi jakaj ne zyreXhoi Jakaj: Në fakt, unë jam duke e shkruar një libër mbi përjetimet dhe eksperiencën time si Drejtuese e I.E.V.P. “Ali Demi”, burgut të grave.

Mendoj se do të jetë me shumë interes për shoqërinë shqiptare pasi për herë të parë do të kenë mundësinë të shohin një tjetër dimension të këtij institucioni.

Është e vërtetë që janë shkruar edhe libra të tjerë me subjekt gratë e dënuara, por me fokus në veprën e tyre e jetën para se të kryenin një vepër penale të caktuar.

Ajo që unë dua të sjell për lexuesit është të kuptojnë se si është të jesh një grua në burg, çfarë përjeton, me çfarë dhimbjesh përballen sepse shumë mendojnë se jeta e tyre është vetëm ajo çfarë ndodh brenda këtyre mureve, por ja që nuk është e vertete.

Jeta e tyre e mëparshme është prezente në çdo ditë të jetës së tyre. Në libër do të përfshij edhe disa letra të shkruara nga vetë të burgosurat, por që për momentin nuk do të zbuloje detaje të tjera pasi nuk dua të shpërqendroj edhe kureshtjen e lexuesve…

Share: