Home KRYESORE Një “mesazh” nga Lord Bajroni në shekullin e 21-të

Një “mesazh” nga Lord Bajroni në shekullin e 21-të

Lajmet që Parlamenti Europian mori në shqyrtim propozimin për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë – Herzegovinës, ishte një rast i mirë për të sjellë në vemendje të të ashtuquajturve “analistë” se Mini – Shengeni Ballkanik, mbeti:

  • një nismë politike atavike që nuk iu përgjigj ruajtjes së arritjeve;
  • forcimit të sektorit të eksportit;
  • përqafimit të politikave serioze industriale në hapsirën e një tregu më të gjërë, ku njerëzit dhe kapitalet të lëvizin lirisht.

Pra, nevojës për ndryshim të modelit të rritjes ekonomike në rajon.

Erhard Busek, në shkrimin e tij “Assesing the Western Balkans’ EU membership hopes – Vlerësimi i shpresave për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE” në pranverë 2009 do të theksonte:

“Megjithëatë, pavarësisht viteve të progresit, puna për fqinjësi të mirë në rajon ende nuk ka mbaruar. … Ndoshta, shqetësimi më i madh për Europën Juglindore si tërësi, është nëse janë vendosur themelet për të përmirësuar situatën ekonomike të rajonit dhe përqindjet e rritjes ekonomike janë rritur në mënyrë të rëndësishme.

Por, ritmi dhe qëndrueshmëria e këtij zgjerimi, janë shkak për frikë, veçanërisht, në krizën e tanishme financiare.

Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor ka qenë i paparë dhe investimi i huaj direkt është përhapur në mënyrë të pabarabartë. Boshllëku i të ardhurave ndërmjet zonave rurale dhe kryeqyteteve nganjëherë është ende shumë i gjërë, pjesë të rajonit vuajnë nga papunësia e lartë dhe mungesa serioze për investime kapitale.”.

Për 10 vjet me radhë që nga fundi i konfliktit të Kosovës (1999) dhe konfliktit të Maqedonisë (2001), shpresa e anëtarësisë në BE ka motivuar reformat dhe pajtimin përgjatë rajonit, ndërkohë që BE dhe NATO kanë punuar së bashku për të ruajtur paqen.

Njësoj si anëtarët origjinalë të BE – së, gjysmë shekulli më parë, e ardhmja ka qenë dhe mbetet vizioni që ndajnë së bashku, rishtazi, këto vende të pavarura, të brishta dhe dyshuese në mënyrë të ndërsjellë.

Disa liderë të BE – së ngurronin dhe ngurrojnë t’i mirëpresin vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse politikëbërësit në Bruksel dhe kryeqytetet europiane e shohin prospektin e zgjerimit të BE – së në vendet e Ballkanit Perëdimor me një lloj alarmi, për shkak se janë vendet më të varfëra që kanë aplikuar për anëtarësim në BE deri tani; kanë ekonomi jokonkurruese me një barrë të madhe papunësie që, në të vërtetë, kanë bërë përpara, por mbeten shtete të dobëta.

Megjithëatë, në kohën që BE – ja ende mundohet të ngrejë institucione të reja sipas Traktatit të Lizbonës, disa shtete anëtare duan t’i shmangin risqet e mëtejshme, nëpërmjet një strategjie shumë të saktë të lëvizjes së këtyre vendeve nga një fazë në tjetrën, sa më ngadalë që është e mundshme.

Por, vonesa e hyrjes në një të ardhme të pafund në njëfarë mënyre e ka minuar progresin këto vitet e fundit mbi paqen dhe stabilitetin në rajon.

Premtimi i integrimit të këtyre vendeve në BE është ngjitësi i vetëm politik që i ka mbajtur të bashkuar deri tani këto vende, por ngjitësi do të mbante vetëm në qoftë se premtimi është i prekshëm dhe konkret, diçka që mund të japë përfitime për këtë gjeneratë politikanësh të pasluftës dhe zgjedhësit e tyre.

Ka patur shenja të shqetësimit se BE – ja ka humbur influencën në gjithë rajonin. Analistët kanë ngritur pyetjen: “Në një kohë që anëtarët e BE – së ende janë duke përballuar zemërimin social, që solli kriza financiare dhe ekonomike botërore si mund ta mbanin lart shpresën e një rajoni që ka një histori të dështimit të shtetit dhe konflikteve të dhunshme vitet e fundit?”.

Mungesa e stabilitetit në vendet e Ballkanit është më shumë problem i Europës. Politika e BE – së, sipas shumë analistëve të njohur, duhet t’i adresonte më mirë risqet, si riskun e hyrjes së parakohëshme ashtu dhe riskun e vonesës së tepruar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për arsye se rrugëzgjidhja e diskretituar: “herë shpejt dhe herë ngadalë”, tashmë konsiderohet gjithnjë e më shumë një zgjidhje e diskutueshme.

Kësisoj, rasti më i mirë i hyrjes së vendeve të Balllkanit Perëndimor mendohet se do të datojë përtej vitit 2020 Prandaj, kërkohet që BE – ja është mirë t’i rimendojë rrugëzgjidhjet se si mund ta maksimizojë influencën e saj në rajon dhe se si t’i kyçë mirë shtetet ballkanike në shtegun e reformës.

Qëllimi është më se i qartë: vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin, pa u shmagur, drejt së ardhmes europiane dhe jo të kthehen mbrapa tek mungesa e stabilitetit.

Sikundër venë në dukje analistë të ndryshëm, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë kërkuar konçensione BE – së, por vetëm vendosjen e një proëesi të qartë dhe rigoroz që t’i inkurajojë ato të identifikojnë të metat dhe të përgatisin plane për t’i kapërcyer ato.

Një gjë e tillë tregon se kështu mund të përmbushet premtimi i bërë nga BE në Selanik në 2003, pra, kështu ngrihet suksesi dhe shmanget kthimi mbrapa te e kaluara e rrezikëshme. Në vitin 2002 barrierat e tregtisë brenda CEFTA dukej se nuk ekzistonin më dhe ky, natyrisht, ishte një sukses i kohës, por 10 vjet më vonë, duke parë volumin e ulët të tregtisë ndërmjet vendeve të Europës Juglindore, analistët pyesin: “Por çfarë është arritur për pothuajse 10 vjet?”.

Rrugëzgjidhja e BE – së drejt Ballkanit Perëndimor është bazuar në dy hamendje qendrore: e para, bashkëpunimi kapërcen nacionalizmin dhe, e dyta, ka përparësi ekonomike. Deri tani e vetmja formë e bashkëpunimit që duket se është promovuar në mënyrë të mjaftueshme dhe që perceptohet në mënyrë pozitive në pjesën më të madhe të rasteve është integrimi në BE.

Nga pikëpamja e thjeshtë ekonomike, në njëfarë mënyre, duket e diskutueshme nëse rrugëzgjidhja e BE – së për Ballkanin Perëndimor do të justifikohej më gjatë, sepse konkurrueshmëria e rajonit është e ulët.

Kështu orientimi rajonal mund të shihej si një manovër e paqartë dhe që konkludonte se kërkesa për vendosjen e një marrëveshje të tregtisë së lirë nuk promovonte gjithnjë e më shumë strukturat konkurruese të prodhimit.

Kriza financiare dhe ekonomike globale, funksionoi dhe funksionon ende nëpërmjet mekanizmave të transmetimit në pjesë të ndryshme të rajonit që i ekspozohen risqeve të ndryshme dhe këto mekanizma përfshijnë: rënien e remitancave, goditjet e tregtisë, uljen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), vështirësi për rifinancimin e borxhit dhe risqet e sektorit bankar dhe përqindjes së këmbimit.

Në termat e ndikimit mbi tregjet e punës dhe grupet e njerëzve në nevojë, varet shumë se si do të financohen defiçitet, pasi ekspertët kanë vënë në dukje se “institucionet financiare në Europën Juglindore po përjetojnë vështirësi në rritje për të tërhequr hua në monedhë të huaj nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit”, duke riskuar që rajoni “të lëvizë në drejtim të kundërt” nga ai i ekonomive të zhvilluara”.

Një risk i ri që mund të dalë në pah u duk qartë në termat e rënies së ndihmës ndërkombëtare të zhvillimit, edhe pse në shumë mënyra kjo është një përqindje shumë më e vogël e PBB – së në krahasim me atë të remitancave ose IHD.

Sipas takimit më të fundit të Koordinimit të BE – së, mbajtur në Tiranë në Mars 2009, ndihma bilaterale për rajonin pritet të zvogëlohet 12 për qind për vitin 2010; edhe pse kjo mund të mos jetë ndonjë shumë e madhe është një shkurtim tjetër psikologjik që ka nënvizuar krizën dhe ka krijuar ankth, si dhe opsione të kufizuara për rritjen ekonomike të qendrueshme në të ardhmen; politikat fiskale dhe rishikimi i buxheteve janë vendimtare për menaxhimin makroekonomik të ndikimit të krizës dhe, në këtë mënyrë, në fokusin kryesor janë shkurtimet e shpenzimeve publike dhe disa rritje të tatimeve direkte dhe indirekte.

Masat për të ndaluar rritjen e papunësisë u kufizuan dhe pati pak vemendje për mbrojtjen sociale, megjithëse ndihma sociale, shërbimet sociale, pensionet, shëndetsia, arsimi dhe strehimi ishin dhe mbeten vendimtare në kushtet e presioneve të përballimit të financimit të kërkesave në rritje për grupet e njerëzve në nevojë.

Sikundër vihet re kriza financiare dhe ekonomike botërore pati ndikim në skemat e pensioneve në rajon, gjë që tregon se do të jetë gjithnjë e më e vështirë për të ruajtur kushtet e jetesës së atyre që marrin një pension minimum dhe numrit të madh të njerëzve të moshuar, kryesisht gra, që nuk marrin pension.

Alas! It is delusion all: (Medet! Është e gjitha zhgënjim:)

The future cheats us from afar, (E ardhmja na mashtron nga larg,)

Nor can we be what we recall, (As që mund të jemi çfarë kujtojmë,)

Nor dare we think on what we are. (As guxojmë të mendojmë çfarë jemi.)

Share: