Home KRYESORE Për Rusinë dhe Kinën, Trump: Sanksionet hiqen me kusht

Për Rusinë dhe Kinën, Trump: Sanksionet hiqen me kusht

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, thotë se ai është i hapur për të punuar me Rusinë dhe Kinën.

Trump i tha “Wall Street Journal” se sanksionet e reja që i janë vendosur Rusisë do të mbeten në fuqi për një periudhë kohe, por më pas do të hiqen. Ai, po ashtu, tha se politika e një Kine, në të cilën SHBA nuk njeh Tajvanin, është në tryezën e bisedimeve.

Në intervistën e tij, Trump tha se sanksionet mbi Rusinë mund të hiqen nëse Moska ndihmon Uashingtonin në luftën kundër ekstremizmit islamik dhe çështjet e tjera.

“Nëse Rusia me të vërtetë do të na ndihmojë, përse të sanksionojmë dikë që bën vërtetë gjëra të mira”. Ai tha se shpresonte që të zhvillonte një takim me presidentin Vladimir Putin. Ndërsa për sa i takon Pekinit, Trump tha se Kina duhet të lejojë kompanitë amerikane të konkurrojnë duke hapur monedhën e saj.

Ndërkohë, një komitet i Senatit amerikan do të hetojë pretendimet se Rusia është përpjekur të përzihet në zgjedhjet presidenciale. Liderët republikanë dhe demokratë, në komitetin e zbulimit të senatit, kanë deklaruar se do ta vazhdojnë hetimin e tyre deri ku ai do të çojë. Ata do të shqyrtojnë aktivitetin kibernetik të Rusisë dhe praktikat e zbulimit.

Intervistat do të përfshijnë pjesëtarë të administratës aktuale por edhe të ekipit të presidentit të zgjedhur Donald Trump. Komiteti do të përpiqet të saktësojë nëse ka pasur kontakte mes Rusisë dhe personave të lidhur me fushatat politike në ShBA.

Pjesa më e madhe e punës do të bëhet pas dyerve të mbyllura edhe pse senatorët thonë se do t’i hapin seancat kur të jetë e mundur. Më herët këtë javë, u publikuan detaje të një dosjeje që supozonte se zyrtarë rusë të sigurisë kishin materiale kompromentuese mbi Donald Trump, çka do ta bënte atë vulnerabël ndaj shantazheve.

Presidenti i zgjedhur i quajti pretendimet lajme të rreme dhe sajesa dhe lajmëroi se ekipi i tij do të dalë me një raport të vetin për hakerimin brenda 90 ditësh./ Top Channel

Share: