Ish kryetari i Bashkisë së Vlorës rikthehet në PS.
Lajmi është bërëi i ditur nga vetë Gjika nëpërmjet një statusi në facebook.
Marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama duket se u prishën që në shkurt të vitit 2015, ku disa muaj para se të përfundonte mandatin e kryebashkiakut, Gjika u arrestua për shpërdorim detyre me lejet e ndërtimit.
Rama në atë kohe tha se Gjikën e kishte mik, por nuk mund ta amnistonte. Gjika nuk u kandidua më për shkak të këtij procesi gjykimi nga i cili u shpall i pafajshëm më pas.
Një vit më parë kreu i PPA Agron Duka do deklaronte afrimin e Gjikës në këtë forcë politike.
Por pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, Gjikës tashmë i është besuar detyra e koordinatorit politik për një nga strukturat më të rëndësishme në këtë rreth, Bashkinë e Selenicës dhe zonën e Lumit të Vlorës.
Ai do të punojë në këtë zonë me deputetin aktual Fatmir Toçi për forcimin e kapaciteteve drejt zgjedhjeve të 18 qershorit. Lidhja e Gjikës me këtë zonë është e fortë për shkak edhe të origjinës së tij prej andej. Ky vendim përbën kthesën e fortë të marrëdhënieve të ish-kryetarit të Vlorës prej 12 vjetësh.
Ky ishte postimi i Shpëtim Gjikës mbrëmjen e djeshme në rrjetin social Facebook:
“Duke filluar nga sot, jam me status të ri! Faleminderit të gjithë atyre që kanë besuar tek unë, dhe më kanë përkrahur e mbështetur në ditë të vështira!”.