Home KRYESORE Rikthimi i faktorit shqiptar në IRJ të Maqedonisë

Rikthimi i faktorit shqiptar në IRJ të Maqedonisë

Nga Arsim Sinani*

Ali Ahmetit elektorati shqiptar ia hoqi fuqinë vendimmarrëse, duke ia treguar vendin e vet dhe i tha se autoritarizmin e tij më nuk mund ta përdorë as ai as edhe ndonjë i afërm i tij siç ndodhte në të kaluarën, shkruan Sinani.

Maqedonia përfundoi ciklin e fundit të zgjedhjeve për të përmbyllur krizën që e ka kapluar nga viti 2006. E vështirë të krijohet fotografia reale se çka ndodhi në këto zgjedhje në Maqedoni, kush fitoi, kush humbi, sa fituan partitë opozitare, sa fituan partitë që qeverisën. Çka ndodhi në të vërtetë në Maqedoni? Kjo dhe shumë pyetje janë temë e debatit pasi numrat tregojnë një afërsi të madhe mes dy subjekteve politike maqedonase VMRO dhe LSDM, Gruevski fitoi por me këtë fitore nuk ka asgjë të sigurt, pa deputetët shqiptarë vështirë se bën qeveri. Dhe do duhet t’i gëlltisë fjalët e  veta duke u shndërruar në një lolo sepse shqiptarët duan t’ia tregojnë vendin pasi i ka nënçmuar shumë. Zaevi iu afrua shumë fitores por numrat nuk i garantojnë sukses pa partitë politike shqiptare.

Ky është treguesi më i mirë se Maqedonia po e fiton peshoren e vetë e këto janë partitë politike shqiptare. BDI me 10 deputetë duket se është fituese por kjo s’është e mjaftueshme që të bëjë vetë diçka. Lëvizja Besa fitoi 5 deputetë por jo mjaftueshëm që të bëjë diçka më shumë. Aleanca për shqiptarët fitoi 3 deputetë, por edhe kjo e vetme s’bën gjë. Ndërsa PDSH me 2 deputetë shkoi në histori për shkak të politikave të gabuara të liderit të dorëhequr Menduh Thaçi, i cili, u mund keq nga i rebeluari nga partia, kryebashkiaku i Strugës, Ziadin Sela.

Shqiptarët kanë një mundësi që në këtë krizë të menaxhojnë disa momente, nëse dinë ta bëjnë këtë Maqedonia do fillojë të marrë trajtë tjetër nga ajo që e kemi parë deri më sot. Opozita shqiptare fitoi por kalkulimet e gabuara pak edhe egot nuk i lejuan të bëhen bashkë dhe ta shijojnë fitoren që numrat e tregojnë këtë. Megjithatë hynë në skenën politike, për sa kohë kjo krejt varet prej tyre. Miti është thyer tani gjithçka pritet, nëse ju kujtohet ka një libër me një titull: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është tipike për atë që po na ndodh e mund të na ndodhë.

Por partitë e reja kujdesin lipset ta kenë, mos ta zhgënjejnë elektoratin pasi elektorati shqiptar këtë herë ndëshkoi. Këtë mund ta marrin edhe këto.

E Ali Ahmetit elektorati shqiptar ia hoqi fuqinë vendimmarrëse, duke ia treguar vendin e vet dhe i tha se autoritarizmin e tij më nuk mund ta përdorë as ai as edhe ndonjë i afërm i tij siç ndodhte në të kaluarën. Ali Ahmeti u ndëshkua për mënyrën se si qeverisi, për mënyrën se si hyri në koalicion me Gruevskin, për Monstrën, u ndëshkua për Kumanovën, për Harun Aliun, për gjithçka që bëri dhe u ndëshkua se nuk e hoqi Musa Xhaferin e shumëpërfolur, por e mbajti afër vetes kur kokën e tij e kërkonte elektorati i tij.

Dhe kjo i kushtoi minus 80 mijë vota. Dështimi më i madh që shqiptarët ia marrin shumë për të madhe Alisë se nëpërmjet VMRO-së partia e tij ishte në një vijë me Moskën, që nuk do asnjë koment më shumë. I kushtoi edhe pushteti që ia dha djalit të lazdruar që bërtiste UÇK, Artan Grubit e që e mbante afër vetes, e që ia shkaktoi humbjen fatale në Shkup, të cilin me dorën në zemër do lipset gradualisht ta këshillojë të shkojë nga erdhi.

Tash Aliu e di mirë se ky ndëshkim mund t’i vijë edhe në pranverë në zgjedhjet lokale ku ka mundësi reale partia e tij të fundoset në llumin e dështimeve që i ka pasur. Por ka edhe një dritë në tunel për Aliun që të fillojë një proces që moti ia kërkon elektorati i tij, anëtarësia, miqtë, opinioni publik, kundërshtarët, ish-shokët e idealit si Gëzim Ozdreni, që të fillojë ta pastrojë oborrin e shtëpisë se është bërë shumë pis. Kjo mund të jetë një mundësi e fundit në këtë dimër të acartë kur lipset të marrë vendime të vështira që mund ta pensionojnë nga politika, apo ta hapë krahun për një gjeneratë të përgjegjshme që nuk e pamë në qeverisjen e tij, as edhe për një ditë.

Ata që i besojnë thonë se ai, do kthehet fuqishëm ndërsa pesimistët dhe kundërshtarët thonë se nuk del dot nga kjo gjendje dhe do e përfundojë karrierën. Sido që të jetë më e ndershme është që edhe nëse humb të paktën të hapë krahun për një gjeneratë e cila do i bëjë ato që ai nuk arriti t’i bëjë, por vetëm i proklamoi. Realisht shqiptarët e zbritën nga kali i Skënderbeut në Çarshi të Shkupit, besoj këtë e ka kuptuar.

Humbësi i dytë i këtyre zgjedhjeve, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi u vërtetua edhe në këto zgjedhje se ishte kalkulim i gabuar nga ana e Arbër Xhaferit, i cili e la trashëgimtar të tij politik pa meritë. Po ashtu PDSH pa filozofinë politike të Arbër Xhaferit nuk arriti të ecë para pasi zgjedhja ishte e gabuar dhe partia mori tatëpjetën, me një cikël humbjesh. Ajo që Thaçi është mirë të bëjë për shëndetin e tij politik është të tërhiqet butë nga politika dhe të shkojë pa zhurmë nga politika, ndryshe rrezikon që të riciklohet në një mumie që do e përdorin maqedonasit për kusuritje. Sido që të jetë kjo është zgjedhja e tij se si do ta shohë veten në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

I rebeluari nga partia Ziadin Sela e mundi keq pavarësisht se kishte mbështetje mediatike në Prishtinë e Tiranë, kjo gjë që nuk e ndihmoi fare Thaçin. Por të themi se këto media dhe qarqe të caktuara në vend që të pozicionoheshin dhe t’i jepnin mundësi që të kemi një lidership të shëndoshë, gabimisht me informatat që dispononin e dëmtuan trungun kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë, duke u pozicionuar dhe investuar në njerëz të gabuar, gjë që u pa.

Ajo çka në Maqedoni është interesante është se skena politike po rikonfigurohet, ditën e diel pas rezultateve shumica e miqve të mi filluan të më telefonojnë dhe të më thonë se parashikimet e mia dolën të sakta. Ka më shumë se tri vite që në çdo emision kam artikuluar për atë që ndodh dhe për atë që vjen, por pak është dëgjuar zëri im.

Të jem korrekt Tirana e ka dëgjuar me vëmendje mendimin tim, ndërsa Prishtina jo aq për shkak të interesave që kanë individë të cilët bëjnë kalkulime. Edhe kjo s’ka rëndësi, procesi është i rëndësishëm, këtë të gjithë është mirë ta kuptojnë.

Po kalkulimet kanë filluar, ajo që është në dukje është se shqiptarët në Maqedoni janë në kërkim të një lidershipi që me më shumë përgjegjësi do merret me problemet e tyre. Këtë e kam artikuluar nga ajo që kam dëgjuar në rrugë, në shtëpi, në shkolla, gjithandej. Këtë e them edhe sot në Maqedoni së shpejti do kemi një lidership, i cili do i zëvendësojë politikanët e sotëm të cilët nuk ditën, patën mundësi por nuk vepruan, më shumë panë në mënyrë pasive se morën iniciativë dhe përgjegjësi, e përdorën patriotizmin për të kënaqur egon, por për fatin e keq rezultate patën pak, thuajse fare. Kjo gjeneratë po shkon, shtrohet pyetja: kemi mundësi të prodhojmë një stil tjetër të liderit dhe njerëzve përreth tij që gjatë gjithë kohës i bëjnë lajka dhe shqiptarët nuk fitojnë gjë?.

Nëse arrijmë të formatojmë nga kjo mjegull në Maqedoni një tip tjetër lideri dhe lidershipi shqiptarët fitojnë. Këtë fitore e duan shumë shqiptarët sepse janë lodhur nga premtimet dhe lulet që janë përdorur për estetikë politike. Koha është për prerje cezariane, këtë kemi mundësi ta bëjmë për Europën, për Perëndimin, për ardhmërinë tonë.

E sa për atë se çka do ndodh, me koalicionet, koha është që Gruevski të shkojë në histori e Zaevi të mësojë se me shqiptarët lipset të bëjë kompromise të cilat nuk i kanë bërë: Crvenkovski, Buckovski e së fundmi Gruevski. Ky kompromis e ndihmon Maqedoninë të gjejë rrugën e humbur europiane dhe të shpëtojë nga aleanca me Moskën. Shqiptarët e kanë këtë fuqi politike po kthehen në faktor, rast që i bën mirë shëndetit politik në IRJ të Maqedonisë, u bën mirë të gjithëve në Maqedoni, ua kthen shpresat e humbura.

Por kjo është zgjedhja që Ali Ahmeti lipset ta bëjë, partitë e tjera si Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët ia dhanë këtë mundësi edhe pse nuk e meritoi. Optimistët thonë se Ali Ahmeti do bëjë koalicion me Gruevskin, pesimistët thonë se Ali Ahmeti do bëjë koalicion me Zaevin. Por ajo çka duan shqiptarët është se nuk duan një që i ngjason Gruevskit, por duan dikë me të cilin do kenë mirëqenie, cilidoqoftë përveç Gruevskit. Java është e gjatë, acari e ka mbërthyer IRJ e Maqedoninë, vendimi është i vështirë por të presim çka do ndodhë më tutje.

Do flasë shqip Ali Ahmeti apo do vazhdojë me avazin e vjetër është zgjedhja e tij, por edhe fundi apo fillimi, Zarin e hedh ai.

Share: