Home KRYESORE “THE GUARDIAN” – SHBA do të zhvendosë ambasadën në Jeruzalem

“THE GUARDIAN” – SHBA do të zhvendosë ambasadën në Jeruzalem

Tre senatorë republikanë prezantuan legjislacionin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet zyrtar të Izraelit dhe për të lëvizur ambasadën amerikane atje nga Tel Avivi, një plan i mbështetur nga Donald Trampi, por që ka gjasa të ndezë protesta të ashpra.

Pasi u betuan në Kongresin e 115 në Uashington, Ted Kruz i Teksasit, Din Heller i Nevadës dhe Marko Rubio i Floridës paraqitën Ligjin për Ambasadën në Jerusalem.

Lëvizje të ngjashme të republikanëve gjatë 20 vjetëve të fundit nuk kanë prodhuar asgjë, por këtë herë kanë një president që e mbështet idenë. Ai ka premtuar në mënyrë të përsëritur për ta zhvendosur ambasadën në Jeruzalem dhe të emëruar një ambasador amerikan që mbështet këtë pikëpamje.

Lëvizja e ambasadës amerikane në Jeruzalem mund të shkaktojë ‘kaos’ të dhunshëm, paralajmërojnë ekspertët. Dëshira e Donald Trampit për ta zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi është parë nga shumë si kërcënim i madh për procesin e paqes Izrael-Palestinë. Kritikët paralajmërojnë se ky veprim mund të nxisë një valë dhune dhe ta trondisë më tej procesin e paqes Izrael-Palestinë dhe të ardhmen e një zgjidhjeje me dy shtete.

Kruzi tha: “Jeruzalemi është kryeqyteti i përjetshëm dhe i pandarë i Izraelit. Për fat të keq, hakmarrja e administratës Obama ndaj shtetit hebre ka qenë kaq vicioze sa nuk e dëgjon këtë të vërtetë të thjeshtë. Jeruzalemi është vendi i përshtatshëm për ambasadën amerikane në Izrael. Më në fund erdhi koha për të ndrequr premtimet e pambajtura dhe të bëjmë atë që Kongresi tha se ne duhet ta bëjmë qysh në 1995. Zyrtarisht, ta lëvizin ambasadën tonë në kryeqytetin e aleatit tonë të madh, Izraelit”.

Kurse kolegu i tij Heller tha: “Ndër vite, unë kam theksuar nevojën e Amerikës për të riafirmuar mbështetjen e saj për një nga aleatët më të fortë të kombit tonë duke njohur Jeruzalemin si kryeqytet të pandarë të Izraelit. Kështu do të nderonim një premtim të rëndësishëm bërë më shumë se dy dekada më parë, por ende të papërmbushur.”

Ambasada e SHBA-së ndodhet në Tel Aviv prej gjysmë shekulli. Politika e Departamentit të Shtetit thotë se statusi i Jeruzalemit do të përcaktohet vetëm në bisedimet përfundimtare ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Edhe pse Kongresi amerikan miratoi një ligj me të cilin urdhërohet Ambasada të zhvendoset në Jeruzalem në vitin 1995, çdo president që atëherë ka ushtruar të drejtën e vetos duek e argumentuar këtë me “shqetësime të sigurisë kombëtare”. Saeb Erekat, një zyrtar i lartë palestinez dhe negociator i paqes, paralajmëroi muajin e kaluar se nëse lëviz ambasada në Jeruzalem, do të rezultojë në shkatërrimin e procesit të paqes në tërësi.

Share: