Ushtria britanike ka dërguar tanke dhe automjete të blinduara nëpër tunelin e Kanalit të la Manshit për herë të parë, si pjesë e nëj plani për të gjetur mënyrat më efikase për të dërguar shpejt armatim të rëndë në Evropën Lindore në rast të një krize me Rusinë.
Prova u krye pas mesnatës së të mërkurës si pjesë e ushtrimit të logjistikës. Tanket përfunduan udhëtimin 40 minutësh nëpër tunel dhe u kthyen mbrapsht.
Stërvitja vjen kur ushtria kërkon mënyra të reja për të vendosur forca të blinduara nga Britania e Madhe në Evropë pasi të mbyllë bazat e saj në Gjermani. Këto baza duhet të jenë të mbyllura deri në vitin 2020.
Ushtria ka mbajtur rregullisht stërvitje transporti me tanke në rrjetin hekurudhor të Evropës gjatë Luftës së Ftohtë, por aftësia ka humbur pasi operacionet janë përqendruar në Afganistan dhe Irak. Forcat e armatosura ende përdorin tunelin për të transportuar furnizime dhe pajisje, por kurrë nuk kanë transportuar nëpër të automjete të blinduara.
Ministria e Mbrojtjes tha se ushtria mund të transportojnë tanke me anije dhe me transportin ajror nëse është e nevojshme.
Britania po përgatitet për të dërguar 800 ushtarë së bashku me një numër të vogël tankesh, autoblindash dhe dronesh në Estoni në pranverë, në një përpjekje të NATO-s për të qetësuar shtetet baltike nga frika e agresionit rus. Këto tanke do të udhëtojnë nga Gjermania.